Policia e Kosovës, konkretisht stacioni policor në Kamenicë ka organizuar tryezë lidhur me çështjen e sigurisë në shkolla.
Në këtë tryezë u diskutua se njëra ndër elementet kyqe në institucionet shkollorë është çështja e sigurisë, në mënyrë që nxënësit por edhe mësimdhënësit të ndjehen të lirë e të pa cenuar nga të tjerët.
Të pranishëm në tryezë ishin kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, komandanti i Policisë në Kamenicë, Florim Klaiqi, drejtoresha Komunale e Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi, përfaqësues nga Këshilli i Prindërve e Këshilli i Nxënësve, përfaqësuesja nga Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Nazmije Demolli, drejtorët e shkollave të mesme, si dhe psikologet e pedgogët e shkollave.
Kryetari Kastrati ka thënë se siguria në shkolla është njëra ndër elementet kryesore për një zhvillim cilësor të arsimit të nxënësve.
“Kur nxënësit ndjehen të lirë në objektet shkollore, pa u kërcënuar si dhe pa u cenuar siguria e tyre, atëherë edhe prindërit ndjehen më të sigurtë për fëmijët e tyre. Në bashkëpunim me Policinë në Kamenicë, ne do të punojmë që e siguria e nxënësve tanë dhe e mësimdhënësve të jetë në nivel, në mënyrë që arsimimi i tyre të cilësor dhe të mos cenohet nga askush”, është shprehur Kastrati.
Edhe Komandanti i Policisë në Kamenicë, Florim Klaiqi, ka thënë se policia është e gatshme që të kujdeset për sigurinë e secilit e në veçanti të nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Policia kujdeset për mbajtjen e rendit dhe sigurisë në vend. Ne çdoherë inkurajojmë të gjithë që janë të kërcënuar të lajmërojnë rastet në polici, në mënyrë që ne të gjejmë zgjidhje për mbrojtjen e tyre. Jemi të gatshëm që sigurinë e nxënësve në shkolla ta mbikqyrim, në mënyrë që ata të ndjehen të lirë dhe të sigurtë”, theksoi ai.
Po ashtu Këshilli i Prindërve dhe Këshilli i Nxënësve, së bashku me drejtorët, psikologët dhe pedagogët e shkollave, në këtë takim ishin të mendimit së ambienti më i sigurt shkollor, u ofron nxënësve komoditet të ndjehen më të lirë, dhe se sipas tyre në këtë mënyrë edhe arsimi do të jetë më cilësor. /2LONLINE.com/