Shefqet DIBRANI
DHUNTITË DHE VEÇANTITË POETIKE TË REXHEP ELMAZIT
( Rexhep Elmazi, “PSHËRTIMA SHIU”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018, faqe 128. ISBN 978-9951-594-97-4 )
Ngjarja e Viti 1978 që e heshti tragjedinë
Sa herë përmendet Rexhep Elmazi, më kujtohet vargu i tij “Përherë e dua rrëmujën, ndryshimin dhe këngën e re”, (faqe 26), pa aq më kujtohet edhe Viti 1978, kur Kosova shënonte 100 Vjetrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atë vit, “rrëmuja poetike”, krijoi entuziazëm të pa parë, plot ndjenjë e dashuri për atdheun, Kosovën tonë. Më kujtohet se pikërisht më 10 qershor 1978, si nxënës i vitit të tretë, disa vendbanime të Kosovës, duke përfshirë edhe Obiliqin, (tash Kastriot), u gdhinë me afishe, të cilat i ftonin shqiptarët të zgjoheshin nga robëria Jugosllave, siç është shprehet poeti në mënyrë metaforike në poezinë “Svinga”.
Dikur edhe ti ke qenë njeri
ose bishë sypërgjakurqë tmerron
gjersa padroi yt me fuqinë e tij si me magji
s’të hukati dhe me të Zotit vullnet
të ngriu në gur për t’ia uajturportalin
sunduesit të urryer urdhëruesit tënd të egër
të vetquajur Zot i tokës
…
Prej nga r mori ai këtë të drejtë?…
vallë, veç pse ishe ti i bute pa sherr
apo pse ishte ai i fortë dinak e mizor?
…
O e tashme Svingë…
Poezia SVINGA, faqe 30.
Si sot e mbaj mend atë atmosferë të cilën e pat zbehur krisma që qëlloi mbi poetin Rexhep Elmazi, i cili pas pak ditësh, më 25 maj 1978, ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës. Dhe kjo ngjarje tragjike ndodhi vetëm dy javë para se të mbahej Manifestimi kushtuar Njëqind Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u shënua me mbajtje të një simpoziumi shkencor si dhe me ManifestiminQëndror në Prizren. E,në kuadër të këtij përvjetori, me iniciativë të historianit prof. Muhamet Shukriu, (babai i poetës dhe arkeologes Edi Shukriu), është restauruar Kompleksi i Lidhjes Shqiptare në Prizren, pamja e tanishme e kompleksit monumental për Kosovën, është po ai restaurimi bërë në vitin 1978.
Si duket ishte kjo atmosferë, pse gazeta “Rilindja”, ose njëra nga revistat që botoheshin, dhanë vetëm lajmin e shkurtër të ndodhisë. E di se ka qenë i botuar edhe portreti-vizatim i poetit, dhe janë botuar edhe disa poezi të tija. Vdekja e Tij shkoi më e heshtur se sa që duhej?! Ndoshta për shkak të ngjarjes së madhe që e theksuam më parë?!
Koha tregoi se kishte vepruar dora e hekurt e shtetit për ta heshtur tragjedinë, ndërsa në anën tjetër, po ai pushtet me aq pompozitet organizonte Manifestimin kushtuar 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili shënohej në mënyrë institucionale për të parën herë në Kosovë.
Pa dyshim dhembja ishte shumë e madhe, prandaj as koha nuk e zbehu kujtimin e shoqërisë dhe të krijuesve për poetin Rexhep Elmazi!…
Dhuntitë dhe veçantitë e karakterizojnë jetën e poetit
Jetën dhe krijimtarinë e Rexhep Elmazit e karakterizojnë dhunti e veçanti dalluese. Me emrin e tij lidhen Lëvizjet Patriotike të Kohës, të atyre viteve, dhe domosdoshmërisht edhe ndikimi te shkrimtarët e brezit të tij, të cilët më pas i kanë dhënë emër letrar Gjilanit dhe Kosovës. Është thënë edhe nga të tjerë, veçmas angazhimi patriotik, në mënyrë të pashmangshme ndikoi tek të tjerët, anise poetit ai angazhim i solli vuajtje dhe një vdekje tragjike. Akti i vrasjes ishte krim politik më vete, veprim i shëmtuar, i trishtë dhe tejet i dhimbshëm.
Jo vetëm se ndodhi eliminimi fizik i Njeriut dhe Krijuesit, por njëkohësisht ndodhi ndërpërerja e rrjedhës së një procesi të nisur letrar. U ndal krijimtaria e tij, e cila për kohën nuk ishte pa ndikim. Edhe një dhembje tjetër trishtuese që lidhet me Poetin, është djegia dhe asgjasimi i dorëshkrimeve të tij. Nuk ka fare rëndësi forma dhe mënyra e ndodhisë, nga friga a nga pakujdesia, por ajo që ka ndodhur ka ndikuar të mos kompletohej kurrë më, niveli letrar që e meritonte Rexhep Elmazi. Kjo ngjarje është edhe më e rëndë se sa vdekja e dhunshme, e dhimbshme dhe para kohe e poetit.
Ikjet e dhunshme dhe të parakohshme
Historia e njerëzimit njeh poetë e shkrimtarë që kanë ikur të rinjë nga kjo botë, qoftë për shkak të sëmundjeve a fatkeqësive të tjera, por ka mbetur më e kompletuar krijimtaria e tyre, qoftë ajo e botuar për të gjallë ose dorëshkrimet e lëna të cilat janë ruajtur. Është i njohur rasti i shkrimtarit gjerman Franz Kafka në Gjermani dhe po ashtu edhe i Beqir Musliut në Gjilan të Kosovës. Të parit, përkatësisht Kafkës, dorëshkrimet ia ka ruajtur motra, e këtij të fundit, Beqir Musliut, shkrimet i janë ruajtur në saje të botimeve sa ishte gjallë, dhe të dorëshkrimeve që i mban familja. Tashmë shkrimtari ynë në masë të mirë është kompletuar, me shpresë se edhe shkrimet tjera të shkapërderdhura dhe ato të ruajtura ndër miq e në familje do të botohen, për tu kompletuar si duhet krijimtaria e tij letrare.
Rasti i poetit Rexhep Elmazi, është dhembje ndryshe, e mbase tragjikë më vete, sepse ai u privua nga dy bukuri të rralla. Nga Jeta dhe nga Letërsia! E tëra që kemi sot nga ky autor, është libri Frymëmarrje, i botuar për të gjallë nga Rilindja, Prishtinë 1972. Libri “Fryma”, botuar pas vdekjes nga Plejada, Prishtinë 1993, dhe ky librër me poezi të zgjedhura, “PSHERËTIMA SHIU”, të cilin e botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018, dhe është libri më i kompletuar dhe më prezantuas i krijimtarisë poetike të Rexhep Elmazit.
Poet dhe veprimtar – dy sintagma të të njëjtit trup
Rexhep Elmazi, ka lindur më 3 janar 1938 në Malishevë të Gjilanit, ndërsa jetoi në Gjilan deri më 25 maj të vitit 1978, kur u vra nga një dorë tinëzare. Ai ishte poet e veprimtar, kishte mendim të thellë metaforik me mendësi figurative të shprehjes poetike. Po aq shquhej për vetëdije të lartë politike e patriotike. Më 1964, Rexhep Elmazi është zgjedhur udhëheqës i Komitetit për Gjilan në Lëvizjen për Bashkimin e Shqiptarëve, organizatë patriotike e kohës, e cila për ato rrethana vepronte ilegalisht, kurse në krye të saj ishte atdhetari Adem Demaçi. Grupi zbulohet nga shërbimi shtetëror serb dhe, poeti, Rexhep Elmazi arrestohet më 8 qershor të vitit 1964, ku dënohet me nëntë vjet burg, të cilat i mbajti në KPZ Požarevac – Zabela të Serbisë, (rreth tetëdhjetë kilometra në juglindje të Beogradit, përkatësisht vendlindja e Slobodan Milošević). Diku pas katër vitesh, më 8 nëntor të vitit 1968, është liruar nga burgu.
Për shkak të angazhimeve patriotike, jetën nuk e shijoi si duhet, ashtu siç bënin moshataret e tij. Ai mbajti burg të rëndë politik, por nuk është thyer kurrë. Pas burgut, në Universitetin e Prishtinës, i kreu studimet për letërsi dhe u diplomua në vitin 1975. Edhe mëpastaj e pati të vështirë të gjente një punë të përshtatshme për nivelin universitar që kishte. Por brezi i Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Ramadan Mehmetit, Ibrahim Kadriut, Ramadan Musliut e deri te Sabit Rrustemi, kanë pasur rastin ta njohin mirë, dhe në nuancë të mundshme edhe të ndikohen nga kultura e gjerë, sidomos për qëndrimin stoik dhe të pathyeshëm, në raport me pushtetin e diktaturën komuniste të asaj kohe.
Nocioni mbi “Lirinë” ishte bërë preokupim i tij, jo vetëm si qasje poetike por liria kundrohej edhe si proces metafizik dhe si botëkuptim i hyjnishëm. Ishte poet i lirikës, shembull i së mirës, i nismave të mbara, i botëkuptimeve metaforike, i diellit e qiellit, i tokës dhe dashurisë që në brendësi kishte nuancë erotike, por poezia e tij, së këndejmi as lirika dhe erotika nuk u zhvillua sa duhej, për shkak të ndërprerjes së procesit fiziologjik – Jetës. Lirikat poetke të tij mbetën në nismat e tyre, ato nisma u vyshken si lulja.
Njeriu – Poet,ishte shembull për Gjilanin dhe për ata që e njohën!
Psherëtimat poetike
Libri “PSHERËTIMA SHIU”, krijon mundësi për ta njohur më mirë poetikën e Rexhep Elmazit, dhe mundëson për të ndërtuar botëkuptimin kritik mbi poezinë si qasje e kompletuar duke dhënë mundësi të njohim këtë individualitet mjaftë të veçantë me nisma premtuese, ku shquhej për talent poetik dhe ishte artikulues i së mirës në letërsi, qoftë si formë ose si përmbajtje. Poet i mendimit të thellë meditativ. S’i i tillë, Rexhep Elmazi, përveç talentit, kishte guximin, prandaj ishte shembull që nuk diti për t’u zhgenjyer e për t’u thyer para sfidave e ndodhive të shumta. Në këto rrethana ai u shndërrua në poet model, edhe për poetët tjerë. Veçmas për Beqir Musliun dhe Teki Dervishin, dy figurat më emblematike të poezisë shqipe që krijohej në Kosovë. Për aq sa jetoi, bukur mirë arriti të artikulonte mendimin poetik, natyrshëm nga individualja te univerzalja. Preokupim i përhershëm edhe në poezi ishte ndjenja e lirisë, në kohën kur mbi tokën dhe njerëzit e Kosovës qëndronte robëria si peshë e rëndë e cila ngulfaste mundësinë e veprimit dhe të qasjeve ndryshe.
Janë poezitë: Ti nuk ke lindur për ta shijuar jetën, (Titulli i mëparshëm i poezisë: Për shokun tim që këndon), Sfinga, Atyre që s’u dihet varri dot, Vetëm dheu do t’ma mbyllë këtë gojë, Dikush flet brenda meje, Bisedë me poetin, Borxhi ynë, Lumi,Dasma pa krushq, etj.,ku mund ta kuptojmë imazhin dhe porosinë e poetit. Ai, edhe në poezi si në jetë, ishte i kujdesshëm dhe i vetëdijshëm. Krahas ndjekjeve e përgjimeve të pushtetit vepronte dhe krijonte. Nëpërmes ironisë ka portretizuar robërinë, gjithmonë i kujdesshëm për t’i ruajtur të tjerët, sidomos miqtë e tij krijues. Ai me sukses shkroi vargje në të cilat lexohet kushtrimi për liri dhe thirrja për t’u përballur me padrejtësitë e pushtuesit.
Lirikat
Rexhep Elmazi është shquar për lirikën e dashurisë, siç e theksuam më parë, dhe me nisma edhe për trajtimin e lirikës erotike, ndërsa ky motiv mjaftë qartë është i shprehur në poezinë, “Kur nuk gjen rrugë për të ecur”.
Në bjeshkë dalin Dada e Baci
dhe e qesin njëri – tjetrin në këngë.
(shqyer që sy e gojë s’ka, pse
si do të merrte frymë dashuria tinzake!)
Dada thotë e ka fshehur dashurinë e Bacit
në gjoksin e saj; Baci
dashurinë e Dadës në gjakun e tij…
– O, kush guxon të prekë
gjoksin e saj, gjakun e tij!
Poezia “KUR NUK GJEN RRUGË PËR TË ECUR”, faqe 110.
… dhe loja erotike në një shkallë të lartë estetike zhvillohet duke shpalosur tërë ndjenjën, tër afshin erotik në mes Dadës e Bacit të zhvilluara diku në Bjeshkë, në Ara dhe në Fushë, sidomos në “Fushën Letrare” të Rexhep Elmazit i cili poezinë e mbyll me vargjet:
Gjithçka tretet
zvogëlohet nga frika
kur gjak e gjoks të jenë bashkuar!
– Të shkojmë!…
Nëse dikush ka për t’i lypur
shkurre e driza i dalin para!
Poezia “KUR NUK GJEN RRUGË PËR TË ECUR”, faqe 111.
Përballë motivit të theksuar lirik për jetën dhe dashurinë, poeti gjithmonë ka vendosur motivin e lirisë, dhe siç shihet deri në fund të jetës ishte angazhimi parësor dhe i vetmi synim për ta materializuar. Një mori shprehjesh shpien metaforën poetike në këtë drejtim: “E unë s’di kah t’i kthej veshët/ kah t’i kthej sytë gjithkah/ gjithçka rilind duke marrë këmbë/ vetëm ndalem dhe sodis/ ç’po ngjet rreth meje. Një mik/ vjen e më thotë në vesh: pranvera është dita e parë”, (poezia NJË KLITHMË KËNGE, faqe 36).
Deri sa “pranvera”, është motivi që shprehë lirinë dhe nëse poezia shikohet nga ky prizëm, do të vërehet se poeti Rexhep Elmazi, preokupimin kryesor e kishte filozofinë e lirisë, pa të cilën nuk e konsideronte të kompletuar moralin jetësor dhe dashurinë, prandaj elementi lirik në poezinë e poetit është i emancipuar dhe i kontrolluar, madje në mjaftë zbërthime shihet se ishin vetëm kamuflime për të ndërtuar filozofinë e lirisë si angazhim parësor e jetësor, në kuadër të së cilës e shihte realizimin e të gjitha preokupimeve rreth fatit të shoqërisë që jetonte e heshtur nën pushtuesin arbitër i lirisë, pse jo edhe i lirikave të tij. “Por dije se së shpejti/ diçka ka për të krisur/ me këngën e ardhshme të tij”, (poezia BISEDË ME POETIN, faqe 62).
Ky mendim përforcohet edhe më tej kur t’i lexojmë katër poezitë e fundit të shkruara në janar 1978, dhe një tjetër e cila supozohet të jetë poezia e fundit, në të cilat poeti e ka ndërtuar me sukses kultin e përfytyrimit të tragjikës të cilën si ndjenjë a parandjenjë e ka përshkruar fatin tragjik në vetëm pesë poezi.
Poezia ME JETËN TIME E SHKRUAJ EMRIN TIM DIKU, (faqe 68-70), në të cilën, si parndjenjë flet për fatin e tij dhe të poezisë: “Edhe vetë njeriu s’është veçse një mister/ Që s’mund ta frenojë as ta nxisë një proces/ në trupin e vet// Bëje atë pa të cilën s’mundesh, n’e pagofsh dhe me jetë/ Ti pastaj atë e arrin edhe në mos e gëzofsh vetë!/ kujtoj se jeta nuk është dhe kënga jonë e fundit/ nëse kënga ka ekzistuar njëherë/ ajo struket po nuk zhduket// Unë me jetën time, e shkruaj emrin tim diku/ Sall dua të shndris, të ik si kometë në jetë/ Për ta arritur atë që të tjerët qysh moti e kanë!/ Vuajtes kurrë nuk ia lëshoj rrugën/ Në m’u bëftë pengesë drejt qëllimit!”, (Gjilan, 4 janar 1978).
Poezia: “LE T’I BËHEM THERROR GJAKIMIT TË SHENJTË”, (faqe 26-27), shprehur po ashtu si parandjenjë është lirikë artistike e parandjenjës: “Disi s’më ndahet vuajtja, edhepse nuk e thërras !…/ Sepse, i vdekur me siguri do të kisha paqe// Ka shumë përmendore që i ka ngritur njeriu/ marrëzisë e dashurisë// Nëse mbetet diçka pas trupit tim, pas kësaj jetës sime,/Që me siguri do të flasë qartë përmes këtij emri tim/Kjo padyshim do të jetë përmendore më e mirë për mua/Që i kam ngritur vetes, dashurisë sime e shpirtit tim.”,(11 janar 1978).
Poezia: “VETËM ZEMRA E DASHUR LË SHENJË”, (faqe 54-55), e përforcon mendimin e shfaqur për parandjenjën e poetit. Në këtë poezi, pos tjersh poeti thotë:”Çudi: si mund ta duash atë që të djeg;/Pa të cilën s’mundesh asnjë çast?!/Ndoshta ajo që vërtetë vlen diçka/Qenka e bërë prej zjarrit që shëndrit.//Dhe ai shkëlqim që mbetet pas/Ajo rrugë, ajo gjurmë e pashlyer/Qenka e flakës fuqi dhe luftë/Pa të cilën as jeta s’ka kuptim.”(11 janar 1978).
Poezia: “TI E GJALLË JE NË TRUPIN TIM”, (faqe 103-106), të cilën po e japim si
pamje më të zgjeruar shpreh tërë parandjenjën e flijimit artistik, para atij tragjik që i ndodhi poetit pak ditë më vonë: “Për gjithçka që them dhe që e bëj/E kam marrë guximin prej dashurisë/Vetëm atë e pranoj si ligj suprem/Brenda kllapave të jetës sime të shkretë”. Motivi i dashurisë, sidomos tek kjo poezi do tëpërmbyllet si mesazh tragjik: “Nga dashuria dhe me dashuri e kam filluar jetën/Prandaj në fushat e saj/Dhe në fjollat e flakës së saj/Dua të mbulohem prej kësaj bote kur të udhëtoj/Le të më përcjellë, bashkë me miqtë/Muzika e saj me tonet më të dhembshme sajuar/Sepse nëpër mundime e zbulova veten kush jam/Dhe i tillë, sall me bekimin e saj, dua të mbaroj.”, (E shkruar më 11. 01. 1978, faqe 103-106)
Në poezinë: “O ZOT, A SHEH AFË TEJE JAM”, (faqe 60-61), poeti ka shkruar:”Ti më thua: Gjërat më të ëmbla janë plot dhembje/Gjërat më të dashura duan flijim të madh/Vetëm kur drejtohem kah ti e shoh se jam njeri/Që mundohem të të shëmbëllej pakëz/E ti ma vijëzon rrugën me dritë/Për të ecur më lehtë përpjetëzës sate/Për t’u rritur më shumë se ata/Që s’dijnë për ty.” Ndërsa nga përpiluesi i librit poezia mban këtë shënim: “Si duket kjo poezi e lënë në dorëshkrim është e fundit e poetit, meqë nuk është e nënshkruar dhe as që ka titull (ne e shfrytëzuam vargun e parë për titull) mbase mund të jetë edhe e pëlqyer, megjithatë e pamë të udhës që ta përfshijmë në këtë vëllim të poezive të Rexhep Elmazit”,(faqe 60-61).
Ndjenja e vdekjes del më në pah nëpër poezitë e shkruara pak para se të vritej, pasi poezitë e fillimit, sidomos ato të botuara në librin e parë “Frymëmarrje”, shquhen për nervin më revolucionar e patriotik, që bënin thirrje të përgjithshme të shprehura nëpërmes figurave stilistike e metaforave për pabarazinë si fiksion poetik.
Mendoj se ka rëndësi të madhe nëse do të mirrej në shqyrtim motivi i parandjenjës, i masazhit e porosisë dhe i vendsmërisë së tij për tu flijuar, qoftë vetëm për dashurinë, ose për tu flijuar për lirinë si koncept më universal i angazhimeve jetësore, intelektuale dhe letrare të Rexhep Elmazit. Në asnjë mënyrë poezia e tij nuk duhet të trajtohet ndaras nga jeta dhe angazhimi, madje as nga tragjikja që e justifikon metaforën e ndjenjës si parandjenjë e cila në disa raste është e dukshme në vargun poetik.
Lirika për dashurinë është dashuria për lirinë
Motivi për lirinë është filozofia e jetës, e ekzistencës e qenësisë. Si ndijim poetik është asononacë për lirinë, qoftë sirimë jo aq e plotë e dy kuptimsisë Liri-Dashuri, që kanë të njëjtin timbër të zërit e shqiptuar përmes motiveve lirike dhe krijojnë një lloj asonance të dashurisë për lirinë, kërkim deri në flijim për realizimin e saj siç shprehin vargjet: “Bëje atë pa të cilën s’mundesh, n’e pagofsh dhe me jetë/ Ti pastaj atë e arrin edhe në mos e gëzofsh vetë”, dhe sado që mund të thuhet lirikë dashurie, rasti tragjik i poetit e rikthen motivin e lirikës në Motiv të Lirisë, të cilën edhe pse ai nuk e gëzoi e parandjeu dhe i këndoi.”Unë me jetën time, e shkruaj emrin tim diku” dhe akti i tij do te ushtroj trysni morale te brezat tjerë “për ta arritur atë që të tjerët qysh moti e kanë!”, rreshti i fundit nuk mund të lidhet asgjë me dashurinë se pothuajse gjithsecili në vten e tij ka të realizuar një dashuri por jo edhe LIRINË – siç shprhet ai në mënyrë metaforike: “atë që të tjerët qysh moti e kanë!”
Poezitë e Rexhep Elmazit, sidomos ato të fundit, marrin dimension tejkohor, futen më thellë në ndijimin e empirisë emfatike, një formë e përvojës jetësore, si praktikë dhe kurdoherë e shpërfillte forcën e pushtuesit: Kjo emfazë është e dallueshme tek fjala “dashuri”, e cila shndërrohet në ideal për lirinë. Kurse motivi për flijim më parë se për dashurinë gjithnjë njeriu është flijuar për lirinë: “Dhe më mbi krih tradhtie/ E kish emrin Lirie”, (faqe 109).
Përfundim
Përfundimisht, Rexhep Elmazi, “nuk ka lindur për ta shijuar jetën”, (varg i tij, faqe 5), në anën tjetër, për kohën e tij e ka ndërtuar mrekullsisht bukur dimensionin për lirinë falë lirikave për dashurinë, pranë të të cilave dhe për të të cilat ka pranuar çdo lloj flijimi, si akti më sublim patriotik, të paktën nëpër poezitë e librit “PSHERËTIMA SHIU”, përjetohet si gjakim flijues për Lirinë e vendit të vet! /2LONLINE/