Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë zhvilloi sot një takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me të cilët bisedoi për aktualitetet në shëndetësinë kosovare, me theks në buxhetin për vitin 2017 dhe përgatitjet për fillimin e implementimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
Në këtë takim, Ministri Rrahmani dhe zyrtarët e tjerë të MSH-së i kanë njoftuar anëtarët ë këtij Komisioni të Kuvendit të Republikës së Kosovës me nevojat e MSh-së dhe sistemit shëndetësor për një përkrahje më të madhe financiare, me qëllim të përmbushjes së nevojave të shumta që ka sistemi, përfshirë këtu përmirësimin e furnizimit me barna, ngritjen e resurseve humane dhe mundësimin e realizimit të projekteve të ndryshme të cilat kanë rëndësi vitale për shëndetësinë në Kosovë.
Ministri Rrahmani ka kërkuar përkrahjen e Komisionit që buxheti për vitin 2017, i cili duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, t’u përgjigjet sa më shumë që është e mundur nevojave të shëndetësisë.
Gjithashtu, Ministri i ka njoftuar anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale edhe për përgatitjet për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore që pritet të nis në janari 2017, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për çka theksoi se janë duke u zhvilluar takime të rregullta edhe me dikasteret e tjera qeveritare që janë pjesë e kësaj skeme.
Ministri tha se MSh pret që pas fillimit të mbledhjes së kontributeve për sigurime shëndetësore, efektet e para të vërehen në tre drejtime: në furnizimin më të mirë me barna dhe material shpenzues të institucioneve publike shëndetësore; rimbursimin e disa barnave jashtë spitalore për të gjithë qytetarët e vendit që po punohet të fillojë nga prilli 2017 dhe pagesën për kapitacion bazuar në performancë për Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Anëtarët e Komisionit parlamentar kanë shtruar pyetje të ndryshme me qëllim të sigurimit të informatave të nevojshme në mënyrë që ato të argumentohen në avokimin e tyre për buxhetin për shëndetësinë.