Në Kamenicë është mbajtur takimi lidhur me fillimin e punimeve për projektin e ujësjellësit në fshatrat Rogaqicë, Muqivercë, Dajkoc, Shipashnicë e Poshtme, Novosellë dhe Hodonoc.
Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Inspektorat Ramadan Basha, dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, janë takuar me përfaqësues të KEDS-it, CDI-së, KRU Hidromoravës si dhe operatorin ekonomik nga K-ING, për të diskutuar lidhur me çështjen e projektit të ujësjellësit në fshatrat Rogaqicë, Muqivercë, Dajkoc, Shipashnicë e poshtme, Novosellë, Hodonoc.
Në këtë takim temë kryesore ishte fillimi i punimeve lidhur me këtë projekt. Të pranishëm ishin Zylqefli Ajvazaj përfaqësues nga KEDS, Astrit Vokshi përfaqësues i CDI-së, Sherif Thaqi përfaqësues i KRU Hidromorava, si dhe Hazir Kuqi operator ekonomik nga K-ING.
Nënkryetari Faton Jakupi, në takim theksoi se KEDS-i është shprehur i gatshëm që ditën kur të fillojnë punimet të jetë në vend, në mënyrë që t’i ndihmojë operatorit ekonomik lidhur me kabllon.
“Ne si komunë jemi të gatshëm që të dërgojmë zyrtarët tanë në vend të ngjarjes ditën e fillimit të punimeve, për t’iu ndihmuar lidhur me problemet që mund të keni. Po ashtu KEDS-i ka shprehur gatishmërinë që t’iu ndihmojë në lidhje me zhvendosjen e kabllos, që gjendet në pjesën ku do të vendoset gypi, dhe ta ndalë energjinë elektrike kurdo që nevojitet. Por duhet të fillojë puna sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Inspektorat Ramadan Basha, në këtë takim ka thënë se puna lidhur me këtë projekt duhet të fillojë sa më parë.
“Kemi biseduar edhe me KEDS-in dhe ata do ta dërgojnë ekipën e tyre aty, që ta zhvendosin kabllon kurdo që është e nevojshme. Pra secili do ta ketë punën e tij, dhe ditën kur të fillojnë punimet do të dalë një ekip nga komuna që t’iu ndihmojnë”, ka thënë Basha.
Operatori Ekonomik nga K-ING, Hazir Kuqi së bashku me kryetarin e CDI-së Astrit Vokshi dhe përfaqësuesin e kompanisë Hidromorava Sherif Thaqi, u shprehen të gatshëm që t’i fillojnë punimet duke ritheksuar se është e domosdoshme që KEDS-i ta kryej punën lidhur me zhvendosjen e kabllos elektrike.
Në fund të takimit të gjithë ranë dakord që në muajin Prill të fillohet me punime për çështjen e projektit të ujësjellësit në fshatrat Rogaqicë, Muqivercë, Dajkoc, Shipashnicë e Poshtme, Novosellë, Hodonoc.