/2L ONLINE/ – Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë mbrojtur temën e diplomës pesë studentët, Xhemile Hajdari, Arlinda Qazimi, Egzon Osmani, Leotrina Shkodra dhe Labinota Maloku, duke u bërë kështu të parët që përfundojnë me sukses studimet e nivelit Bachelor në Fakultetin Ekonomik, respektivisht në programin Banka Financa dhe Kontabilitet.
Në ceremoninë simbolike me rastin e diplomimit të studentëve të parë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka”, Rektori Bajram Kosum tha se ky akt është një sukses i merituar dhe një ditë e veçantë për studentët, të cilët pas 3 vitesh studimi dhe përgatitje profesionale, kurorëzuan ëndrrën e tyre.
Rektori Kosumi ka thënë se misioni i Universitetit “Kadri Zeka” është përgatitja e studentëve deri te ky moment, andaj, diplomimi është një nga ngjarjet më të shënuara që mbetet thellë në kujtesë, jo vetëm të të diplomuarve, por edhe të familjarëve të tyre dhe sigurisht edhe të menaxhmentit, stafit akademik e administrativ të Universitetit
Rektori i Universiteti “Kadri Zeka” ka uruar të gjithë studentët të cilët diplomuan sot dhe njëherësh u ka dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tyre profesionale!
Ndërkaq kjo ceremoni është një sukses i merituar dhe një ditë e veçantë për studentët dhe për Universitetin “Kadri Zeka”, ku pas 3 vite themelimi kurorëzohen punët dhe të arriturat, duke u bërë kështu shtytës të punës së mëtutjeshme në të ardhmen./2L ONLINE/