(2L ONLINE) – Tani pothuajse edhe në nivel vendi, hapësirat e fshatit Stanishor të Novobërdës janë të njohura si vende rekreative të përshtatshme për pushim dhe relaksim. Vikendeve, apo në ditë të caktuar qytetarë të shumtë edhe ia mësyjnë për atje për të kaluar një ditë pushimi. Po ashtu, është një grup i njohur si “Vullnetarët e mëngjesit”, të cilët përveç që i kanë kryer deri më tani ushtrimet atje, për çdo mëngjes, janë përkujdesur shumë edhe për pastërtinë, madje aty përveç ulëseve ka pasur edhe elemente përcjellëse qoftë për ushtrime qoftë për relaks tjetër, që i kanë vendosur vullnetarët në bashkëpunim me komunën.
Por, ja që siç shihet edhe në këto foto, një dorë e keqe e interesuar për t’i shëmtuar bukuritë natyrore i ka dëmtuar ulëset që janë të vendosura aty. Po ashtu të dëmtuara janë edhe disa pjesë të tjera që janë përdor për ushtrime, pastaj disa ora që kanë qenë të vendosura, është shqyer flamuri i vullnetarëve, por edhe është degraduar hapësira me mbeturina të shumta.
Njëri nga ata që i ka përjetuar keq këto demolime e degradim të kësaj pjese është edhe Osman Ibrahimaj, vullnetar i mëngjesit, frekuentues i përditshëm i kësaj pjese tani e 14 vite. Ai ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se është shokuar sot kur ka dalë në mëngjesin e hershëm dhe i ka parë të demoluara ulëset, por edhe dëmtime tjera, por dhe degradimin e hapësirave nga mbeturina të shumta.
Ai ka bërë të ditur se rasti është lajmëruar në policinë e Kosovës, në Novobërdë, por tani për tani, nuk ka informacione zyrtare nga policia se kush ka mundur t’i dëmtojë ato.
Ndryshe, duhet mund i madh që pjesë të tilla të natyrës të krijohen për relaksime dhe të ruhen, ndërsa po shihet se duhet fare pak mund që ato të degradohen, kur njerëzit që e bëjnë atë degradim nuk janë në paqe me natyrën. Marre për ta! /2 ONLINE/