Vija kufitare përmirësohet përmes demarkimit, e jo ndryshe. Deklaratat joserioze të Presidentit Thaçi, të cilat ndryshohen çdo ditë sa i përket temës së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, padyshim se është vetëm sa për konsum të brendshëm politik.
Shkruan: Teuta Selishta
Presidenti tha që ka biseduar, apo ka qenë në tavolinë tema e shkëmbimit të territoreve, por nuk tregoi për mënyrën se si do të ndodhte, çfarë do të marrim e çka do të japim, edhe pse ai nuk ka guxuar të bisedoje apo ta ketë në tavolinë këtë temë përderisa diçka e tillë është antikushtetuese. Pak ditë më vonë filloi duke e ‘’shpjeguar’’ idenë e tij, tha që do ta marrim Preshevën, pa e dhënë Veriun.
Kjo shkon duke thelluar joseriozitetin e kauzës së tij. Pastaj nuk vonoi shumë dhe pas deklaratave të znj, Merkel e cila u shpreh kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimorë, edhe Thaçi tha se do të ketë vetëm përmirësim të vijës kufitare, gjë që edhe ashtu pritet të ndodhë, por në rrugë ligjore.
E gjithë tema e ndarjes ka pasur për qëllim diçka tjetër, e që mund të jetë dhënia e veriut si tërësi, dhe marrja e disa fshatrave nga komuna e Bujanocit, dhe ajo e Preshevës, vetëm sa për sy e faqe, dhe jo diçka më shumë.
Është absurde, qesharake dhe joserioze të mendosh se Serbia do ti jep tri komuna si tërësi, për Veriun e Kosovës. Realiteti është se Veriu tashmë kontrollohet nga Beogradi, përmes qytetarëve shumicë serb, dhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Serbia poashtu e kontrollon luginën e Preshevës, pavarësisht pse dy komuna menaxhohen nga shqiptarët, sistemi atje është i centralizuar dhe kompetencat ekzekutive mbi 75 % i kanë organet të kontrolluara nga Beogradi zyrtarë, e jo nga pushteti lokal. Për Medvegjën ku jetojnë pak shqiptarë, e mbi 80 % Serb, është çësharake të mendosh se do të marrësh diçka aty. Në çfarëdo varianti që e analizojmë del se, Serbia i kontrollon edhe Veriun e Kosovës, edhe Luginën e Preshevës.
Po e konsiderojmë se është arritur marrëveshje ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit se do të ketë shkëmbim të territoreve. Dhe me nënshkrimin e marrëveshjes, Serbia zbarkon trupat e saja në Veri të Kosovës, çka nëqoftëse ajo nuk pranon të e jep Preshevën? A do të bëje Hashim Thaçi luftë me Serbinë për ta marrë Preshevën? JO!. A do të mund ta rimarrim Veriun? JO!. E një humbje të tillë ne nuk e duam, jo z.President.
Dikush ndoshta mendon se ne jemi kundër shqiptarëve të luginës që ata të bashkëngjiten me Kosovë, kjo nuk është e arsyeshme. E para: ne jemi pro bashkëngjitjes së Luginës si tërësi, por jo të copëtohet lugina.
Një luginë si tërësi, apo me fjalë të tjera përderisa e kemi pushtetin lokal në dy komuna në Serbi, ndryshe është pozita e shqiptarëve atje, dhe ndryshe do të jetë (edhe më shumë e diskriminuar) nëse copëtohet lugina dhe pushteti lokal i rikthehet serbëve. Çdo gjë që ndahet, e humb fuqinë e saj. Lugina duhet të mbetet e bashkuar, dhe me tërësinë e saj.
Ndarja e Luginës nënkupton copëtim edhe të mëtutjeshëm të trojeve shqiptare të cilat nga padrejtësitë historike kanë mbetur jashtë territorit të shtetit Amë. Ne jemi ose për zgjidhje të përhershme, ose jo ndarje e copëtime.