Lapidari me emrat e 28 dëshmorëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), tash e dy vite vazhdon të mbetet nën mbikëqyrjen e forcave serbe, derisa lidershipi në Luginë, veç deklaratave në opinion për kthimin e tij, nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.
Më 20 janar bëhen dy vite kur Presheva u rrethua nga disa qindra xhandarë të Serbisë, të cilët kishin një objektiv – heqjen e një guri ku ishin gdhendur emrat e dëshmorëve që ranë në luftë kundër forcave të Millosheviqit.
Në kërkim të kthimit të Lapidarit u organizuan protesta, seanca të kuvendeve komunale si dhe është kërkuar të hiqet memoriali i xhandarmërisë serbe mbi fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit. Liderët në Luginë megjithatë garantuan kthimin e tij, madje premtuan edhe dorëheqje, të cilat deri më sot nuk u mbajtën.
Kreu i Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se ata që e morën Lapidarin asnjëherë nuk kanë thënë që e kthejnë, pasi që Serbia nuk është e interesuar ta njohë identitetin kombëtar të shqiptarëve.
“Moskthimi i lapidarit është një tmerr që di ta bëjë vetëm Serbia. Është një akt i pashembullt që nuk ngjan në asnjë vend në botë. Një populli të pambrojtur t’i merret identiteti”, ka thënë Mustafa, i cili nuk është i njoftuar me fatin e Lapidarit.
“Të mos mësojnë gjeneratat e reja që shqiptarët luftuan për liri dhe bashkëngjitje me Kosovë. Mirëpo kjo nga mendja e shqiptarëve nuk do të hiqet kurrë”, ka thënë Mustafa.
Edhe kryetari i Kuvendit Komunal në Bujanoc, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe ish shefi politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, kërkon kthimin e Lapidarit në Preshevë, duke e hequr memorialin e Xhandarmërisë serbe me kryqin mbi fshatin Lluçan të Komunës së Bujanocit.
Ai ka thënë se përkundër premtimeve boshe të Beogradit se do të kthehet Lapidari, lëre që nuk u kthye, por as nuk i dihet vendndodhja.
“Beogradi me shkatërrimin e përmendoreve e lapidarëve të dëshmorëve të kombit shqiptar, nuk do të thotë se ka shuar vullnetin, dëshirën dhe luftën e popullit liridashës të Luginës për çlirim dhe bashkim kombëtar, verdikt ky i shprehur nga referendumi popullor dhe lufta e shenjtë e UÇPMB-së”, ka thënë Musliu.
“Spektri politik shqiptarëve të Luginës së Preshevës, as sot pas dy vite, nuk ka hequr dorë nga kërkesat për kthimin e Lapidarit të plaçkitur nga xhandarmëria serbe”, ka thënë Musliu për portalin informativ Titulli.com.
Nga ana tjetër, qytetarët preshevarë, moskthimin e Lapidarit e vlerësojnë si debakël për liderët politikë të Luginës.
“Së pari premtimi se do ta mbrojnë Lapidarin, më pas nëse hiqet do të japim dorëheqje dhe e fundit se do ta kthejmë ate, janë premtime të politikanëve të Luginës sa për të arsyetuar veprimet e tyre të pamatura”, tha për Titullin, Vehbiu nga Presheva.
Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇPMB-së kërkon kthimin e Lapidarit në vendin e merituar.
“OVL e UÇPMB-së me këtë rast njofton opinionin e gjerë dhe i bënë thirrje shoqërisë civile, subjekteve politike, njerëzve të vullnetit të mirë që të marrin përsipër përgjegjësitë morale, intelektuale dhe kombëtare për ta gjetur një zgjidhje përfundimtare të pranuar për të gjitha palët lidhur me kthimin dhe rivendosjen e Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së”, thuhet në kumtesën e kësaj organizate të lëshuar në prag të dy vjetorit të kësaj ngjarje.
Për OVL-n është e papranueshme që çështjet madhore kombëtare të instrumentalizohen për fushata elektorale dhe promovime partiake.
“Ne besojmë se angazhim i jonë i përbashkët për ta rivendosur Lapidarin në vendin e merituar, është një mundësi tjetër për ta rikthyer dinjitetin ton kombëtare të nëpërkëmbur dhe të përdhosur me rastin e largimit të dhunshëm të Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së”, nënvizon kumtesa, transmeton Titulli.
Tani kur kanë kaluar dy vite nga heqja me dhunë e Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së, është thelluar edhe më shumë enigma se çka ndodhi me këtë monument të dëshmorëve.
Disa orë pas heqjes së Lapidarit nga sheshi i Preshevës, portal informativ Titulli.com pat mësuar se ky monument ishte vendosur përkohësisht në bazën e Xhandarmërisë në fshatin Cakanocë, në hyrje të Preshevës, ndërsa nga fotografia shihej se ishte dëmtuar, me emblemën e UÇPMB-së të shkëputur nga pllaka.
Të kujtojmë se më 20 janar të vitit 2013, qindra forca të Xhandarmërisë së Serbisë kishin rrethuar Preshevën, me misionin për të hequr Lapidarin e Dëshmorëve të UÇPMB-së.
Ky aksion u ndërmor pas ftesës së përsëritur të Kryeministrit të atëhershëm dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, drejtuar lidershipit shqiptar të Luginës, që monumenti i UÇPMB-së të hiqet nga sheshi i Preshevës.
“Ose hiqeni vetë ose e heqim ne. Qeveria e Serbisë e ka pushtetin ekzekutiv në çdo pjesë të territorit të Serbisë”, pat porositur Daçiq.
Vlen theksuar se pllaka me emrat e Dëshmorëve të UÇPMB-së u vendos në nëntor të vitit 2012, duke u shpalosur nga kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetari i shoqatës “Lugina e Preshevës”, Fazli Musliu, në prezencë të përfaqësuesve të OVL-së së UÇPMB-së, familjarëve të dëshmorëve, invalidëve dhe qytetarëve nga Presheva e rajoni.