(2L ONLINE) – Është shënuar Dita e Shkollës fillore “Abdullah Tahiri” në Malishevë, ku fillimisht kryetari i Komunës së Gjilanit me bashkëpunëtorët e tij kanë bërë homazhe tek lapidari i dëshmorit e më pas është shënuar dita e shkollës.
Me këtë rast drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, në shënimin e kësaj dite ka thënë se kjo datë është një nderim që të gjithë ne i bëjmë veprës e dëshmorit të kësaj ane.
“Sot nderojmë dëshmorin “Abdullah Tahiri”, nderojmë veprën e tij për lirinë dhe ndërtim të vendit, por poashtu sot krenohemi me sukseset e shkollës dhe ecjen drejtë synimeve të arsimit në Kosovë. Abdullahu ka dhënë jetën që ne sot të jetojmë të lirë, të zhvillohemi dhe të jepi pjesë e proceseve në ndërtimin e vendit. Duhet të punojmë edhe më shumë që ideali i të rënëve për liri të jetësohet në praktikë. Jemi të përkushtuar që krahas punës sonë të nderojmë edhe të rënët për liri. Ata do të jenë përherë pjesë e lavdisë sonë në rrugën e mëtutjeshme”, ka thënë drejtori Musa duke u dëshiruar punë të palodhur nxënësve dhe gjithë personelit të shkollës për këtë ditë të madhe jo vetëm për Malishevën por për Gjilanin dhe më gjerë.
Ndërsa, drejtori i shkollës Përparim Poroshtica, ka thënë se 19 maji është ditë e rëndësishme sepse shënon rënien e heroit tonë, i cili ka rënë për të mos vdekur kurrë.
“Dita e shkollës sonë është ditë e krenarisë sepse mbanë emrin e dëshmorit Abdullah Tahiri. Po zhvillohemi përditë e më shumë në aspektin e infrastrukturës shkollore por edhe në aspektin e sukseseve të nxënësve dhe shkollës në përgjithësi”, ka thënë ai ndër të tjerash.
E në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur Ibrahim Tahiri, i cili i ka falënderuar të gjithë për angazhimin që po japin në këtë shkollë por edhe në proceset në përgjithësi.
Ndryshe sot në ora 17:00 në Teatrin e Qytetit në Gjilan mbahet Akademi përkujtimore kushtuar dëshmorit Abdullah Tahiri./2l Online/