Komuna e Vitisë ka vazhduar sot me diskutimet publike për planifikimin e buxhetit komunal 2020-2022 me banorët e fshatrave Vërban e Smirë.
Me këtë rast zv. kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama i kanë njoftuar banorët e këtyre dy lokaliteteve mbi draft buxhetin për vitin në vijim. Megjithatë të dytë u shprehën se buxheti i paraparë nga niveli qendror nuk përmbush kërkesat e banorëve të komunës së Vitisë dhe potencuan se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri mbi pagat dëmtohet buxheti komunal në veçanti në kategorinë e investimeve kapitale e cila është zvogëluar.
Ndërkaq në diskutimin publik që u mbajt në Vërban e ku kishte një numër të madh të pjesëmarrësve banorët parashtruan këto kërkesa: rregullimi i nyejve sanitare në shkollë, rregullimi i një pjese të rrethojës në oborrin shkollor, funksionalizimi i ujësjellësit, mirëmbajtja e kanalizimit, vazhdimi i trotuarit, pastrimi i përroskave, rregullimi i rrugës prej Sokolve deri të Fabrika e Batarive, rregullimi i rrugëve bujqësore, pastrimi i rrugëve lagjore nga bora gjatë stinës së dimrit, ndriçimi publik nëpër lagje, krijimi i vendeve të punës dhe mirëmbajtja e oborrit shkollor.
Ndërkaq në fshatin Smirë pjesëmarrja e qytetarëve ishte më e ulët megjithatë në këtë takim ata paraqitën këto nevoja për investime: të rritet buxheti në sektorin e shëndetësisë, të vazhdohet me ndriçimin publik, të realizohen kërkesat që janë paraqitur edhe më parë nga banorët e fshatit Smirë, të vazhdohet me ndërtimin e trotuarit, të rregullohen disa rrugë fushore, rregullimi i defekteve në rrjetin e kanalizimit, të zgjidhet problemi me qenët endacak, të rregullohen gropat septike, të ndërtohet një sallë e sportit për shkollën dhe të vendosën panelat solare në kulmin e shkollës, poashtu ata kërkuan që të rritën investimet e komunës në këtë fshat, të pastrohet nga barojat rruga Goshicë-Smirë si dhe të bëhet dezinfektimi i rregullt i objektit shkollor.