Duke shfrytëzuar situatën pandemike dhe kohën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, disa shkolla në Gjilan janë shndërruar në bastione të LDK-së, veçmas në aspektin e pranimit të kuadrit të ri.
Nga: Fehmi Sylejmani
Jo vetëm që pranimi i kandidatëve në konkursin e fundit ishte politik-partiak dhe fare nuk ishte përfill meritokracia, por edhe pranimet dhe zëvendësimet që janë bërë dhe ende vazhdojnë të bëhen, janë puro partiake dhe të ngarkuar teje mase me anëtarë/simpatizantë të LDK, e veçanërisht të Forumit të Gruas së kësaj partie, e cila pa kurrfarë problemi punëson anëtaret e saj në shkollat e Gjilanit.
E gjithë kjo po bëhet pa kurrfarë përgjegjësie, me shkelje drastike të dispozitave ligjore dhe pa asnjë element etik dhe profesional.
Pavarësisht se trumbetohet me të madhe se mësimi ka filluar me kohë dhe në të gjitha shkollat dhe me një plan shumë të mirë, megjithatë në Gjilan mësimi ka filluar si duhet në shkollat 9-vjeçare, mirëpo jo edhe në shkollat e mesme, meqë edhe përkundër që ka pasur kohë një muaj pushim, nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje që të gjithë nxënësit të shkojnë në shkollë.
Sot, nxënësit e shkollave të mesme në Gjilan janë të hendikepuar dhe do të mbesin me gjysmën e ditëve të mësimit, pasi që një javë shkojnë në shkollë, një jave pushojnë.
Në Gjilan ka shkolla boshe dhe në çfarëdo forme ka mundur që mësimi edhe në shkollat e mesme të fillojë pa kurrfarë problemi për të gjithë nxënësit, mirëpo kur arsimin e udhëheq politika, atëherë nuk bëhet më fjalë për profesionalizëm, por për servilizëm.
Të gjithë ata që e kanë sjellë në këtë situatë këtë gjendje arsimore duhet japin përgjegjësi morale, profesionale dhe ligjore.
Kjo qeveri aktuale, dështimin më të madh e ka në sektorin e arsimit, të cilin asnjëherë nuk ka mundur ta orientojë dhe projektojë në nivelin e duhur, përkundrazi këtë sektor e ka parë dhe shfrytëzuar si fabrikë punësimi për nevoja partiake.
Nuk zhvillohet dhe përparohet një vend me punësime partiake e sidomos në fushën e arsimit, meqë e ardhmja e atij vendi është pikërisht baza e fortë në arsim dhe edukim.
Nuk është e rastësishme se sot arsimin i Kosovës në botë është i ranguar ne tri vendet e fundit sipas testit të PISA-së, sepse qëllimi i qeverive aktuale nuk është ngritje e cilësisë, por rehatimi i militantëve dhe familjarëve të tyre.
Fehmi Sylejmani, anëtar i Komiteit të Arsimit në Gjilan nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.