Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha, e Drejtori i Departamentit të Edukimit në kuadër të Odës Ekonomike të Malit të Zi, Mladen Perazic, u pritën në takim nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ky takim u realizua pas përfundimit të konferencës “Promovimi i Investimeve Rajonale”, e cila u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, në bashkëpunim me partnerët Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi, e që u financua nga Western Balkans Fund, qëllim kryesor i së cilës ishte promovimi i bashkëpunimit rajonal.
Përveç konferencës rajonale, gjatë takimit u diskutua edhe për mënyrën se si funksionojnë odat/dhomat në vendet e rajonit, ku përfaqësuesit e odave/dhomave prezente ndanë këndvështrimet e tyre.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, përgëzoi Ministren Hajdari për iniciativën duke e marrë parasysh se kjo është një nga kërkesat e Dhomës që Kosova të ketë ligjin mbi odat/dhomat.
Maqedonia e Veriut është një ndër shtetet që ka Ligjin mbi odat/dhomat dhe ka dëshmuar që disa oda/dhoma mund të jenë partner strategjik të institucioneve, e madje të funksionojnë shumë mirë.
Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkoi që ky draft ligj të dal sa më shpejtë në diskutim publik në mënyrë që të gjitha palët e interesit të mund të japin komentet konkrete.
Ministrja Hajdari përgëzoi Dhomën e Tregtisë për organizimin e konferencë dhe falënderoi kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe përfaqësuesin e Odës Ekonomike të Malit të Zi për pjesëmarrjen, duke shtuar që organizime të tilla ndikojnë pozitivisht në rritje të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të vendit dhe rajonit.
Tutje, Ministrja Hajdari shtoi që aktualisht janë në fazën e inicimit të Ligjit mbi Odën/Odat dhe premtoi që do të analizojnë praktikat më të mira të rajonit dhe më gjerë, ashtu që të vazhdojnë t’i implementojnë në ligjin e ri që Kosova do të hartoj. /2LONLINE/