Me qenë shqiptar i vërtetë, i lirë me trup e mendje, dhe me nxjerrë në tavoline tokën e Kosovës, nuk është e mundur. Ama, bash hiç nuk mundet kush me më bindë se një shqiptar, qoftë prej atyre që kurrë vonë nuk iu ka bë për çështjen e Kosovës, do ta lejonte këtë, e lëre më ata që ishin prijës ose të rreshtuar në radhët e luftës së popullit shqiptar kundër një okupimi më shumë se një shekullor.
Shkruan: Ardian Azemi
Dhjetëra mijëra të vrarë e masakruar, dhjetëra mijëra të përdhunuar, me qindra mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara, me mijëra të zhdukur, me shumë fëmijë të nxjerrun me thikë nga barku i nanave, pranuam pa kushte të ulemi me agresorin me qëllim që ta gjejmë një rrugë përmes së cilës pajtohemi. Pa shpreh keqardhje, pa kërkua falje, duke mos treguar për varrezat masive të shqiptarëve, madje, duke mos e njohur realitetin e krijuar me 17 shkurt të 2008-së në Kosovë, vazhduam shumë gjatë e parreshtur të shkojmë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, thuajse në cilësinë e spektatorit, sepse ata që vendosnin për çdo marrëveshje ishin Serbia dhe BE-ja.
Shumë marrëveshje të arritura, me kinse ndërmjetësimin e BE-së, Serbia asnjë prej tyre nuk e respektoi, ndërsa Kosova ishte shumë e kujdesshme në implementimin e tyre. Perveç se nuk respekton asnjë marrëveshje, Serbia vazhdimisht ka praktikuar një politikë agresive kundrejt Kosovës, dhe për asnjërën prej këtyre, as për injorimin e marrëveshjeve të Brukselit, e as për luftën diplomatike kundër Kosovës, Serbia nuk ka marrë kritika as nga BE dhe nga mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombtar. Kosova përball Serbisë është e pafuqishme, dhe të vetmën armë mbrojtëse e vlerësoi taksën ndaj produkteve të tyre, dhe në fakt është e vetmja armë.
Fillimisht kishim një dakordancë të plotë për taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, ndërsa tani sikur jemi tërëhequr thuajse të gjithë nga kjo, duke e lënë të vetëm kryeministrin e Republikës së Kosovës i cili vazhdon tutje ti bëjë ball presioneve nga jashtë e nga brenda për heqjen e taksës, si një e drejtë e shtetit dhe kryekëputë çështje mes dy shteteve. Duke qenë kështu, sikur dikush është i zënë rob nga Serbia. Të zënit rob nga një shtet tjetër, nuk nënkupton të jeshë fizikisht brenda katër mureve në një territor tjetër, por ka robëri edhe politike.
Nuk arrijë dot ta kuptoj pse i gjithë ky vullnet me iu dorëzua totalisht Serbisë..? Sinqerisht, nuk e kuptoj! Heqja e taksës ndaj Serbisë, u kërkua fillimisht nga Serbia, si parakusht për të rifilluar dialogu mes dy shteteve, dhe më pas, falë lobimit të fortë serbo-rus, një kërkesë të tillë po e bëjnë edhe BE-ja, por edhe ShBA, dhe kjo e fundit sikur nuk është e bindur në të drejtën e Kosovës, por kjo ndodh për shkak të mungesës së unitetit politik në Kosovë. Imagjinoni, dakordohen për taksën, bile kemi pas edhe rrahagjoksje mbi atë se kush e vendosi, ndërsa tani tërëhiqen, dhe jo nga Kosova, por nga shtete të fuqishme shkojnë e bëjnë thirrje për heqjen e taksës. E pashpjegueshme kjo!
Për fund, nëse hiqet taksa ndaj Serbisë, me kërkesë të Serbisë, atëherë Kosova le të bëhet gati për kompromise të dhimbshme në marrëveshjen finale. Nuk është në pyetje prishja e marrëdhënieve me ShBA-t, problemi është tek ne, nga brenda, sa ne jemi të gatshëm të shpëtojmë atë çka ka mbetur për ta shpëtuar..?! Gjasat për të dalë mirë Kosova nga ky dialog, janë minimale. Shanset për eskalim të situatës, janë maksimale. Që Kosova të ketë të ardhme të qëndrueshme dhe stabile, varet nga vullneti i partive politike se a duan ta shohin Kosovën mirë, apo të bëjnë luftë për pushtet, pa e qarë kokën se çka dreqin bahet me Kosovën.