Derbi i Superligës në futboll, i rivalëve lokal, SC Gjilani – FC Drita, i ka takuar skuadrës së Dritës, e cila shënoi fitore minimale, por mjaftë të rëndësishme, për të vazhduar rrugëtimin drejt synimit që ka kjo skuadër, për titullin kampion, veçmas pasi pretendenti kryesor, Ballkani, që kishte krijuar një diferencë të mirë me pikë, në këtë xhiro humbi.
Skuadra bardh e kaltër fitoi me rezultat minimal, me golin e vetëm që e shënoi Blerim Krasniqi në minutën e 67’ të takimit.
Kështu, përveç që u regjistrua si fituese e derbit, Drita tani ka regjistruar edhe tri pikë të reja, duke u pozicionuar në pozitën e dytë me 31 pikë, aq sa ka edhe Llapi, i treti (gjilanasit kanë një lojë më pak), ndërsa ka 7 pikë më pak se lideri aktual Ballkani.
Ndërkohë, skuadra tjetër gjinase, SC Gjilani ka 17 pikë dhe mban pozitën e 8-të, në tabelë, por edhe kjo skuadre ka një lojë më pak të zhvilluar.
Kujtojmë që edhe Drita edhe Gjilani, ndeshjen e pazhvilluar e kanë ndaj të njëjtës skuadër, Ballkanit.
Përndryshe, në kuadër të javës së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll, sot është zhvilluar edhe një ndeshje tjetër, Feronikeli ’74 mundi Dukagjinin me rezultat 1 – 0. /2LONLINE/