Anëtarët e komisionit parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale kanë vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Univeritar të Kosovës.
Në takim me drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, janë njoftuar në lidhje me masat që ka ndërmarrë SHSKUK për mbrojtje, parandalim dhe trajtim të mundshëm të rasteve të prekura me Coronavirus.
Duke folur para anëtarëve të këtij komsioni, drejtori Sejdiu, njoftoi se SHSKUK ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për furnizim me pajisje, maska, dorëza, respiratorë, por edhe hapat e tjera që bazohen në kërkesën dhe planin e veprimit.
Ai njoftoi, se QKUK ka edhe 20 respiratorë rezervë dhe ka planin B të veprimit që në rast nevoje të rritet numri i respiratorëve për menaxhim të rasteve me coronavirus, respiratorë këta që mund të vendosen në objektin e ri të mjekësisë sportive.
Pas interesimit të deputetëve, drejtori ka sqaruar se masat janë ndërmarrë edhe në kuadër të spitaleve të përgjithshme.
Sipas tij, këto mjete mbrojtëse janë blerë përmes blerjes urgjente dhe klinikat e vijës së parë të kontaktit me pacientë, si infektivja, emergjenca, pediatria janë furnizuar.
“Kemi pasur takime edhe me drejtorët e spitaleve regjionale dhe të gjitha përgatitjet që janë bërë në QKUK, janë bërë edhe në spitalet rajonale. Ka përgattje me shtretër, me infektologë. Kemi bërë kërkesë që referimet mos të bëhen pa nevojë pë në QKUK”, tha ai.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj tha se qëllimi i vizitës ishte njohja me masat e marra nga SHSKUK, për përballje me rastet e mundshme të të prekurve me coronavirus.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Klinikën Infektive, Lindita Berisha, tha se janë 24 orë në gjendje gatishmërie.
Duke shpjeguar kapacitet e klinikës, dr. Berisha, tregoi se kanë 120 shtretër dhe 19 dhoma me oksigjen qendror, 6 shtretër në mjekim intensiv.
Deputetët, u interesuan në lidhje me furnizimin me oksigjen, gjendjen e higjienës, shtimin e stafit infermierëve dhe pytje të tjera, për të cilat drejtori i SHSKUK-së, u shpjegoi se janë ndërmarrë masat e duhura.