Kuvendi i Kosovës, Programi për Edukim Qytetar nëpërmjet Forumit për Transparencë dhe në bashkëpunim me NDI, me rastin e Ditës së Kushtetutës, mbajti sot aktivitetin “Ballë për ballë me deputetin” me nxënës filloristë të shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë.
Në këtë aktivitet e pranishme ishte deputetja e Parlamentit të Kosovës Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e Forumit për Transparencë, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Deputetja Kryesiu-Hyseni bëri një prezantim rreth përmbajtjes së Kushtetutës së Kosovës, me theks të veçantë rreth të drejtave dhe lirive të fëmijëve. Ajo tha se Kushtetuta e Kosovës si akti më i lartë juridik në të cilën janë të përfshira Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Fëmijëve, nëpërmjet neneve të saj garanton liritë dhe të drejtat e fëmijëve, duke siguruar kështu, një mjedis të qetë në mbrojtjen dhe zhvillimin e harmonishëm të fëmijëve, për të gjithë, pa dallime kulturore, etnike apo edhe fetare.
Tutje, pasoi debati me ç’rast nxënësit filloristë, nëpërmjet një bashkëbisedimi me deputeten u interesuan rreth ligjit për familjen, ligjit për arsimin dhe edukimin, lirisë së shprehjes dhe mendimit, për punën e Kuvendit, si dhe çështje tjera rreth Kushtetutës dhe akteve të tjera juridike. Filloristët morën përgjigjet nga ana e deputetes Kryeziu-Hyseni, për pyetjet e parashtruara.