Vdes edhe një punëtor në vendin e tij të punës në Kosovë! Para së gjithash ka vdekur një njeri në moshën më të mirë të jetës, një djalë, një bashkëshort, një baba e një vëlla i dikujt tjetër, i dikujt sikur ne. Ka vdekur një kosovar që e len përgjithmonë në zi e në mjerim familjen e tij.
Shkruan: Arsim Kastrati
A mos po teprohen këto tragjedi o shtet, a je kund a nuk je hiç fare, apo je vetëm për disa e për të tjerët pak e hiç aspak – për do nënë e për do njerkë!
Vdesin djemtë e Kosovës në ndërtimtari si në front të luftës, pa mjete mbrojtëse e pa masa të sigurisë, nga12 orë punë apo më tepër çdo ditë, për 12 euro pagesë jo të rregullt, 6 ose 7 ditë në javë, pa pushim vjetor dhe pa të drejtën për pushim mjekësor!
E punëdhënësit ankohen se nuk po gjejnë punëtor, se po i kërkon Gjermania e se do të mbetet vendi ynë i dashur pa fuqi punëtore!Po pse more zotërinj kapitalist nuk i siguroni këta të gjorë që kanë ra në duart tuaja, pse nuk u jepni një pagesë dinjitoze, pse nuk i trajtoni me respekt, pse nuk keni vetëm pak mëshirë e ndërgjegje, pse nuk frikësoheni kur e hani djersën e huaj?!
Pse o politikanë të Kosovës mendoni vetëm për karrigen e pushtetit, pse punësoni vetëm votuesit tuaj, pse paguani veteranë të rrejshëm, pse e shikoni vetëm mirëqenien tuaj dhe të votuesve tuaj…pse?!
Pse o politikanë të Kosovës nuk kujdeseni pak edhe për punëtorët e sektorit privat që janë shumë, janë më shumë se sa ata që i keni punësuar në sektorët e shtetit, janë punëtor në shërbime, në prodhim e në ndërtim, janë punëtor që shumë më shumë i japin se sa që i marrin shtetit i cili do të duhej të ishte edhe i tyre, por që deri më tani i ka lënë në mëshirën e fatit të keq!
Ata janë qytetar të Kosovës si të gjithë ne dhe shteti, qeveria dhe institucionet e tjera të tij e kanë për detyrë që këtë gjendje të tyre ta ndryshojnë dhe ta kthejnë në fat të mirë për ta dhe për të gjithë kosovarët e tjerë.
Në llogarinë përfundimtare mirëqenia e individit dhe e shoqërisë janë në relacion të drejtë në mes vete.