Rezultati më i padëshiruar në një derbi për futbolldashës, sidomos tifozerinë e flaktë, është rezultati i bardhë.
Kur nga skuadrat nga të cilat priten golat, e tifozeritë përkatëse edhe fitore, e përfundojnë takimin ashtu edhe si e kanë nisur, atëherë padyshim se kjo e zbehë një derbi të shumëpritur.
E, një derbi i tillë, që përfundoi edhe pa fitues e edhe pa gola, e me fare pak raste për shënim, ishte ai që u luajt sot në Gjilan, mes skuadrave, FC Drita e FC Prishtina.
Portat e paprekura bënë që kjo mos ta arsyetojë epitetin e një kryendeshje, e duhet shtuar edhe faktin që u luajt pa prani të shikueseve për shkak se Fusha e Dritës është dënuar me dy ndeshje pa praninë e shikueseve, shkaku i incidentit që kishte ndodhur në ndeshjen Drita – Gjilani, luajtur dy xhiro më parë.
Përndryshe, ky ishte barazimi i tretë për Dritën në këtë edicion, aq sa ka edhe fitore si dhe ka pësuar dy humbje, nga këto tetë javë, duke bërë që të rangohet e pesta në tabelë të klasifikimit me 12 pikë.
Ndërsa, Prishtina është e gjashta në tabelë me 10 pikë nga dy fitore, katër barazime dhe dy humbje.
Përndryshe, në javën e nëntë, Drita luan si mysafire me Ulpianën, ndërsa Prishtina pret Llapin.
Rikujtojmë se skuadra tjetër nga Gjilani, kuq e bardhët e SC Gjilanit, në këtë javë, si skuadër mysafire, barazoi me Malishevën. SC Gjilani nga këto tetë xhiro, ka grumbulluar 13 pikë, prej tri fitoreve, katër barazimeve dhe ka pësuar një humbje. Gjilani në javën e nëntë takohet me Ballkanin. /2LONLINE.com/