Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami. Gjatë këtij takimi ata kanë bashkëbiseduar rreth mbarëvajtjes së mësimit në distancë si dhe rreth mundësisë së shndërrimit të objektit të shkollës së fshatit Çiflakë në çerdhe publike që do të ju shërbej Pozheranit dhe fshatrave për rreth.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti potencoi se kjo komunë është ballafaquar me disa vështirësi shkaku i gjendjes së krijuar nga virusi pandemik COVID-19, por duke theksuar se kjo situatë tani për tani ka kaluar pasi që nuk ka raste të reja dhe të gjithë të infektuarit me COVID-19 janë shëruar.
Ai shtoi se kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit të mirë me të gjithë. Kreu i kësaj komune ka folur edhe për projektin me të cilën pritet të bëhet shndërrimi i objektit të shkollës në Çifllak në çerdhe publike.
“Projekti ynë është që shkollën në mes të Pozheranit dhe Tërpezës, pra në fshatin Çifllak, si para lagje e Pozheranit ta shndërrojmë në çerdhe publike. Ky objekt është i mirë ndërtuar dhe na shërben shumë që ta kthejmë në ri funksionalitet pasi që për këtë tani kemi nevojë” u shpreh Haliti.
Ndërkaq Ministrja Bajrami, potencoi se ata pos që kanë folur për mbarëvajtjen e mësimit në distancë kanë biseduar edhe për projektin e çerdhes që është prioritet i komunës dhe ministrisë. “Gjithashtu sot do të vizitojmë objektin e vjetër i cili është prioritet i komunës së Vitisë por edhe të Ministrisë së Arsimit, që mundësisht gjatë këtij viti të shndërrojmë në çerdhe publike, pra për Pozheranin që është një fshat shumë i madh dhe konsiderojmë se është tepër e nevojshme që aty të kemi një qendër të kujdesit ditor për fëmijë” u shpreh znj. Bajrami duke bërë të ditur se për këtë edhe kanë ndarë buxhetin dhe duke shpresuar në implementimin e këtij projekti”.
Ndërkaq e pyetur nga gazetarët lidhur me projektin e ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran që është duke u ndërtuar ajo potencoi se ky projekt po implementohet nga Ministria e Administratës Publike dhe sipas informatave të cilat ata posedojnë ky projekt është ballafaquar me disa probleme me operator të ndryshëm, për të cilën ajo kërkoj zbatim më të shpejt të ligjit, që operatorët e papërgjegjshëm të ndëshkohen sa më parë.
Gjatë këtij takimi ka marrë pjesë edhe drejtori Basri Aliu, i cili e njoftoj ministren për mësimin në distancë që po zhvillohet në komunën e Vitisë.
“Pjesa më e madhe e nxënësve tanë janë duke vijuar mësimin në distancë. Fatmirësisht mësimdhënësit tanë me vetiniciativë kanë mbajtur mësim nga largësia dhe atë përmes aplikacioneve të ndryshme dhe atë para fillimit të transmetimit në televizionin publik. Për këtë dua në veçanti të falënderoj edhe mësimdhënësit e Teknologjisë Informative të cilët i kanë ndihmuar mësimdhënësit në përdorimin e këtyre aplikacioneve”, tha drejtori Aliu.
Ndërkaq pas këtij takimi ata kanë vizituar edhe objektin shkollor në Çifllak të cilën institucionet komunale të Vitisë dëshirojnë të shndërrojnë në çerdhe publike për Pozheranin dhe lokalitet për rreth.