Në vazhdën e aktiviteteve që synojnë promovimin e kulturës së transparencës parlamentare, rritjen e komunikimit me publikun dhe llogaridhënien, si dhe në funksion të realizimit të Planit të Veprimit për Kuvend të Hapur e Planit vjetor të punës së Forumit për Transparencë Parlamentare, deputetet Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kryetare e Forumit dhe Blerta Deliu Kodra e Albana Bytyqi, anëtare, bashkëbiseduan sot me studentë të “UNI-Universum International College” në Prishtinë.
Në një diskutim të hapur, ligjvënëset paraqitën para studentëve të gazetarisë, drejtësisë, shkencave politike e të gjuhës angleze aspekte të punës dhe rolit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe të veprimtarisë praktike të deputetëve në realizimin e detyrave të tyre kushtetuese e ligjore.
Studentët me pyetjet dhe diskutimet e tyre u angazhuan në aspekte të ndryshme të veprimtarisë parlamentare, rolit e përgjegjësive të deputetëve, si dhe në çështje të tjera që preokupojnë të rinjtë dhe grupet e tjera shoqërore. /2LONLINE/