Në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës 2020-2022”, sot në Viti janë ndarë certifikatat për 10 gra që kanë ndjekur trajnimin 2 javor në lëmin e pastiqerisë.
Ky trajnim është organizuar nga Organizata IADK në bashkëpunim me komunën e Vitisë. Zenel Bunjaku drejtor i IADK-së, vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Institucionet komunale të Vitisë, duke thënë se partneriteti më komunën dhe kryetarin Haliti, ka qenë i shkëlqyeshëm.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se certifikatat për gratë që kanë ndjekur trajnimin dy javor në fushën e pastiqerisë, janë të lëshuara nga IADK dhe ato do të njihen kudo.
Kurse gjithashtu ka njoftuar se në kuadër të këtij bashkëpunimi është bërë edhe përzgjedhja e njërës nga të certifikuarat, Alma Zejnullahut, për nënshkrim të kontratës për mbështetje dhe investim.
Ndërkaq kryetari i komunës Sokol Haliti, duke uruar gratë që morën certifikatat, tha se me këtë po arrijmë të ngrisim profesionalizmin sikur në fushat e bujqësisë, blegtorisë, artizanale, gjithashtu edhe në gastronomi në fushën e ëmbëlsirave.
“Në vazhdimësi ne si Institucione, kemi përkrah sektorët e ndryshëm. Edhe në të ardhmen kemi planifikuar që ti kthejmë lëmit në profitabilitet dhe në këtë mënyrë, të krijojmë gjenerim të të ardhurave. Na nevojiten kuadro të reja, kemi nevojë për profesionalizëm në çdo fushë veprimtari sepse kemi mundësin me i absorbua, e posaçërisht kur kihet parasysh interesimi i investitorëve të jashtëm, me kontribuua në këtë drejtim”, tha Haliti. /2LONLINE.com/