Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) çdo vit në datën 16 tetor (datë kur u krijua FAO në 1945).
Kjo ditë organizohet që prej 1981 dhe synon të sensibilizojë politikëbërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.
Prej disa vitesh në këtë datë, edhe Kosova kryen aktivitete sensibilizuese mbi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm në popullatë.
Njihet botërisht roli i ushqyerjes në shëndetin e individit gjatë gjithë ciklit të jetës, duke filluar nga periudha parakonceptimit të fëmijës e deri në pleqëri.
Sa më herët të fillohet zbatimi i praktikave të rekomanduara të ushqyerjes, aq më i shëndetshëm do të jetë individi gjatë gjithë jetës.