Sot, Ministri i Ministrisë së Diasporës Valon Murati me bashkëpunëtorë priti një grup të nxënësve dhe të mësuesve shqiptarë të shkollës shqipe në Greqi. Pasi u uroi mirëseardhje, ministri Murati i njoftoi mysafirët për objektivat e MeD-së, për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët mes dy qeverive shqiptare për programe të përbashkëta shkollore dhe aktivitete të përbashkëta kulturore, e cila pritet të realizohet me punën e përbashkët të grupeve të punës.
“Diaspora shqiptare, kudo ku është, është e pandarë, është një pasuri shumë e madhe dhe e rëndësishme e vendit tonë. Diaspora jonë ka luajtur një rol të madh gjatë historisë. Është e rëndësishme që ajo të shihet edhe si forcë intelektuale e politike, prandaj dalëngadalë atje ku jetoni të bëheni jo vetëm pjesë intelektuale e atij vendi, por edhe pjesë politike e tij”, tha ministri Murati.
Në këtë takim, ministri Murati tha se do të bëjnë përpjekje që të krijohen rrjete të bizneseve, të të rinjve dhe shoqatave shqiptare edhe në Greqi, ngase nevoja për një organizim të diasporës shqiptare atje është e madhe.
Ndërkaq, mysafirët shqiptarë nga Greqia e falënderuan Ministrinë e Diasporës për përkrahjen dhe mbështetjen që po ua ofron për realizimin e këtij ekskursioni mësimor-njohës. Ata patën një kërkesë që t’u sigurohen më shumë libra shqip për fëmijët e mësimit shqip në Greqi.
Vlen të theksohet se e gjithë puna e këtyre mësuesve organizohet në mënyrë vullnetare, vetëm e vetëm që fëmijët shqiptarë në Greqi të mos e harrojnë gjuhën amtare, ta ruajnë kulturën dhe identitetin e tyre. Nxënësit dhe mësuesit e shkollës shqipe në Greqi do të qëndrojnë në Kosovë disa ditë, me ç’rast do të vizitojnë vende me rëndësi historike, si kompleksin memorial “Adem Jashari”, Shpellën e Gadimes etj.