Promovimi i investimeve rajonale, rëndësia e arsimit dhe aftësimit profesional, ndërlidhja e të rinjëve me tregun e punës, diskutimi rreth asaj se çfarë ofron Kosova për investitorët si dhe sfidat e Dhomave të Tregtisë për përkrahje të bizneseve ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u diskutuan në kuadër të Konferencës Rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale”, të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me partnerët Oda Ekononomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi.
Në konferencën “Promovimi i Investimeve Rajonale”, kryetari Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi në fjalën hyrëse për të ftuarit, theksoi që rritja e bashkëpunimit ekonomk e tregtar mes vendeve të rajonit fuqizon ekonomitë e këtyre vendeve, duke nxitur kështu rritjen e investimeve mes vendeve tona. “Rritja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të rritet edhe mundësia për shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira”, tha Krasniqi.
Përmes ndërlidhjes, ne kemi mundësi që të rrisim kualitetin e ligjeve, ofertave dhe përballjes me tregun global duke marrë parasysh që mundësia e të bërit biznes në tregun global është çdo herë e më e madhe, ka shtuar tutje Krasniqi.
“Duke pasur parasysh prezencën në këtë ngjarje të përfaqësuesve të institucioneve vendimmarrëse i’u themi që aktivitete të tilla rajonale, konferenca dhe evente të përbashkëta duhet të shtohen, sepse në këtë mënyrë rriten edhe mundësitë për afrim me njëri-tjetrin, duke rritur komunikimin dhe duke e mundësuar shkëmbimin e njohurive, praktikave dhe përvojave reciproke”, shtoi në fund Krasniqi.
Me këtë rast, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari përgëzoi organizatorët për konferencën dhe theksoi që vetëm në këtë mënyrë, përmes bashkëpunimit rajonal mund të kemi integrim si rajon, sepse kështu është integruar edhe Evropa.
Ministria Hajdari theksoi që është e nevojshme një strategji për aftësim profesional, gjë e cila do të nxiste rritjen ekonomike në rajon. Andaj, bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat është esencial në këtë drejtim. “Pa sektorin privat nuk ka përafrim të profileve për nevojat e tregut të punës, dhe në këtë mënyrë mund të ketë një nxitje të edukimit dhe aftësimit të punëtorëve që ndikon edhe në rritje ekonomike në Kosovë dhe rajon”, tha ajo.
Ministrja e Hajdari, ka njoftuar të pranishmit për politikat dhe indikatorët ekonomik në Kosovë, ku sipas saj Kosova po tregon se ka një zhvillim me një rritje ekonomike dy shifrore në vitin 2021.
Gjatë kësaj konference u zhvilluan diskutime në tri panele, ku në panelin e parë u diskutua për temën “Rëndësia e arsimit dhe aftësimit profesional dhe ndërlidhja me tregun e punës”, me panelistët Majlinda Rizvanolli Bajraktari – Këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional (AAP), Lulzim Aliu– Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Mladen Perazic – Drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi.
Përderisa në panelin e dytë u diskutua tema “Çfarë ofron Kosova dhe vendet e rajonit për investitorët?”, me panelistët: Zef Dedaj – U.D. Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Edin Fakic – Udhëheqës Sektori për kujdes për klientë dhe investitor, Drejtoria për Zonat Zhvillimore, Teknologjike, Industriale dhe Dragana Šofranac – Menaxhere e Projektit në Odën Ekonomike të Malit të Zi.
Kurse në panelin e tretë u trajtua tema “Dhomat dhe sfidat e përkrahjes së bizneseve”, me panelistët Skënder Krasniqi – Kryetar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Nebi Hoxha – Kryetar Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Prëndimore dhe Mladen Perazic – Drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi.
Ky organizim u zhvillua në kuadër të implementimit të projektit rajonal nga Western Balkans Fund bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes instrumentit IPA dhe kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Gjithashtu në këtë event ishin prezent edhe biznese nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me ç’rast bizneset kishin mundësinë që në fund të eventit të zhvillonin takime B2B me qëllim të rrjetëzimit, shkëmbimit të përvojave dhe diskutimit për çështje relevante për palët. /2LONLINE/