Donatorë të shumtë kanë ndihmuar Komunën e Kamenicës në forma të ndryshme gjatë periudhës së pandemisë.
Në mesin e tyre një qytetar nga Kamenica i cili ka dashur të mbetet anonim ka dhuruar tetë tablet për nxënësit e komunës.
Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati duke falenderuar këtë donator si dhe të tjerët, ka thënë se deri më tani janë siguruar 37 pajisje për nxënësit për ndjekjen e mësimit online.
“Një qytetar i yni që ka dashur të mbetet anonim, ka dhuruar tetë tablet për nxënësit e komunës sonë që kanë pasur mungesë të pajisjeve teknologjike. Deri më tani kemi arritur t’u sigurojmë 37 nxënësve pajisje për ndjekjen e mësimit online, falë donatorëve e njerëzve vullnetmirë siç është edhe ky rast. Kamenica, ky vend i bukur e i mrekullueshëm, përherë kultivon humanizmin e solidaritetin si vlerë shoqërore. Faleminderit nga zemra të gjithëve”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Drejtorisë komunale të Arsimit, Mirhane Morina Bislimi tha se shprehin mirënjohje për këtë donator dhe uron nxënësit që të arrijnë suksese në të ardhmen.
“Tetë tabletët e dhuruar nga donatori, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, u janë dhuruar prindërve të nxënësve në gjendje jo të mirë ekonomike, dhe nënave vetëushqyese. Këta tablet u janë dhuruar për të garantuar ndjekjen e mësimit në distancë nga ta. Shprehim mirënjohjen tonë për donatorin dhe urojmë që nxënësit të arrijnë shumë suksese në të ardhmen”, ka thënë ajo.