/2L ONLINE/ – Futbollisti i KF Gjilanit Ylber Kastrati është meritori që derbi i madh, që bëhet të quhet i tillë, vetëm kur akterë janë dy skuadrat gjilanase, KF Drita – KF Gjilani, t’i takojë kësaj të dytës. Ky deri i madh që vlerësohet të jetë i tillë edhe jashtë kufijve të Kosovës, e që përmbylli xhiron e shtatë të Vala Superligës së Kosovës në futboll u vendos në fund të ndeshjes, në minutat shtesë.
Përndryshe, kjo ndeshje e shumëpritur në mes të rivalëve lokal Drita – Gjilani (0-1), ashtu edhe siç është pritur, ka arsyetuar epitetin e derbit më të madh në rajon. Pas nëntëdhjetë minutash atmosfere impozante të krijuar nga tifozët e dy taboreve, ishte skuadra e Gjilanit ajo që iu gëzua fitores falë golit të vetëm të Ylber Kastratit, në fund të takimit, saktësisht në minutën e shtatë të vazhdimit.
Atmosfera e krijuar në derbin lokal Drita – Gjilani ka dëshmuar edhe një herë se qyteti i Gjilanit jeton dhe frymon për sportin më të popullarizuar në botë, futbollin. Rreth 6 mijë shikues në stadiumin e qytetit kanë qenë dëshmitarë të një arene gladiatorësh në fushën e blertë, të pakompromis pas çdo topi, sikurse edhe të një korreografie impozante nga tifozëria e të dyja skuadrave.
Numër i madh mysafirësh nga Federata e Futbollit të Kosovës, me në krye Fadil Vokrrin, pastaj përzgjedhësin e përfaqësueses Albert Bunjakun, si dhe mysafirë nga vende të ndryshme janë ndarë të kënaqur me entuziazmin e dëshmuar për futbollin në qytetin e Gjilanit, por jo sa duhet edhe me lojën e demonstruar nga futbollistët e të dyja skuadrave.
Euforia e takimit është vërejtur që në fillim brenda taboreve të skuadrave, të cilat ndonëse nën ndikimin e atmosferës dhe rëndësisë së derbit, nuk kanë arritur që në fushën e blertë të koordinohen sa e si duhet, duke rezultuar me probleme organizative në mes reparteve. Është dashur të kalojnë saktësisht 18 minuta për të parë rastin e parë më të veçuar për shënim, kur Egzon Shabani i Gjilanit doli në pozitë të mirë ballore por tentoi pa sukses. I njëjti futbollist vetëm dy minuta më vonë pati një rast por sërish mbeti I pakonkretizuar.
Edhe futbollistët e Dritës disa herë gjatë pjesës së parë tentuan të rrezikojnë por nuk ia dolën. Edhe pjesa e dytë ishte e balancuar, dhe e kujdesshme nga të dyja palët, ndërkohë që rastet më të mira për shënim kishin futbollistët e Gjilanit të cilët disa herë rrezikuan seriozisht portën e Artan Latifit.
Atmosfera e elektrizuar në stadium kishte ndikuar që ndeshja kohë pas kohe të ndërpritej deri në largimin e mjegullës së shkaktuar nga mjetet piroteknike, për c’gjë referi ndihmës kishte sinjalizuar për 12 minuta lojë shtesë. Kur po zhvilloheshin shtatë minuta nga loja shtesë, në skenë del mbrojtësi i skuadrës së Gjilanit Ylber Kastrati, i cili pas krosimit të Eminhazirit nga krahu i majtë, u gjend më së miri në tollovinë e krijuar para portës së Dritës, duke gjetur saktë portën e Artan Latifit.
Skuadra e Dritës për pak nuk arriti të barazojë kur Leotrim Kryeziu i inkuadruar në pjesën e dytë, gjuajti bukur me kokë por edhe më bukur intervenoi portieri i Gjilanit Maloku. I njëjti futbollist vetëm disa sekonda më pas tentoi edhe një herë në mënyrë akrobatike për ta befasuar në fund portierin e Gjilanit, por tentimi i tij mbeti i pasuksesshëm.
Pas ndeshjes janë prononcuar edhe dy trajnerët, ai i Dritës Amir Alagic dhe Arbnor Morina i Gjilanit. Në fjalën e tij Morina foli për atmosferën e krijuar në këtë derbi duke u shprehur se për këtë lloj derbi vuan i gjithë Ballkani. Morina ka thënë se të dyja ekipet treguan lojë të bukur, por Gjilani ishte më i përgatitur fizikisht dhe psiqikisht, luajti lojë të hapur andaj edhe konkretizoi një rast.
Ndërsa trajneri i Dritës Amir Allagic, është shprehur të jetë i entuziazmuar nga atmosfera e krijuar në ndeshje, por duke u shprehur të jetë ndjerë i pakënaqur për rezultatin përfundimtar, ndërkohë që ka potencuar se kjo është situate aktuale në KF Drita. Ai më pas ka potencuar se deri në dhjetor do të tentohet gradualisht të bëhen avancime në skuadër, kur edhe përfundon ky stinor, dhe fillon afati i transferit të lojtarëve.
Një prononcim për media pas ndeshjes ka dhënë edhe golëshënuesi i vetëm Ylber Kastrati, i cili është shprehur të jetë ndarë i kënaqur pasi pikërisht goli i tij vendosi epilogun përfundimtar të takimit. /2L ONLINE/