Të dielën më 18 tetor pritet të zhvillohet derbi numër 33 më radhë ndërmjet Dritës dhe Gjilanit në futbollin e pasluftës në Kosovë. Gjilani do të jetë mysafir i Dritës vendase, gjersa derbit do t’i mungojë ‘ajka’, tifozët.
Derbi më i madh në futbollin kosovar, Drita – Gjilani, do të zhvillohet ditën e diele me fillim nga ora 13:30, në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës, shkruan 2LONLINE.COM.
Pandemia botërore Covid-19, ka ndryshuar jetën në cdo aspekt dhe ka prekur edhe futbollin, pasi ky kampionat nisi dhe po vazhdon pa praninë e tifozëve.
Atmosfera para këtij derbi është relativisht e qetë, por vazhdon të ketë ‘fërkime’ dhe ‘thumbime’ nga të dyja taboret.
Një gjë që po i mungon dy tifozërive tani e tri derbi është padiskutim stadiumi, aty ku “Skifterat” dhe “Intelektualët” prezantojnë koreografitë dhe paraqitjet e tyre në grup.
Hera e parë kishte ndodhur në vitin 2012, kurse hera e dytë në derbin e fundit për shkak të arsyes së njëjtë, pandemia COVID-19. Në vitin 2012 skuadra e Dritës ishte dënuar nga federata.
Drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajnë gjyqtarët gjilanas, Mervan Bejtullahu (gjyqtar kryesor), kurse Fatlum Jashari dhe Hekuran Osmani do të jenë gjyqtarë asistent, ndërkohë që Shpëtim Murtezi do të jetë në rolin e gjyqtarit të katërt.
Ndeshja do të transmetohet direkt në Art Motion dhe në Klan Kosova./2LONLINE.COM/.