Delegacioni nga parlamenti i Shqipërisë të shtunën ka zhvilluar një vizitë pune në Luginë të Preshevës. Delegacioni i përbërë nga deputetë shqiptarë si dhe ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka, kanë qëndruar në Preshevë dhe Bujanoc, ku në fokus kryesor ishin arsimi dhe respektimi i të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon.
Deputetët nga Shqipëria vizitën e kanë filluar me takimin në Preshevë me kryetarin e komunës, Ragmi Mustafa, për të vazhduar më pas në Bujanoc, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar me kryetarin Jonuz Musliu.
Siç i ka thënë portalit informativ Titulli.com kryetari i KKSH-së, deputetët nga Shqipëria janë interesuar për gjendjen në Luginë të Preshevës, rreth problemit të teksteve mësimore, shlyerja e shqiptarëve nga evidenca, mediat si dhe fushat tjera me rëndësi për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Udhëheqësia e Luginës e ka vlerësuar shumë me interes këtë takim, ndërkohë pas kësaj vizite të deputetëve shqiptarë, pritet që edhe një delegacion nga Lugina e Preshevës të qëndrojë në Shqipëri, duke vendosur kështu marrëdhënie të rregullta bashkëpunimi mes shqiptarëve në Luginë dhe Shqipëri.