Zhvillime në fushen e medieve- Kosovë
Disa nga çështjet problematike të Projektligjit të KPM-së lidhur me Shërbimet Mediale Audiovizuale
Nga Zejnullah Jakupi, Berlin
Në analizën e më poshtme kam bërë disa shqyrtime lidhur me Projektligjin e propozuar nga Qeveria e Republikes së Kosovës, që do zëvendësojë ligjin e KPM-së Nr. 04/L-44.
Projektligji është i përkthyer pjesërisht dhe nuk mund të kuptohet pa i lexuar interpretimet tjera nga ekspertë ndërkombëtarë. Ky projektligj në fakt është shumë i qëlluar dhe e avancon legjislacionin e Kosovës drejt BE-së.
Në opinionin publik në Kosovë, veçmas në debate televizive (Debat Plus, Pressing T7) njëri nga anlistët deklaronte se nuk e kishte lexuar projektligjin ndërsa diskutonte për të. Projektligji është i përkthyer pjesërisht nga direktiva e BE-së dhe nuk mund të kuptohet lehtë pa e ditur kontekstin e tij në tërësi.
Për këtë konsultova komentin analizues të Institut të BE-së për të Drejtën e Medias (Institute of Europian Media Law) dhe natyrisht dokumentin e miratur nga BE, direktivën dhe lexova komentet tjera pasuese.
Unë do i referohem këtu vetëm pikave të cilat kanë të bëjnë me shërbimet audivizuele duke përfshirë natyrisht deklaratat e AGK-së në Kosovë. Gjithsesi qeveria ose Komisioni për Media në Kuvendin e Kosovës duhet të jap komentet plotësuese dhe të jep mundësi që për projektligjin të ketë debat publik edhe nga ekspertë dhe shoqëria civile, në kuptimin që t´i dëgjojë propozimet e tyre.
Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave
Ky projektligj është aprovuar në mbledhjen e 180-të, të Qeverisë së Kosovës, me Vendimin Nr. 03/180, datë 27.12.2023 dhe, siç thekësohet „ka për qëllim përcaktimin e kompetencave të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) me qëllim të promovimit të zhvillimit të një tregu të shërbimeve mediale audiovizuale, që u shërben të gjithë qytetarëve“.
Po aty thekësohet se ky ligj është në përputhshmëri të plotë me Direktivën (EU) 2010/13/EU për Shërbimet Mediale Audio-Vizuale dhe Direktivën (EU) 2018/1808.
Në projektligj thekësohet se dispozitat e këtij ligji janë të obligueshme për KPM-në dhe të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime audiovizuale në Republikën e Kosovës, të licencuara nga KPM. Kjo ka shkaktuar kundërshtim tek Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe njohës të fushës.
Sipas AGK-së projektligji ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video (tutje: mediat online) nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror. Qeveria, sipas AGK-së arsyetohet në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë europian.
Por sipas tyre ky projekligj është „në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)“ dhe e quan këtë një nënshtrim të medieve online përmes licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja.
„Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; dhe se do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja; e cila do kërkojë mediave online të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%; dhe ndëshkime drejtuar medieve”, thuhet në qëndrimin e AGK-së.
AGK thekëson tutje se qeveria e Kosovës dëshiron t´i kontrollojë mediat online nëpërmjet licensimit e ky sipas tyre është sulmi i radhës ndaj të drejtës së lirisë së medias dhe pluralizmit, duke e quajtur projektligjin „si vazhdimësi e qasjes armiqësore të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe tentativës së saj të vazhdueshme për t’i disiplinuar ato”.
AGK thekëson tutje se direktiva e rishikuar e Shërbimeve të Medias Audiovizuale (AVMS) me të cilën pritet të përafrohet legjislacioni për media në Kosovë, parasheh rregullimin e platformave për shpërndarjen e videove nga rregullatorët e mediave. Mirëpo, sipas saj „për qëllime të kësaj iniciative ligjore direktiva është interpretuar gabimisht, pa e marrë fare parasysh kontekstin lokal dhe duke injoruar trupin vetërregullativ ekzistues në Kosovë”.
Me këtë rast AGK propozon që qeveria ta tërheq mbrapa projektligjin ose të konsultohet me AGK-në, Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe me këtë rast të përfillet sistemi i vetërregullimit sikur në rastin e Finlandës, duke e bazuar këtë argument edhe në deklaratën që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), ku thuhet se kjo „kërkon në mënyrë të qartë që regjistrimi i mediave online asesi të mos jetë procedurë e detyrueshme“.
Përkundër këtyre kritikave nga AGK e cila e akuzon qeverinë gjithashtu për mostransparencë gjatë kësaj iniciative legjislative e cila është miratuar sipas tyre pa përfshirjen e gazetarëve, mediave, aktivistëve dhe organizatave tjera të shoqërisë civile, projektligji i KPM-së vjen në një kohë të duhur pasi kjo domene ka qenë e pa rregulluar deri tani kur dihet se shpesh në masë të shtuar janë shkelur standardet etike të transmetimit në komunikimet elektronike dhe ato në rrjetet sociale nga ofertues të shërbimit medial audovizuel.
Megjithatë në propjektligj haset një mungesë e përkufizimeve adekuate, se çfarë nënkuptojmë me ofertuesit e shërbimeve audiovizuale dhe ofertuesit e tyre ose kur përdoren nocione si shprehja „Komunikim Elektronik“.
Me asnjë fjalë nuk përmenden rrjetet sociale, por vetëm thuhet se Shërbimi medial audiovizuel është transmetim televiziv sipas nën-paragrafit 1.12 të këtij neni apo shërbim medial audiovizuel sipas kërkesës, siç përkufizohet në paragrafin 1.2.
Kurse në pikën 1.1.3 thekësohet se shërbimet mediale audiovizuele online- qëllimin kryesor e kanë ofrimin e programeve me qëllim të informimit, argëtimit dhe edukimit. Qëllimi kryesor përmbushet edhe kur ofruesi i shërbimit ofron përmbajtje audiovizuele e cila është e ndarë nga aktiviteti kryesor i ofruesit të shërbimit, siç janë pjesë të pavarura të gazetave elektronike që paraqesin programe audiovizuele ose video të krijuara nga përdoruesit, të cilat mund të konsiderohen të ndara nga aktiviteti i tyre kryesor.
Në projektligj sipas pikës 1.34 operatori i shpërndarjes- është një person juridik i cili shpërndan shërbime mediale audio dhe audiovizuele për përdoruesit përmes rrjetit kabllor, IPTV, OTT, satelitor dhe çfarëdo forme tjetër të shpërndarjes jashtë brezit frekuencor radio difuziv tokësor. Ndërsa në pikën 1.35 „Operatori i Multipleksit“ definohet si „personi juridik që ofron infrastrukturën teknike për shpërndarjen tokësore të programeve digjitale.“
Neni 4 i projektligjit i definon kompetencat e KPM-së. Në pikën 1. potencohet se KPM është„organ i pavarur, përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit, i cili sipas pikës 2. të këtij neni pika 2.1 rregullon të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik që ofrojnë shërbime mediale audio, audiovizuele përfshirë ato të ofruara online, shërbimet e platformës për shkëmbimin e videove, operatorët e shpërndarjes si dhe operatorët e tjerë të cilët pavarësisht teknologjisë së përdorur shpërndajnë ofrues të shërbimeve mediale audiovizuale.“ Gjithashtu KPM (shih pikën 2.2.) lëshon leje për ofruesit e shërbimeve audio, audiovizuele, platformat për shpërndarjen e videove, operatorët e shpërndarjes, operatorët e rrjetit dhe operatorët e multipleksit.“
Ndërsa në pikën 2.5. KPM kërkon nga shpërndarësit e platformave audiovizuale deklarimin e burimeve të financimit dhe përfituesit fundorë të subjektit që ka aplikuar për leje apo për regjistrim. Ndërsa në 2.6. verifikon saktësinë e të dhënave të dorëzuara nga aplikuesi në formë zyrtare me institucionet përkatëse. Si dhe (pika 2.7) obligon që shpërndarësi mban dhe përditëson regjistrin e shërbimeve mediale audiovizuale online sipas nën-paragrafit 1.1.3 të nenit 3 të këtij ligji.
Me lehtësi mund të vrehet se projektligji i kushton rëndësi në 80 përqind KPM-së dhe diku 10 përqind shërbimeve audiovizuale që duken mjaft të koklavitura dhe pa një strukturë konsistente.
Në nenin 32 pika 1. për shembull nënvizohet se leja për operator të shpërndarjes së ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale lëshohet në bazë të kërkesës së palës dhe konform procedurave të përcaktuara nga KPM, por nuk definohet qartë se kush janë „operator të shpërndarjes pavarësisht teknologjisë së përdorur për shpërndarje, së ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale“.
Ndërsa në nenin 33 përcaktohet se edhe leja për platformat e shpërndarjes së videove jepet nga KPM. Nuk definiohet as në këtë rast se çfarë nënkuptohet me „platformën e shpërndarjes“.
Përveq kësaj përzierja e direktivës për shërbimet audiovisuele me ligjin e KPM-së nuk duket shumë produktive. Shumë më mirë do të ishte të projektohet si projekligj i posaqëm, si ligj ku do të përfshiheshin parimet themelore për veprimtarin e ofruesve të shërbimeve mediale, shpërndarjes, licencimit, kontrollit të shërbimeve të tilla audiovizuale.
Qëllimi i sanksionimit të këtyre parimeve për veprimtarinë e ofruesve të shërbimeve mediale (pika 2) obligon ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuale të respektojnë të drejtën për informacion, bindjet politike dhe besimet fetare, personalitetin, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut. Kjo veprimtari respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.
Ofruesit të shërbimeve mediale nuk u lejohet të cenojnë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin kombëtar (pika 3). Ata obligohen të sigurojnë informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit (pika 4). Gjithashtu kërkohet respektim i të drejtës së çdo qytetari për të pranuar shërbime të transmetimeve audio dhe ose audiovizuele me kushte jo- diskriminuese (pika 5).
Projektligji sanksionon ofertuesit, e njëjta etikë u kërkohet edhe redaksive gazetareske, të respektojnë etikën profesionale, lirinë e shprehjes dhe të drejtës së informimit (pika 6.1), të ruajnë sekretin e burimeve të informacionit (6.2), të respektojnë dhe të garantojnë të drejtën për jetë private dhe familjare (pika 6.1); të ndalojnë nxitjen e intolerancës ndërmjet shtetasve (6.4) ndalimin e nxitjes së intolerancës ndërmjet shtetasve; ndalimin e nxitjes apo justifikimin e dhunës; (6.5) resektimin e të drejtës së përgjigjes (6.6) respektimin e të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të; (6.7)
Neni 43 spefikon në pikat nga 1 deri në 3 se si duhet të ofrohen komunikimet komerciale audiovizuele të ofruara nga ofruesit e shërbimeve mediale. KPM ndalon me këtë nen dhe nene tjera pasues komunikimet e fshehta komerciale audiovizuale; (pika 1.2) ndalon gjithashtu përdorimin e teknikave sublimale në komunikimet audio dhe audiovizuele komerciale, masë kjo e cila shkilet shumë herë nga televizionet dhe shërbimet tjera audiovizuale.
Ajo çfarë vlen për etikën profesionale në përgjithësi është pika (1.3.1) e cila ndalon cenimin respektit për dinjitetin njerëzor; (1.3.2) ndërsa pika 1.3.2 ndalon përfshirjen apo promovimin e diskriminit në baza seksuale, racore ose etnike, kombësisë, religjionit apo besimit, moshës apo orientimit seksual; ose të inkurajojnë sjellje paragjykuese ndaj shëndetit apo sigurisë (pika 1.3.3); ose të inkurajojnë sjellje të dëmshme ndaj mbrojtjes së mjedisit (1.3.4);
Me pikën 1.4 ndalohen të gjitha format e komunikimeve audio dhe audiovizuale komerciale për duhanin dhe produktet e tjera të duhanit, cigaret elektronike dhe kontejnerët rimbushës. Ndërsa në pikën 1.5 ndalohet shënjestrimi i të miturve dhe inkurajimi i tyre në konsumin e pijeve alkoolike gjatë komunikimeve komerciale audio dhe audiovizuale për pijet alkoolike.
Gjithashtu me pikën 1.6 ndalohen komunikimet komerciale audio dhe audiovizuale për produktet mjekësore dhe trajtimin mjekësor që është në dispozicion vetëm me përshkrim në recetë. Një përgjigje projektligji jep edhe sa i perketë ndalimit të komunikimeve komerciale audio dhe audiovizuele që mund të shkaktojnë dëme fizike, mendore apo morale tek të rinjtë. (1.7) ku ndalohet nxitja e drejtpërdrejtë e të rinjtëve që të blejnë apo përdorin produkte apo shërbime duke shfrytëzuar mungesën e përvojës së tyre dhe besimin.
Gjithashtu ndalohet inkurajimi i tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë që të bindin prindërit apo të tjerët që të blejnë mallrat apo shërbimet që reklamohen, apo shfrytëzimi i besimit që të miturit kanë tek prindërit, mësimdhënësit apo personat e tjerë, apo në mënyrë të paarsyeshme vendosja e të miturve në situata të rrezikshme.
Projektligji definon gjithashtu reklamimin në televizion, sponzoringun, teleshopingun. Neni 44, kur bëhet fjalë për reklamimin në televizion dhe teleshopingun me pikën 7 ndalon reklamimin dhe teleshopingu për alkool dhe pije alkoolike po ashtu me pikën 7.1. ndalohet që reklamimi të orientohet specifikisht ndaj të miturve, apo veçanërisht të shfaqë të rinjtë duke konsumuar këto pije;
Projektligji e ndalon reklamimin nëse ai ndërlidhë konsumin e alkoolit me performancë më të mirë fizike apo në vozitje (paragrafi 7.2); ose të krijojë përshtypjen që konsumi i alkoolit kontribuon në mënyrë të suksesshme në shoqëri apo jetë seksuale (7.3); ose të pretendojë që alkooli ka cilësi terapeutike apo që është stimulant, qetësues apo mënyrë e zgjidhjes së konflikteve personale (7.4); ose të inkurajojë konsumimin e pakujdesshëm të alkoolit apo të paraqesë negativisht abstenimin ose përmbajtjen nga konsumimi (7.5); ose të paraqes nivelin e lartë të alkoolit si cilësi pozitive e pijeve (7.6), siç na kujtohet relama e famshme e Red Bull-it – pijes energjike me mesazhin „të bën me krahë“.
Rregulla strikte janë sanksionuar edhe lidhur me vendosjen e produkteve, kohëzgjatjen dhe kohën. Tek neni 46 Vendosja e produktit ndalon ikurajimin e drejtpërdrejtë në blerjen ose marrjen me qira të mallrave ose të shërbimeve ( 2.2) nëse ju bëhet referencë e veçantë promovuese këtyre mallrave ose shërbimeve“. Gjithashtu ndalohet nëse reklamimi i jep rëndësi të tepërt produktit në fjalë (2.3), normë që është shkelur deri tani në mënyrë permanente.
I rëndësishëm është të ceket edhe Neni 47 kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe e të miturve. Në pikën 1. thuhet se KPM „ndërmerr masat e duhura për të siguruar që shërbimet mediale audio dhe audiovizuale të ofruara nga ofruesit e shërbimeve mediale nën juridiksionin e tyre nuk përfshijnë asnjë program i cili mund të dëmtojë në mënyrë serioze zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve, në veçanti programet më përmbajtje pornografike ose dhunë ekstreme. Neni sanksionon përmbajtjet që „mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve me përjashtim të rasteve kur është siguruar, përmes përzgjedhjes së kohës nga transmetuesi ose nga ndonjë masë teknike, që të miturit nuk do t’a shohin ose dëgjojnë transmetimin e tillë“.
KMP si rregulluese ligjore dhe licencuese e medieve audiovizuale do të duhej të kishte ligj për shumë fusha; një për reklamën, të drejtat e Autorit, dedikuar shtypit, internetit dhe veprave shkencore dhe mbrotjes së të miturve dhe të konkurrencës.
Natyrisht shumë nga këto nene dhe paragrafe, me disa përjashtime kanë egzistuar në standardet profesionale sidomos ato kur flitet, siç thekësuam, për të mbrojtur të miturit nga përmbajtja e dëmshme ose për t´mbrojtur qytetarët nga nxitja e urrejtjes fetare e cila është shumë prezente në media dhe rrjete sociale, pa harruar norma strikte për t’u mbrojtur nga dhuna dhe terrorizmi.
Futja e rrjeteve sociale në fushëveprimin e Direktivës
Mangësitë që shihen qartë tek ky draft janë mosdefinimi i saktë se çfarë janë shërbimet videovizuele dhe si qëndron lidhshmëria tyre me rrjetet sociale, matja e shikuesmërisë së tyre dhe ndikimit tek përdoruesit.
Një qartësi në këtë drejtim ofron dokumenti i BE-së „Udhëzime për zbatimin praktik të kriterit të funksionit thelbësor në përcaktimin e “shërbimit të platformës së shpërndarjes së videove” të Direktivës për Shërbimet Mediatike Audiovizive të datës 7.7.2020 (2020/C 223/02) e quajtur në gjuhën gjermane me emërtimin: „Video-Sharing-Plattform-Dienste“ e në shqip mund të përkthehet (Shërbimet e platformës së shpërndarjes së videove).
Projektligji i KPM-së në dallim nga Direktiva e BE-së lë shumë pyetje të hapura ose nuk janë definuar sa duhet. Për shembull pyetja se a mund të jenë gazetat online ofrues të shërbimeve videovizuele që inkuadrojnë video në ubfaqen e tyre. Ose pyetja tjetër; A mund të jetë një individ privat i cili poston video në YouTube apo rrjete sociale, FB, etj ofertues, shpërndarës i shërbimeve audiovizuale?
Direktiva e BE-së jep disa shpjegime se a janë të përfshira rrjetet sociale, se si mund të mbatet efekti i një shtrirje të gjerë mediale të këtyre përmbajtjeve audiovizuale
Sa i perketë majtes së ndikimit të përmbajtjeve në platforma audiovizuele dhe ndikimit të tyre tek përdoruesit, Instituti i BE-së për të Drejtën e Medias ka dhënë disa rekomandime.
Në pikën 4 direktiva e thekëson se shërbimet e platformës së shkëmbimit të videove ofrojnë përmbajtje audiovizuale që po aksesohet gjithnjë e më shumë nga publiku i gjerë dhe veçanërisht nga të rinjtë. Kjo vlen edhe për rrjetet sociale, të cilat janë bërë një medium i rëndësishëm për shkëmbimin e informacionit, argëtimit dhe edukimit, duke përfshirë sigurimin e aksesit në transmetime dhe video të krijuara nga përdoruesit. Sipas kësaj direktive edhe rrjetet sociale duhet të futen brenda fushëveprimit të Direktivës 2010/13/BE pasi ato konkurrojnë për të njëjtin audiencë dhe të ardhura si shërbimet e mediave audiovizive, fakt ky që projektligji i KPM-së i propozuar nga qeveria nuk e përmend me asnjë falë të vetme.
Sipas këtij argumentimi direktiva nënvizon se rrjetet sociale që shpërndajnë video gjithashtu ushtrojnë ndikim të rëndësishëm duke ndihmuar për të siguruar që përdoruesit të kenë aftësinë për të formuar dhe influencuar opinionet e përdoruesve të tjerë.
„Për të mbrojtur të miturit nga përmbajtja e dëmshme dhe të gjithë qytetarët nga nxitja e urrejtjes, dhunës dhe terrorizmit, këto shërbime duhet të mbulohen nga Direktiva 2010/13/BE në masën që plotësojnë përkufizimin e një shërbimi të platformës së ndarjes së videove.“, thuhet në komentimin e institutit në fjalë.
Kontrolli natyrisht është imediat siç e parasheh edhe projektligji i KPM-së, siç thekësuam për të mbrojtur të miturit nga përmbajtja e dëmshme dhe të gjithë qytetarët nga nxitja e urrejtjes, për t’u mbrojtur nga dhuna dhe terrorizmi.
Projektligji i KPM-së nuk e thotë qartë nëse shërbimet e mediave sociale (rrjeteve sociale) duhet ose futen brenda fushës së veprimit të rregulloreve të reja për platformat e shpërndarjes së videove ose nëse ato plotësojnë kriteret e parapara në projektligj.
Pika 5 e Direktivës (BE) 2018/1808 sqaron: “Direktiva 2010/13/BE nuk synon rregullimin e rrjeteve sociale në vetvete, por duhet të shtrihet në këto shërbime nëse një funksion thelbësor i rrjetit social është ofrimi i transmetimeve dhe videove të krijuara nga përdoruesit. Sigurimi i transmetimeve dhe videove të krijuara nga përdoruesit mund të shihet si një funksion thelbësor i rrjetit social nëse përmbajtja audiovizive nuk është thjesht pjesë e aktivitetit të rrjetit social ose nuk ka rëndësi të vogël ose nuk përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të aktiviteteve të rrjetit social.
Rrjetet sociale, rekomandon BE, duhet të përfshihen në objektin e direktivës nëse i shërbejnë të njëjtës audiencë dhe konkurrojnë për të njëjtat të ardhura si shërbimet e mediave audiovizive.
Mbase edhe rrjetet sociale “ janë bërë një medium i rëndësishëm për ndarjen të informacionit, argëtimit dhe edukimit, duke përfshirë sigurimin e aksesit në transmetime dhe video të krijuara nga përdoruesit” dhe po „ushtrojë një ndikim të rëndësishëm duke ndihmuar për të siguruar që përdoruesit të kenë mundësinë për të formuar dhe ndikuar në opinionet e përdoruesve të tjerë”.
Kriteret matëse të ndikimit
Bazuar në përkufizimin e tyre në nenin 1.1 të AVMSD, shërbimet e platformës së shpandarjes së videos mund të përcaktohen bazuar në tre kriteret e mëposhtme:
Nën 1.) në shërbime ku qëllimi kryesor i të cilave është transmetimi i transmetimeve ose i videove të krijuara nga përdoruesit ose të dyja për publikun e gjerë për të ofruar publicitet;
Nën 2.) Shërbimet në kuptimin më të gjerë ku, ndër të tjera, qëllimi kryesor i një pjese të ndashme të ofertës është: të sigurojë transmetime ose video të krijuara nga përdoruesit, ose të dyja, për publikun e gjerë;
Nën 3.) Shërbime ku funksion thelbësor janë transmetimet ose videot e krijuara nga përdoruesit ose të dyja të disponueshme për publikun e gjerë.
Gjithashtu i rëndësishëm në këtë kontekst është pika 6 e Direktivës e cila përjashton “aktivitetet joekonomike, të tilla si ofrimi i përmbajtjes audiovizive në faqet e internetit private, dhe grupet e interesit joekonomik” pra, përjashtohet nga objekti i përkufizimit të platformës së shpërndarjes videovizuale.
Pika 5 e Direktivës (BE) 2018/1808 sqaron se ofrimi i vetëm përmbajtjes audiovizive përfaqëson një funksion thelbësor të shërbimit nëse kjo përmbajtje audiovizive nuk është thjesht e një rëndësie dytësore, nëse rëndësia” nuk përbën “vetëm një pjesë të vogël” të aktiviteteve të shërbimit në fjalë.
Përmbajtja audiovizuale duhet të konsiderohet si ndihmëse e aktiviteteve të shërbimit nëse është në themel të saj. Nëse aktiviteti ose funksioni themelor i platformës në fjalë është vetëm rastësor. Ky mund të jetë rasti me videot, për shembull në rast kur ngarkohen vetëm për të mbështetur transaksionet ekonomike, p.sh. me video që paraqesin mallra ose shërbime të caktuara me synimin për shitje të mundshme ose aktuale (p.sh në një platformë tregtare elektronike me video të përdoruesve tregohen produktet gjatë përdorimit). Ose nëse shërbimi i platformës jep një kontribut të rëndësishëm në atraktivitetin, funksionin ose suksesin e tregut të vetë shërbimit.
Kjo mund të rrjedh nga një sërë elementesh, si p.sh. nëse përdoruesit konsumojnë sasi të konsiderueshme videosh ose transmetimesh ose platforma investon në përmbajtje audiovizive ose nxjerr në pah përmbajtjen audiovizive.
Gjatë vlerësimit të një shërbimi të caktuar, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet nëse përmbajtja audiovizuale është e përshtatshme të jetë vendimtare për suksesin tregtar apo pozicionimin e shërbimit në treg. Ndikimi efektiv i videove mund të mbatet nëse janë të disponueshme në platformë. Përmbajtja duhet të jetë e një rëndësie kaq tregtare sa që shërbimi nuk mund të funksionojë pa të.
Përveç kësaj, shërbimet që fokusohen në përmbajtjen audiovizuele priren të konsiderohen si komponentë jo të vegjël ose mbështesin aktivitetin e tyre ekonomik, për të lejuar që një përmbajtje e tillë të ketë një ndikim më të madh te përdoruesit e tyre.
Prandaj, Komisioni beson se shtetet anëtare (të BE-së) dhe autoritetet e tyre rregullatore kombëtare duhet t´i kushtojnë vëmendje të veçantë këndvështrimit të përdoruesit dhe në veçanti, të rrespektojnë masën në të cilën përmbajtja audiovizuale ndikon te përdoruesit kur aksesojnë shërbimet përkatëse.
Në përputhje me qasjen e mësipërme, Komisioni i BE-së ka identifikuar disa tregues përkatës për t’u përdorur nga secili vend. KI kërkon që autoritetet duhet të marrin parasysh kur zbatohet kriteri thelbësor i funksionit në përcaktimin e shërbimit të platformës së shpërndarjes së videos.
Për paraqitje më të qartë, këta tregues mund të ndahen në katër kategori me sa vijon në:
1) marrëdhëniet ndërmjet përmbajtjes audiovizive dhe asaj kryesore(ve). aktiviteti(et) ekonomik i shërbimit, 2) rëndësia sasiore dhe cilësore e atyre të disponueshme në shërbim përmbajtja audiovizive, 3) monetizimi i përmbajtjes audiovizive ose krijimi i të ardhurave nga përmbajtja e saj, 4) disponueshmëria e mjeteve për të rritur dukshmërinë ose atraktivitetin e përmbajtjes audiovizive.
Në këtë kontekst, autoritetet kombëtare mund të kontrollojnë nëse përdoruesit i ngarkojnë videot si artikuj të pavarur, i shpërndajnë ose i shkarkojnë si të tillë dhe jo për të promovuar shitjen e ndonjë malli ose shërbimi. Në raste të tilla, videot gjithashtu kanë më shumë gjasa të kenë një ndikim të madh te përdoruesit, kështu që komponenti audiovizual nuk konsiderohet më pjesë e varur apo e vogël e aktiviteteve të platformës.
Sasia dhe rëndësia e përmbajtjes audiovizive mund të matet edhe duke përdorur tregues si sasiorë ashtu edhe cilësorë. Direktiva udhëzon që autoritetet rregullatore kombëtare se duhet të përdorin treguesit e mëposhtëm, për shembull; sasinë e përmbajtjes audiovizuale të disponueshme në platformë.
Vlerësimi në mënyrë sasiore bëhet duke përcaktuar numrin ose përqindjen e videove të disponueshme në platformë në krahasim me llojet e tjera të përmbajtjes. Përdorimi i përmbajtjes audiovizive në platformë sugjeron që përmbajtja audiovizuale është e një rëndësie të veçantë p.sh. sa shpesh janë klikuar videot dhe sa janë të pëlqyera?
Pra duhen të bëhen krahasime midis përdorimit të përmbajtjes audiovizive dhe llojeve të tjera të përmbajtjes në platformë.
Gjithashtu faktor matës është edhe shtrirja e përmbajtjes audiovizive. Videot e njohura, edhe në numër të vogël, mund të arrijnë një numër të madh shikuesish përdoruesish, kjo mund të matet veçanërisht përmes ndarjes dhe rekomandimeve. Prania e përmbajtjes së në video.
Duhet gjithashtu të matet nëse përdoruesit kanë një ndikim, edhe nëse sasia relative e përmbajtjes së tillë në platformë është e kufizuar. Prandaj, vlerësimi duhet të marrë parasysh se sa i lartë është rreziku që përmbajtja audiovizive prek të miturit dhe ka ndikim tek ta.
Faktor tjetër është, siç thamë; është monetizimi i përmbajtjes audiovizive ose gjenerimi i të ardhurave nga kjo përmbajtje i cili zakonisht tregon se një përmbajtje e tillë nuk është thjesht e një rëndësie dytësore ose vetëm një pjesë e vogël të aktiviteteve të tyre.
Se këto përmbajtje janë të rëndësishme dëshmohet edhe kur kushtëzohet qasja me pagesë në përmbajtjen audiovizive. Evidentuese është edhe kontrata sponzorizimi dhe kyqja e opinion lieder të cilët tërheqin përdoruesit/shikuesit, ose kur është e thekësuar disponueshmëria e mjeteve për të rritur dukshmërinë ose atraktivitetin e përmbajtjes audiovizive.
Gjithashtu direktiva dallon edhe veçori ose veprime të veçanta që nxisin konsumimin e përmbajtjes audiovizive. Njëra ndër ta është kur uebfaqja asocon për përdoruesit veçori të veçanta që inkurajojnë konsumimin e përmbajtjes audiovizuale, kur thekson se sa e rëndësishme është një përmbajtje e tillë si për përdoruesit ashtu edhe për aktivitetet e platformës.
Për shembull, një element i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është nëse platforma ka video në faqen e saj kryesore ose në faqen në tjera më pak të dukshme në shikim të parë, ku për ta kërkuar dhe gjetur atë duhet një afat kohor, të iniciuar në mënyrë specifike nga përdoruesi.
E në fund fare: Projektligji i KPM-së nuk e bën përkufizimin e llojeve të platformave. Por cilat janë platformat online dhe çfarë llojesh kemi? Shkurtimisht mund të thuhet se një platformë online është një lloj shërbimi interneti që lejon përdoruesit të ndajnë, komunikojnë ose konsumojnë përmbajtje dhe shërbime përmes internetit, qofsh kjo një platform blogu, forumi, platforma për video online etj.
Platformat online janë të disponueshme në industri dhe fusha të ndryshme dhe mund të kenë funksione dhe qëllime të ndryshme. Disa platforma online shërbejnë si tregje ku përdoruesit mund të blejnë dhe shesin mallra ose shërbime, ndërsa platformat e tjera shërbejnë si rrjete sociale dhe i lejojnë përdoruesit të komunikojnë dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
Ekzistojnë gjithashtu platforma online për publikimin dhe ndarjen e përmbajtjes, të tilla si blogje, forume dhe platforma video. Tregjet online e njohura në internet përfshijnë; Amazon, Otto, Real ose Vinted.Disa platforma më njohura në internet të blogjeve përfshijnë; WordPress, Blogger dhe Tumblr.
Gjithashtu kemi edhe platforma online për video dhe përmbajtje audiovizuale. Kjo është një platformë video (audiovizuale) në internet e cila është një shërbim interneti që lejon përdoruesit të shikojnë dhe të ndajnë video. Platformat video online u ofrojnë përdoruesve mundësinë për të ngarkuar video në platformë dhe për t’i ndarë ato me përdorues të tjerë duke ofruar lidhje me videot ose kodin e integruar që mund të futet në faqet e tjera të internetit. Platformat e videove në internet zakonisht ofrojnë gjithashtu mjete dhe veçori për ta bërë më të lehtë kërkimin dhe zbulimin e videove, të tilla si filtrat e kërkimit dhe rekomandimet e bazuara në sjelljen e përdoruesit. Disa platforma të njohura video në internet përfshijnë; YouTube, Vimeo dhe Dailymotion.
Ka edhe shembuj tjerë kur një platformë tregtare elektronike lejon ofruesit të prodhojnë video thjesht për të ilustruar produktet, kjo do të tregonte se platforma nuk duhet të shihet si një platformë për shpërndarjen e videove.
*Autori është magjistër i shkencave të komunikimit si dhe ka qenë kandidat në studimet PhD. në UBW Mynih.