Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka pranuar sot donacion me dhjetëra shtretër e pajisje tjera nga shoqata e bashkatdhetarëve nga Zvicra “Diaspora Hilf”.
Në ceremoninë e pranim dorëzimit të këtij donacioni, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha kjo mbështetje është jashtëzakonisht e qëlluar dhe shkon me destinim të mirë për përkujdesjen e pacientëve dhe për mundësitë më të mira që mjekët dhe personeli teknik.
“E falënderoj Besimin, kolegët e tij në Zvicër dhe organizatën “Diaspora Hilf” pasi është hera e tretë që e mëbshtesin komunitetin dhe qytetarët në Gjilan. Ndihma është jashtëzakonisht e qëlluar dhe shkon me destinim të mirë për përkujdesjen e pacientëve dhe për mundësitë më të mira që mjekët dhe personeli teknik të kenë lehtësime në punën e tyre. Është konvoj i madh i cili ka ardhur drejtpërdrej nga spitalet e Zvicrës dhe që shërben për Spitalin e Përgjithshëm. Do ta vazhdojmë bashkarisht të gjejmë mënyra për mbështetjen për këtë spital”, tha Haziri.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm, Agim Kryeziu, tha se ky donacion ka ardhur në kohën dhe momentin më të duhur.
“E falënderoj shoqatën “Diaspora Hilf” për këtë donacion dhe kryetarin Haziri i cili është angazhuar direkt për këtë ndihmë për spitalin tonë. Kjo ka ardhur në kohën dhe momentin më të duhur, kur kemi nevojë më së shumëti. Për një kohë të shkurtër këto mjete do të shkojnë në vendin e duhur. Kjo mbështetje i mbulon disa zbrazëtira që ne i kemi shumë urgjente”, u shpreh Kryeziu.
Ndërkaq, në emër të shoqatës “Diaspora Hilf” ka folur Besim Aliu, i cili pasi e falënderoj kryetarin Haziri për ndihmën në transport dhe doganë, tha se ndihet mirë që këto pajisje ua lehtësojnë punën stafit mjekësor për shërbime më të mira për pacientët.