Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Koordinatoren e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli Kastrati, kanë pritur në takim Zyrtarin Ligjor pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, Shemsedin Mustafa.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Kamenicës përkatësisht Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, e po ashtu edhe për aktivitetet tjera që do të realizohen në të ardhmen.
Kryetari Rahimaj ka vlerësuar këtë bashkëpunim duke thënë se shpreson të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Institucioni i Avokatit të Popullit është i rëndësishëm në mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Angazhimi ynë do të jetë që secili qytetarë të gëzojë të drejtat e tij pa dallim, andaj shpresoj që bashkëpunimi ynë me këtë Institucion do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, është shprehur ai.
Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli Kastrati, falenderoi Zyrtarin Shemsedin Mustafa për takimin, duke thënë se deri më tani kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm në realizimin e aktiviteteve të ndryshme.
“Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm deri më tani me Institucionin e Avokatit të Popullit. Kemi zhvilluar aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pandemia Covid-19 ka paraqitur sfida të reja rreth mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe për këtë duhet të shërbejë si alarm për rritjen e përkushtimit institucional e shoqëror lidhur me këtë çështje. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thotë qartë se të drejtat dhe liritë fundamentale të njeriut janë “të pandashme, të pajetërsueshme dhe të pacenueshme” për të gjithë qytetarët e saj, ndërsa na obligon të gjithëve t’i respektojmë ato”, ka thënë ajo.
Pas takimit është organizuar një diskutim I hapur me nxënës të shkollave të mesme: Gjimnazit “Ismail Qemali” dhe të SHMLP “Andrea Durrësaku”në Kamenicë me temën: “Mëso për të drejtat tua”.
Përveq nxënësve të pranishëm ishin edhe Shemsedin Mustafa, Zyrtar Ligjor pran Institucionit të Avokatit të Popullit, Nazmije Demolli Kastrati – Koordinatore e NJKDNJ-së, Raif Morina – Drejtor i Gjimnazit , Shaban Ajvazi – sekretar, Xhevrije Krasniqi – psikologe si dhe Violetë Kastrati – pedagoge.
Po ashtu janë zhvilluar takime dhe bashkëbisedim me qytetar të grupmoshave të ndryshme si dhe është bërë shpërndarja e fletpalosjeve sa i përket të Drejtave të Njeriut (Version i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut). /2LONLINE/