Refuzojë një të mirë për mua, nëse ajo përfundon e keqe për Francën.
Monteskie
Ismajl KURTESHI
(2L ONLINE) – Praktika e 15 vjeçare e udhëheqjes së vendit është dëshmia më e mirë se pjesa më e madhe e klasës politike, që e udhëhoqi vendin është larg idealeve të Monteskies. Ata kanë zgjedhur një filozofi ndryshe të udhëheqjes, atë të Makiavelizmi, që për arritjen e qëllimeve të tyre nuk i zgjedhin mjetet.
Nuk ka ekzistuar asnjë pengesë që me 9 qershor LDK-ja (Isa) të hy në koalicion me PDK-në (Hashimin). Por në qershori Isa Mustafa nuk do të mund të bëhej kryeministër, pasi që LDK-ja kishte dal subjekti i dytë në zgjedhjet e 8 qershorit. Prandaj ai nuk shkoi drejtpërdrejt në koalicion me PDK-në, sepse kishte për qëllim realizimin e qëllimit të tij personal. Pa u brengosur, për shkeljen e marrëveshjes me partitë tjera, për zhgënjimin që ua shkaktoj elektoratit që e përkrahu për ta dërguar PDK-në në opozitë dhe nuk u brengos as për dëmin që ja shkaktoj vendit me koalicionin me PDK-në dhe Listen”Srpska”.
Koalicioni që zgjati pesë muaj mes LDK-së, AAK-së, NISMËS dhe Vetëvendosjes (pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi parimet e qeverisjes; me 10 shtator) e vuri PDK-në në pozitë të pa shpresë sa i përket pjesëmarrjes në qeveri. Vetëm përkrahja e Gjykatës Kushtetuese, Presidentes dhe ambasadave të heshtura, e sidomos lakmia personale e Isa Mustafës i mundësoj PDK-së blerjen e kohës që rezultojë me mbetjen e saj në pushtet, e kjo do të thotë vazhdim i keqqeverisjes, që e dinte edhe Isa. Por e keqja nuk përfundon këtu.
Mustafa dhe Thaçi nuk hezituan që t’i pranojnë të gjitha kërkesat e Serbisë, përmes listës “Srpska” që e dëmtojnë rënd substancën e shtetit të pavarur të Kosovës, vetëm për të mbetur në pushtet.
Siç po shihet, këta dy pretendent të fronit, gjatë këtyre 6 muajve, derisa institucionet ishin të bllokuara, kanë qenë jashtëzakonisht shumë të preokupuar, por, ama me fatin e tyre personal e jo të vendit.
Se cili ka qenë preokupimi i tyre më së miri e ilustrojnë këta dy tituj të gazetës: Isa Mustafa:”Ose unë kryeministër ose do të prishet koalicioni…”
Hashim Thaçi:”Nuk me pritet deri në 2016 për t’u bërë president…”
Me këtë soj të politikanëve që janë të preokupuar vetëm me fatin e tyre e jo me fatin e vendit nuk mund të presim fat më të mirë për këtë vend. Me këta në krye të institucioneve nuk do të ndalet karvani i gjatë i azilkërkuesve, Kosova do ta ketë të sigurt vendin e parë në Evropë për korrupsion, për varfëri, për papunësi, për cilësi të ulët në arsim dhe për shërbime që dobëta shëndetësore.
Shumë qytetarë, të bindur se politika është rrenë dhe se të gjithë politikanët janë njësoj, shumë shpesh i përkrahin ata që nuk e meritojnë përkrahjen e tyre? Por është koha ta kuptojmë se derisa t’i votojmë ata që në mungesë të programit zhvillimor ofrojnë rritje pagash pa mbulesë, i fshehin kontratat e tenderëve, ofrojnë darka e dreka në fushata zgjedhore, premtojnë t’i punësojnë fëmijët tanë menjëherë pas zgjedhjeve, e shtrojnë një cip asfalt para dyerve tona, një natë para zgjedhjeve, vështirë se në Kosovë do të ndryshoj gjendja.
Nga kjo situatë, nëse nuk dalim vet, askush nuk mund të na nxjerr.
Nga kjo situatë do të dalim kur ta kuptojmë se interes i jonë është realizimi dhe mbrojtja e interesave të vendit tonë. Thënia e Monteskies:” Refuzoj një të mirë për mua, nëse ajo përfundon e keqe për Francën”. Ende është aktuale, por një gjë e tillë është e huaja, për ata që preokupim e kanë vetëm vetën e tyre dhe tërë kohën e ëndërrojnë fronin. /2L ONLINE/