Shkrimtari, Beqir Musliu, në letrat shqipe ka specifikuar artikulimet në arritje të dallueshme artistike, në disa fusha, të cilat që nga fillimet poetike kanë shënuar ngritjet në bashkërenditje të tri gjinive letrare. Në fillim poezia, pastaj proza e drama, shkrimet eseistike dhe publicistika, kanë piketuar shenja të dalluara në këto fusha të minuara artistike për kohën kur letërsia shqiptare këtej (në ish Jugosllavi) shihej me dioptrinë e ngulfatjes së tematikës së lirë, sidomos të asaj me përmbajtje kombëtare.
Nga: Nexhat Rexha
Në këto rrethana kohësh Beqir Musliu, ka depërtuar në hulumtime të teorive më të avancuara evropiane. Njohja me vlerat më të arrira të letërsive e teorive letrare, që nga Antika e këndej, i ka shkrirjet e modulet në disa variante, kurse ai ka arritur të determinojë në shkrimet e tija, modelin më të avancuar për kohën kur ai shkruante e botonte poezinë dhe prozën. Për shumëkë, stili e brendia artistike në veprën e tij në kohën kur janë publikuar shkrimet, sidomos në dy dekadat e para mbetej e pakapshme. Është me rëndësi të theksohet, se shtresa më gjerë që i takonte elitës politike antikombëtare nuk arrinin të depërtonin në brendinë e parashtrimeve artistike, sepse thellësia e materies brenda tekstit, mbeti e panjohur në zbërthimin e trajtimeve artistike të tija. Në këtë kontekst jeta shkrimore e Beqir Mulsiut, sidomos ajo në prozë, është shumë e pasur në trajtueshmëri të diskurseve tematike. Në tregime dhe romane, Beqir Musliu, rikthen vëmendjen e kritikës së mirëfilltë të kohës, me botimin e romanit“ Vegullia”, 1979, dramave “Rropullari” ( Shkup 1978), “Unë Halil Garria” 1982, (Shkup), dhe librin me tregime “Mbledhësit e purpurit” 1982 , e që ai e quan –Libër imazh. Në këto vepra të botuara në prozë Beqir Musliu, për lexuesin e kohës, sidomos në Kosovë e në trevat tjera shqiptare depërtoi më vëmendshëm, ani pse në Shqipëri proza e tij nuk arriti të depërtojë në dorën e lexuesit, sikur në këto treva. Sidoqoftë, proza e Beqir Musliut mbeti më shumë në dorëshkrim, duke e ditur se romani “Ndeshtrasha”, u botua në vazhdime në të përditshmen “Rilindja” 1983. Kurse romanet tjera, si : “Amullia”, “Skërluta”, “Krupa”,.”Makthi” e “Ndeshtrasha”, e panë dritën e botimin në kuadër të Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, më 2004. Edhe më tej kanë mbetur të pabotuara, në dorëshkrim, edhe shumë shkrime tjera, si: tregime, eseistikë, publisitikë dhe të tjera.
Elementet e postmodernës në prozën e Beqir Musliut
Letërsia shqiptare në Kosovë dhe trevat tjera deri në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar është shkruar në nivelin tradicional që nga fillimet e saj, e të mos flasim për një zhvillim më të avancuar evropian. Në këto rrethana shoqërore, Beqir Musliu, depërtoi në proceset më të avasuara artistike të kohës, duke i dhënë veprës frymëmarrjen e tij shpirtërore, tejkaloi këto barriera letrare, të cilat shkrimtarët e kohës nuk arrinin t`i kultivonin. Këtë frymë letrare e trajtoi edhe Anton Pashku në romanin “Oh”, në dramat “Sinkopa” dhe “|Gof”, si dhe në disa tregime. Edhe shkrimtarët e kësaj plejade pretendonin të sillnin këtë frymë letrare, si:, Zejnulla Rrahmani, Musa Ramadani, Rxhep Qosja, Teki Dervishi, Sabri Hamiti e ndonjë tjetër. Beqir Musliu, me romanin “Vegullia” dhe ”Mbledhësit e purpurit”, shënon hapin më konkret të prozës së avancuar në këtë frymë.
Në Evropë postmodernizmi kishte tejkaluar këtë frymë shkrimore, sepse bota letrare me avancimet e saja, si në të gjitha sferat e jetës moderne kishte ngritjet e veta. Universi letrar i Beqir Muliut, arrin që në këto kondita të kohëve të depërtojë gjithnjë suksesshëm në artin e tij letrar, e sidomos në prozën me elemente më të avancuara, si në figurshmëri e në koncepte me prurje të reja artistike, si dhe në shtrirje më të gjëra të kohëve. Tematika e ndërtimit të ngjarjeve, arrinte të plotësonte gjitha konturat e kapshme me protagonistët në veprat e tija, në evoluim ata bashkëjetonin në arealin e verdiktin e ruajtur me kujdes. Kurse, angazhimi vrojtues në procesin e shenjëzimit, tërthorazi interferonte me fjalorin artistik, ide përtej kohëve e iluzioneve të realitetit shoqëror në rrjedhat e kohës së totalitarizmit. Për këto trajtime të postmodernes teoricientja Linda Hutcheon shprehet: “Teoria dhe praktika e artit postmodern kanë treguar mënyrat e shndërrimit të dallimit, jashtëcentrikës, në mjet estetik dhe madje politik për ngritjen e vetëdijes, gjë që me siguri është hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt çfarëdo qoftë ndryshimi radikal” .
Proza e Beqir Musliut i paraprin teorisë së ngritjes, daljes nga trajtueshmëria e letërsisë së realizmit socialist. Në këto kapërcime, jeta shkrimore mori orientim më të thellë artistik, sepse ideologjia e kohës tejkalohej në këtë frymëmarrje, e cila për dikë kuptohej si letërsi hermetike. Proza e Beqir Musliut identifikohej si e natyrshme me filozofinë brenda tekstit, estetika përbente elementet e reja më të fuqishme në prozën shqipe të asaj periudhe. Kështu, lexuesi i sotëm nuk e ka vështirë të konstatojë këto specifika të prozës së Beqir Musliut, ato kanë modalitetin unikat, variantet e specifikuara, të cilat bindshëm ruajnë traditën më të avancuar të letërsisë së përbotshme që nga fillimet e deri tek ai, e për të zhvilluar edhe me tej në ngritje të nivelit tanimë të konsoliduar në veprat e tija.
Epistemiologjia në variantin e ruajtjes tradicionale brenda tekstit, ka gërshetimet më funksionale në shtjellimin e diskursit, si rrëfim dhe si traditë. Këto hallka i kanë lidhjet në brendi të teksteve, si narracion dhe si mesazhe për të dalë nga rrethi i diktimit të letërsisë që zhvillohej, shkruhej në disa vepra të kohës. Mënyra dhe fokusimi në këtë formë shkrimore shtroi edhe diskutime të ndryshme, mirëpo, pjesa më e avancuar e letrarëve, bashkëkohanikëve e cilësuan si stil të Beqir Musliut, kjo ndikoi edhe në ruajtjen, rrjedhën e përqendruar në të gjitha veprat e tija. Proza e tij i jep kuptim e zgjerim tematikës së shtruar në komperacionin e studimeve krahasimtare që mund të bëhen nëpër etapat e zhvillimeve shoqërore, sidomos në letërsi, ato që kanë dalë me mbingarkesa ideologjike. Në realitet përsiatjet e tija konfirmuan në emërtim konstatues në progresivitet të letërsisë në përgjithësi, veçmas duke i dhënë atributet e reja ndërlidhëse në mes letërsisë shqiptare dhe asaj që shkruhej në disa vende të Evropës në atë periudhë kohore.
Bota e protagonistëve brenda kornizave është sublimim jetik
Beqir Musliu specifikon mendimin, idenë, verdiktin e dhënë në prozën e tij, sepse ai shkëputet nga mënyra e shkrimit tradicional, duke inkorporuar tradicionalen në pikëtakime të ngritjes thelbësore në sistemin postulat e të ekuilibruar, që në një farë mënyre kodifikon të kaluarën si instrument më konkretizues me frymë më avancuese. Konstatojmë se proza e tij, e shkruar në këtë fazë, arrin të tejkalojë mbetjet e të kaluarës rrëfimtare, si dukuri të trashëguara në letërsinë e kësaj periudhe. Nostalgjia e modelit tradicional, si dhembje dhe përshkrimet sociale kanë krijuar disfatizëm në prozën e një pjese letrare, me teza të pa konkretizuara për tejkalim të dukshëm të sundimeve shekullore.
Në këto ngritje, shndërrime tematike, pikësynimi i autorit ka vënë në funksion filozofinë e tejkalimit të problemeve të mistershme. Ato në prozën e Beqir Musliut, kanë shtrirje mes lindjes dhe vdekjes, duke kaluar nëpër labirintet e ngushticave të absurdit. Këtë absurditet, lexuesi e përjeton më ndryshe, sepse vetmia dhe mbyllja në rrëfimet e të kaluarës, pa shtegdalje sikur kanë krijuar imunitetin e pajtimit me vdekjen. Beqir Musliu, këtë problematikë e shtjellon në mision shpirtëror e më avancues, me rrëfimet e pranueshme, të dukshme të protagonistëve, ata rrëfejnë në dy mënyra: rrëfimi i parë bëhet me solokuminikim dhe me pamjen e vdekjes si dukuri e përhershme në vatrat e tyre, kurse mënyra e dytë, rrëfehet si pritje e besueshmëri. Ky komunikim sublimon në ngritje të vetëdijes kombëtare dhe krijon pritjet për pozitivitet.
Romanet e pabotuara për gjallje të autorit dëshmojnë këto hallka të universit të tij, si testament për ngritje vlerash. Ani pse romani “Vegullia” u botua në vitin 1979, tregimet “Mbledhësit e purpurit”, 1982, dhe romani “Ndeshtrasha”, 1983 në të përditshmen “Rilindja” në vazhdime. Këto vepra zgjuan kërshërinë e një pjese të lexuesit të kohës, edhe pse Beqir Musliu, njihej më shumë si poet dhe dramaturg. Mirëpo, si depërtime, ato mbetën vetëm brenda Qarkut letrar të Kosovës, ato nuk patën shtrirje në Shqipëri, as si lexim, e as si botim.
Përfaqësimi i protagonistëve në romane ka depërtime në disa shtylla
Romanet e Beqir Musliut, kundërshtojnë frymën e romanit të realizmit socialist, heronjtë e prozës së tij nuk përcaktojnë klasa sunduese apo shtresat varfër , ata vijnë nga shtresat e ndryshme, sepse roli i rrëfimtarit bartet në disa koncepte të përjetimeve dhe kërkesave në pritje për të mundur të keqen. Është e rëndësishme se komunikimi nëpër ngjarje, rrëfehet në njohje të problemeve, ato orientojnë me pohim kah dalja e kësaj anateme të ndryshkur nëpër arteriet e kohëve. Romanet e lëna në dorëshkrim, shohin dritën e botimit në vitin 2004, ato që ishin të botuara, diktojnë e japim sugjerimin më të thellë të ironisë njerëzore, e në veçanti të botës shqiptare për të depërtuar në njohje të shkaqeve të robërisë.
Pra, këto kodifikime lexuesi i vëmendshëm do t`i kuptojë më thellësisht në prozën e Beqir Musliut, si në: “Vegullia”, “Mbledhësit e purpurit”, “Ndeshtrasha”, “Makthi”, “Amullia” , ”Krupa”, “Skërluta” dhe në proza tjera të lëna në dorëshkrim, ende të pabotuara, si dhe në shkrime të tjera publicistike.
Rrëfimet në romanin “Ndeshtrasha”, identifikojnë pamje psikologjike, përmes narracionit të ndjeshëm në botën e përtejme. Ngjarjet dhe protagonistët depërtojnë në botëkuptimin meditativ me realen dhe me irealen, duke i lidhur kodet e autorit me identifikimet e përjetuara përtej kohëve, ato janë realizime të sakrificës e mbijetesës autoktone.
Pagjumësia e të birit me mamanë e tij në dialogim dëftehej me vdekjen e përditshme. Doktor Fausti dhe biblioteka në komunikim kanë kërkesat për të padukshmen ekzistuese në botën reale. Kërkimi për librin e humbur në vorbullën e ngjarjeve, janë rrjedhshmëri e diktateve, kurse komunikimi lidh tematikën në shtrirje të filozofisë nëpër udhëkryqet e ndeshjeve të absurdit Ballaknik në atë Evropian.
Heroi i romanit “Makthi”, Hil Kodra,dallon nga veprimet e të bëmat e kryeprotagonistëve të romanit shqiptar, që shkruhej deri në këtë periudhë. Në romanin “Makthi”, Beqir Musliu, identifikon heroin e kërkuar që gjendej brenda vetes së tij. Njëkohësisht, në shtjellim të ngjarjeve, ai e tejkalon letërsinë e kohës në frymën moderne, në realitet ai sjell formën e avancuar letrare të frymës postmoderne evropiane. Kurse, në letërsinë shqiptare të asaj periudhe, kjo mënyrë e të shkruarit ishte e patrajtueshme. Protagonisti, Hil Kodra , nuk e lëshon vendlindjen në kërkim të lirisë, e kjo liri e pranguar nuk mund të gjendej, ajo nuk vinte përkundër paradoksit kohor. Autori komunikon me të vdekurit, sepse vetëm aty, e gjen të vërtetën, sinqeritetin dhe mallkimin e shekujve. Kërkimi përtej të sotmes dhe sakrifica janë mundësi për të mundur kohën e sundimit dhe daljen nga kjo gjendje inerte, ato pasqyrojnë në konkretizim të mesazhit e në ide të brumosura, si vazhdimësi e kërkim të ëndrrës për të mundur vetminë e heshtur.
Në romanin “Amullia”, dukuria e mospajtimit në lokalitetin e Kuqlinës dhe gjendja e amullisë së krijuar deri në vetizolim, ndjekja e vetes si dhe paragjykimet nëpër rrjedhat e kohëve, vijnë si rezultat i mistershëm nëpër frymëmarrjet e besëtytnive.
Duke kërkuar fatin e personazhit kryesor në varshmëri të shqetësimeve intime, amullia gjen shtrat për të jetuar. Vendbanimi i kuqlinasve është oazë, ata bëjnë jetën e mbyllur, në pamundësi të zhvillimit, gjithnjë, kanosja vjen si paragjykim i zhdukjes. Këto trajtime të vetizolimit, sikur diktojnë gjendjen pashtegdalje. Amullia vehet në funksion të metaforës psikologjike, duke pritur zgjidhjen sociale, përmes personalitetit të kërkuar, i cili arrin të kthejë dinjitetin e banorëve nga largësia fizike e tij. Amullia dhe pritja, janë lidhja në shoqërinë e lënë anash, të mundimit e kërkesës për dalje nga jeta e rëndë sociale.
Kthimi i Is-hakut dhe kronikat e Budim Jusufit, rikthejnë botëkuptimin e pritjes në zhgënjim, sepse varri i hapur për protagonistin kryesor ka vënë në fokusim zhgënjimin e pritjeve të kuqlinasve, çka realisht Beqir Musliu, lexuesit i ofron pamje të ndryshme në meditime, të cilat konkretizojnë realitetin e kohës. Të gjitha këto tipare të protagonistëve, në komunikim me lexuesin, ndërlidhin realen dhe absurdin. Beqir Musliu, këtyre ndërtimeve ua ka dhënë shpirtin e tij në funksionalizim të botëkuptimit imagjinativ, si refleksion të reales, në fokusim të prozës postmoderne në ide e në motivim të estetikës me veshje e brumosje artistike.
Romani “Krupa”, krijon ndërlidhshmëri të opuseve e karaktereve njerëzore, të shprehura në poetikën e konfiguracionit të brendshëm, si dramë shoqërore. Në brendi të shtjellimit, autori i qëndron besnikërisht stilit të tij, që tejkalon prozën e kohës. Në këto konstelacione proza e Beqir Musliut, komunikon me poezinë dhe avancon metaforën poetike në prozë. Në romanin “Krupa”, frymëmarrja e kolektivitetit sajon njohjen bindëse në vorbullën e mëhershme të perandorive nga ajo Romake, Turke e deri te kjo Serbe. Rrëfimet përmes protagonistëve stigmatizojnë në katarsis, e në shërim të lirimit të kësaj frymëmarrje të ngulfatur nga koha në kohë
Përgjumja në romanin “Skërluta “ dhe kontrastet e zhvendosjes së problemeve, sintetizojnë parashtrimet tematike në roman. Lufta me jetën në përjetimet e Erzan Kutlinës në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, paraqesin absurdin e ëndrrave të tij, të cilat bartin mesazhin e ndodhive në përsëritje të fatit, në vazhdimësi për kolektivitetin. Ardhja e publicistit gjerman, Herman Filer, në Kosovë dhe vendosja e tij në qytetin e Gjilanit, si dhe takimi me intelektualin Erzan Kutlina, në kërkim dhe takim me skeletin e të vëllait të Barabërs, janë pika vrojtimi që specifikojnë e ruajnë në vete orientimet që pikëtakojnë ndryshimet e kohëve dhe spiritualitetin pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Romani “Skërluta”, krijon situata komplekse, të cilat paraqesin largpamësinë në proceset shoqërore, këto procese e konflikte gjatë luftërave i kanë edhe përngjasimet e veta në përgjumje të tepërta, ato komunikojnë, gjithnjë edhe pa dashje, apo pa vetëdije edhe sot.
Proza e Beqir Musliut, që tërhoqi vëmendjen e kritikës dhe lexuesit, është libri me tregime “Mbledhësit e Purpurit” , e cila u botua në vitin 1982. Në këtë përmbledhje tregimesh me veçanti të kohës, lexuesi ka prekur në ideshmëri e ndërtim, konceptin e brendshëm të tregimeve. Kompozicioni në rrathët fragmentarë ka shtrirje në jetëshkrimin shumëdimensional, e më të qartësuar në imazhet e shpalosura të autorit, të cilat me vizionin e dialogimit korrespondojnë në depërtimet e sofistikuara në përditshmëri, ato karakterizojnë në rrethana e karaktere më të afërta për lexuesin. Ndërlidhja, e shtrirja brenda tekstit me elementet e Biblës e Kuranit, krijojnë botën me veçanti të skenave që e rrethojnë njeriun, mbi këtë bazament shkrihen proceset e vëna në dispozicion të prizmit përforcues. Dialogimi i shpërfaqur krijon situata të ndërlikuara në disa pamje, ato krijojnë konstatime të mendimit filozofik, si dukuri e perceptim në ndërlidhje të intelektit, kurse fiksimet e gjendjes reale në figuracionin artistik riprodhojnë shtratin ekzistencial, të të qenit brenda vetes, si dialektikë domethënëse në përvijim të përjetimit sa më objektivë.
” Kur shikova arkivolin ku pak më parë ishte e shtrirë ime nënë, ç`të shoh, kishte mbetur e zbrazët. As pikë gjaku nuk kishte në të, as skeleti nuk ishte. Në arkivolin tjetër, që pak më parë ishte i zbrazët, ishte nëna ime e tëra me mish e eshtra mu në trajtën e parë, ashtu siç e kisha parë herën e parë të bukur, me një nënqeshje mistike që rridhte prej buzëve të saj të holla, sikur dilte një hare që unë kurrë nuk e kisha parë më parë. Kjo më habiti, sa nëpër njëfarë mjegullire mu bë se sharroja prapë nëpër një bardhësi të çuditshme dhe sa s`mund ta merrja me mend derisa sytë m`u lëbyrën dhe nuk pashë asgjë më”
Në këto dialogime bota e shkrimtarit gjurmon në thellësi të padukshmen në rrëfimet e tija, ato vijnë si dukuri e kontradiktave brenda jetës, vdekjes dhe ruajtjes së gjakut nëpër shtrirjet kohore të pavdekësisë. Pra, kemi alkiminë e zbërthimit në kërkim të lashtësisë burimore në memoaret e Elvan Jusufit.
Në romanin e parë “Vegullia”, të botuar në vitin 1979, Beqir Musliu, identifikon në dukje e përjetim, mëkatin si pjesë e pandashme për të gjitha shtresat e shoqëritë njerëzore, këtë dhembje autori e kornizon si përjetim universal. Testamenti i Mevlan Jusufit, bartë në vete dramën e kurtheve nëpër luftërat e imponuara, të cilat karakterizojnë në produktin e padëshiruar, ato vijnë si kujtime e ngjarje të ruajtura në tragjiken e njeriut të tij. Romani “Vegullia”, është roman që dikton nga vjen mëkati dhe krijon hapësirë meditimi të vetëdijesimit për mëkatin. Me këtë vepër , Beqir Musliu, ka sjellë modelin e avancimit të prozës shqiptare.
Proza e Beqir Musliut, në vete bart stilin origjinal të tij, ky stil brenda trajtimeve ka poetikën dalluese , e cila në një mënyrë a tjetër, vjen me metodologji më të avancuar. Ndryshimet e formësuara vijnë në shfaqje të dukurive e përjetimeve të gjalla, ato vijnë në fuqinë e narracionit me tërë tematikën e zakonshme. Tradita autoktone në prozën e Beqir Musliut, ruan fundamentin e trashëguar, në shtjellimin e ngjarjeve, të cilat nuk kanë pasur mundësi të shprehjes së lirë. Në këto relacione proza e tij merr kuptimin e lirë të shprehjes, duke skicuar pjesë të motivuara nga imagjinata e autorit.
Realisht në këtë frymë, më të avancuar të shprehjes së gdhendur, e me qartësinë estetike, fryma e postmodernes ofron teorinë bashkëkohore në depërtime: linguistike, psikanalitike hermeneutike,filozofike, historiaografike, të cilat bartin filozofi në diskursin e interpretimeve në perspektivë të prozës bashkëkohore. Këto teori në modernen dhe postmodernen, dallojnë në specifikim të brendshëm në procesin e vështrimit kritik, si qasje në interpretim më të depërtueshëm. Fryma postmoderne kontekstin ekzistues e forcon me ndërlidhje të faktorizuar në mbështetje të rrethanës dalluese nëpër kohë, duke ushqyer botën e brendshme njerëzore në atë progresive si fuqi e mundshme në realizim të pranueshëm, arritshëm.
Në të gjitha këto forma e variante proza e Beqir Musliut, nuk e përbën absoluten e postmodernes, mirëpo, në krahasim me rrjedhat e letërsisë shqiptare të asaj periudhe, ajo i ka këto elemente të rëndësishme. Poetika e parashtruar në këtë modalitet ka lidhje të mira me teoritë letrare që përkojnë me këtë mënyrë të shkrimit, duke mos u bërë kopjuese apo parazite e teorive të kaluara. Në këto strategji të kontestuara nga një pjesë e elitës intelektuale, të cilët ishin bartës të procesve të kohës, nuk arritën të depërtonin në këto diskurse artistike, jo vetëm të Beqir Musliut, por edhe të ndonjërit nga shkrimtarët e Kosovës.
Konteksti i koncepteve brenda kornizave të trajtuara në poezinë dhe prozën e Beqir Musliut, i paraprin praktikës postmoderne, jo si angazhim i diktuar nga faktori politik, por nga kërkesat e njohjet shpirtërore të autorit, edhe si fakt i rebelimit artistik në papajtueshmëri më rrethanat politike të kohës.
Synimet për të ngritur nivelin e shkrimeve në trajtimin e ngjarjeve nëpër kohë e rrethana historike argumentojnë në fokusim se, proza e Beqir Musliut, krijon pikëtakimet, veçoritë e dialogimit në kontekstin e raportit ndërmjet letërsisë së traditës dhe asaj që shkruhej në vitet e gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta. Ndërkaq, konteksti tematik në prozën e tij është autokton, mirëpo, përkufizimet sugjerojnë dallimin e konstatimeve historike si rikthim në distancë dhe afëri të projektit artistik. Këto ndërtime në parashtrimet e rrëfimet të protagonistëve, flasin e ndërtojnë arkitekturën moderne me frymë postmoderniste, e cila interpreton produktet artistike në galerinë e quajtur mundësi e ngritjes së vetëdijes kombëtare, më afinitet e frymë të re në prozën shqiptare të kësaj periudhe.
Realisht, diskursi i shqyrtimit, rishqyrtimit në prozën e tij vjen me sfidimin e dilemave për bashkëkohanikët e tij. Beqir Musliu, me bagazhin, tërësinë e shkrimeve të tija, të botuara për gjallje dhe ato të lëna në dorëshkrim, ai ka dëshmuar identitetin e përfaqësimit më të avancuar në prozën shqiptare, si kreator e paraprijës i gjeneratës së tij krijuese.
Fuqia e metaforës gjithpërfshirëse forcon ndërdijen e lexuesit, e cila afirmon brendinë artistike të prozës së Beqir Musliut, në njohje më të thellë. Mesazhet konkretizojnë në rrëfimet e protagonistëve, si shfaqje e shpalim të dukurive të realitetit shoqëror, si dëshmi për të ruajtur fatin e përjetimet e njeriut nëpër diktatet e absurditetit kohor.
Vepra e tij sa herë që lexohet dhe rilexohet, i ofron lexuesit njohjet paraprijëse të universit postulat në veprën e tij letrare në të tri gjinitë, ajo funksionalizon klasiken artistike me brumosje estetike, duke i dhënë ngjyrimet e kënaqshme tërësisë në veprën e tij, si begatim e korrespondim në proceset e poetikës artistike shqiptare.
_____________
( E lexuar në Tryezën letrare të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit”,2021, me rastin e 25 vjetorit të shkuarjes në amshim të shkrimtarit Beqir Musliu, i cili ishte i pranishëm në aktin e themelimit të këtij Manifestimi po edhe kontribues i shquar i veprimtarive letrare e kulturore në Gjilan e Anamoravë.