Që nga ardhja në pushtet e ‘Qeverisë Hoti’ nuk e kam lavduar dhe as nuk e kam mbajtur në thumb të kritikës kryeministrin Hoti, duke besuar në dijen, urtësinë, vendosmërinë e mbi të gjitha në guximin për qëndrimet e një viti më parë ndaj “Mini-Shëngenit” apo projektit për “Mini-Jugosllavinë e Re”.
Shkruan: Florim Zeqa
Histori e gjatë e dështimeve
Përderisa dështimet në bërjen e shtetit të Kosovës fillojnë me 17 shkurt 2008 me shpalljen multientik të shtetit më etnik në rajon me simbole antikombëtare, katandisja dhe rrëshqitjet nga shtetësia vazhdojnë me fillimin e procesit të dialogut të pabarabartë me Serbinë në vitin 2011, kur ish kryeministri Thaçi e pranoi fusnotën* në vend të emrit Republikë në Dialogun e Brukselit, për të vazhduar me nënshkrimin e “Zajednicës” serbe më 19 Prill 2013, e ri-nënshkruar nga pasuesi i tij Isa Mustafa më 25 Gusht 2015 në të njëjtin vend.
Mungesa e konsesuesit politik në mes subjekteve tona politike, inatet pesonale mes liderëve partiak, bajraktarizmi dhe protagonizmi iu paraprinë edhe dështimeve tjera të njëpasnjëshme deri në dështimin e fundit në Washington me 4 Shator 2020.
Nga fillimi i dialogut me Serbinë, negociatorët kosovarë nuk ishin faktorë por vetëm aktorë, nuk iu paraprinë asnjëherë agjendës së bisedimeve, duke iu shkuar çdo herë pas agjendave serbe në dialog, pa i vënë as kushtin e vetëm, e lërë më t’i kërkojnë dëmshpërblim apo njohje reciproke shtetit të Serbisë.
Edhe ri-fillimi i procesit të dialogut në fazën finale të bisedimeve e gjeti Kosovën të ndarë e të përçarë më shumë se asnjëherë më parë. Delegacioni i Kosovës në Washington shkoi pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e opozitës.
Pas një vargu të gjatë të dështimeve në dialog me Serbinë dhe politikën e jashtme në përgjithësi, presidenti Hashim Thaçi me dinakëri i la në dorë “pataten e nxehtë” kryeminstrit Hoti, i cili nuk e pati fuqinë, mbase as mundësinë e heqjes nga tavolina të pikave të marrëveshjes të përgatitura paraprakisht dhe as të mbrojtjes së pikës kruciale për njohje reciproke.
Nuk e kam pritur mrekullinë, por as dështimin në Washington
Nuk jam nga ata që kanë pritur mrekullinë në takimin e Washingtonit, siq nuk e kam pritur as njohjen reciproke Kosovë-Serbi, porqë, në asnjë rrethanë nuk e kam pritur dështimin.
Siq e kam theksuar në shkrimin paraprak, vetëm njohja nga Izraeli ishte sukses për Kosovën, por edhe ky sukses na erdhi me një kosto tepër të lartë dhe me një trajtim tepër negativ (shtet islamik) për Kosovëm nga presidenti Trump.
Njohja që na erdhi nga Izraeli (si “kompensim” për pikën e 10 të marrëveshjes), nga shteti që në prapaskenë bashkëpunon dhe e mbështet Serbinë, duke na cilësuar (Trump) si shtet islamik është fyerja dhe ndëshkimi më i madh për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Na mbetet të shpresojmë se ky ishte vetëm gaf i çastit në kuadrin e lojës elektorale të presidentit Trump!
Ndryshe, njohja e Kosovës nga Izraeli me kushtëzimin që ambasada jonë të hapet në Jerusalem është thikë me dy teha, e cila mundë t’i motivoj negativisht shtetet myslimane në tërheqjen e njohjeve, gjë e cila do ta zvogëlonte dukshëm numrin e njohjeve, për çka “dhuraten” e Washingtonit do ta kthente në fitore të Pirros për Kosovën.
Heqja e pikës së 10 për njohje reciproke nuk e paraqet dështimin e kryeministrit Hoti, i cili në vazhdimësi para këtij takimi kishte deklaruar se; “nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke”, por ishte dështim i paraardhësve të tij në dialog, të cilët asnjëherë nuk e patën guximin ta kushtëzojnë Serbinë në dialogun e Brukselit!
Madje edhe vet presidenti serb, Vuçiq para mediave e ka dëshmuar betejën e Hotit për pikën e 10, gjegjësisht për insistimin e vazhdueshëm për përfshirjen e njohjes reciproke në marrëveshje.
Shpërblim i pa merituar i Serbisë
As pesimistët më të mëdhenjë nuk e kanë pritur një shpërblim kaq të madh për Vuçiqin në Washington. Në vend që Serbia të jepë llogari për krimet gjenocidiale dhe të vuaj pasojat e luftës, shpërblehet dhe avancohet në një supërfuqi ballkanike!
T’i bëhet Vuçiqit një dhuratë kaq e madhe pa e bërë Serbia as kërkimfaljen më të vogël për vrasjet në masë të shqiptarëve të pafajshëm gjatë luftës së fundit është pak më tepër se amnistim për krimet e luftës.
Ngrirja apo siq i kanë thënë në marrëveshje moratoriumi një vjeçar për mosanëtarësim në organizatat ndërkombëtare kinse në këmbim të ndaljes së lobimit të Serbisë për ç’njohje të Kosovës paraqet paradoksin më të çuditshëm dhe veprimin politik më të dëmshëm (ngrirje) për shtetin e Kosovës!
Tani me marrëveshjen e nënshkruar, përveq ngrirjes së liberalizimit të vizave për shtetasit kosovar, ndodhi edhe ngrirja e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare!
Edhe pa njohje, Serbia detyrohet të zbatoj marrëveshjet
Pas kësaj marrëveshje kornizë, jemi larguar akoma më shumë nga njohja reciproke me Serbinë dhe anëtarësimi në BE dhe OKB, saqë vazhdimi i dialogut pa njohje reciproke në Bruksel do të jetë më i vështirë dhe shumë i mundimshëm për negociatorët kosovarë.
Megjithatë, shpresa e vetme për qytetarët kosovarë mbeten aspektet ekonomike të marrëveshjes, përkatësisht investimet kapitale të kompanive të fuqishme amerikane dhe evropiane në fusha të ndryshme infrastrukturore nga të cilat priten të hapen qindramijëra vende të punës.
Për të gjitha pikat e marrëveshjes është zotuar Shtëpia e Bardhë se do të jetë mbikëqyrëse dhe palë garantuese për implementimin e investimeve nga të dyja palët pavarësisht mosnjohjes reciproke.
Edhe pse marrëveshja e Washingtonit na doli të jetë largë pritjeve tona, me rëndësi është që është ruajtuar miqësia me SHBA-të, garantuesin e lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë. Serbia edhe pa e njohur Kosovën do të jetë e detyruar të zbatoj obligimet që ngarkohet me marrëveshje ndërkombëtare. Njëherit kjo e paraqet anën më pozitive të takimit të Washingtonit. /2LONLINE.com/