Profesori i inxhinierisë Shaban Buza në kuadër të nismës vullnetare “Face Shield Mask”, bashkë me vajzën e tij Dean, kanë dhuruar maska 3D për stafin shëndetësor të QKMF-së në Kamenicë.
Donacionin me këto maska e ka pranuar Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Suna Zajmi Krasniqi si dhe u.d i QKMF-së, Besim Beqiraj.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati duke falenderuar profesorin Buza ka thënë se donacioni është ndihmë e madhe për heronjtë tanë që janë në vijën e parë të frontit për parandalimin e virusit SARS CoV-2-.
“U jemi mirënjohës për kontributin e tyre, por kontributin më të madh në parandalimin e kësaj pandemie, ju mund ta jepni duke qëndruar në shtëpi. Është kaq e thjeshtë, por shpëton shumë jetë”, ka thënë Kastrati.