DERA E JONË PA KUPTIM
SHEFIK SHKODRA
Merr vesh për hatër të vatrës jetime!
Mos i digjni tapiat e kësaj toke martire
derisa arrini në këtë rrugë prej asaj ane
me mbushje fryrë kraharorin si rrëshiq
gjysmë frymëmarrje për jetë të dyshimtë
derisa kthimi në të njëjtën vijë ndodhet
prapë gjysmë fryma e ngujuar në koshiq
çakallët e përjagur mezi presin e rrëmbejnë
çdo gjë mund ta ndërrojnë arë e livadhe
s’do t’i harroni endjet – ku është dera jonë
Kopshtit blerimi i tharë për vjeshtë e verë!
Shumë vite e shekuj kaluan e lamë pas
trishtimi shënoi kronika përseritëse
dhe e di jeni lodhur kurrë pa u ndalë
verë-dimër e dimër-verë sytë pa terë
duke kapërcyer atë të dashurin prag
stinët ikin shpejt e vrullshëm rrotullim
si lojë fëmijësh kur ndjekin njëri-tjetrin
krahu këput tojën e fatit me aq hidhërim –
Gjithë përkohshëm shtegtarë pa derë çelë!
Lamë mendje dhe kujtesë këtu ku u lindëm
bythën e kemi bart në largësi përtej botës
e harruam dhe sytë në cilën anë i mbajmë
dhe i kërkojmë me letra përherë në dogana
ku qëllojmë na shkoi gjallimi me prekje frike
duke pyetur kangjalozë dhe shtihanë të tjerë –
a është këtu-aty kjo rrugë e derëvendi e jona?!
Veç një ndjenjë malli e dhimbje të djeg zjarr!
Merr vesh saherë na lajnë lotët e vaktë në ballë
aq shumë rrëmbehemi në fjalë e këngë flakë
pastaj shpejt shuhet afshi për dashuri me fikë
i harrojmë dhe plagët që këtë truall e kanë kallë –
e shpiku dikush misterien e kobit pa emër mik
i dha dikush forcë rrokullisjes së enëve si magji
nuk marrë vesh veç një vaj si në ëndërr kur shoh –
ky shtegtim s’është pa ndjenja as krejt mitik
Mos ikni prej derës tuaj në thurima veç fëlliqtë!…
Pelegrinazh i djallit e t’birit q’më shëmtove
me gjithatë gumzhimë të llahtarit me atë mallë
gjurmët kthehem t’i numëroj e të mos i fshij
duart hapur në përshëndetje me aq përvajime
stacioneve të errëta mbeten imazh muhaxhirësh
Mos i braktisni foletë e goditura në këto troje!