Qendra e qytetit të Gjilanit ka marr pamje tjetër me zgjerim dhe shtrim të asfaltit që është inauguruar të dielën. Por, në Komunën e Gjilanit ka të tjerë, që nuk e kanë dertin e asfaltit, pasi që me vite ballafaqohet me problematikën e mungesës së kanalizimit ssi nevojë elementare dhe zgjidhja e tyre e momentit janë gropat septike, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Një rrugë e tillë që ka mungesë të rrjetit të kanalizimit, brengë kjo që i shqetëson me vite qytetarët që jetojnë aty, është edhe rruga “Ahmet Prishtina”, që gjendet në Qarkore të Gjilanit. Për më tepër, banorët e kësaj rruge iu kanë adresuar me shkresë Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë përkatëse, asaj të Shërbimeve Publike, për rregullimin e kanalizimit, madje kanë nënshkruar edhe peticion, por derti i tyre, siç thonë ata, po del të jetë adresuar në “vesh të shurdhër”.
Shefki Latifi, përfaqësues i banorëve të kësaj pjese të Gjilanit ku mungon kanalizimi, ka konfirmuar për Portalin 2LONLINE.com, se kërkesa iu është adresuar institucioneve përkatëse për instalimin e rrjetit të kanalizimit,. Në kërkesën e tillë është sqaruar problematika, por edhe iu është bashkangjitur peticioni i banorëve të kësaj rruge.
Latifi tha se në këtë lagje jetojnë më shumë se 20 familje (20 shtëpi) me mbi 100 anëtarë, mbi 10 vite e më shumë, Ata shfrytëzojnë gropa septike në mungesë të rrjetit kanalizimit dhe njëkohësisht bëjnë derdhjen e ujërave të zeza nëpër livadhe apo ara të ndryshme, ku kundërmimi i ujërave të zeza është shumë i madh.
“Ne jemi tejet të shqetësuar se prej këtyre pusetave të cilat krijohen gjatë derdhjes së ujërave të zeza nëpër ara a livadhe ne mund të marrin ndonjë sëmundje infektive. Ne, banorët e lagjes “Ahmet Prishtina”, Rruga Qarkore në Gjilan, i lusim organet kompetente posaçërisht Drejtorinë e Shërbimeve Publike, që sa më shpejtë të bëjnë instalimin e rrjetit të kanalizimit në këtë lagje”, thotë Shefki Latifi për 2LONLINE.com/