/2L ONLINE/ – Para se të hyjmë në zbërthimin e çështjes në hollësi, është mirë që paraprakisht të analizojmë Kosovën dhe rrugëtimin e saj deri këtu. Kosova si tërësi territoriale e shpallur shtet më pak se një dekadë, që në disa raste njëanshmëria e shpalljes ka ngjallur edhe hezitime për njohjen e saj nga shumë shtete edhe pse pjesa dërmuese e tyre e kanë bërë një akt të tillë.
Andaj edhe funksionimi I saj në tërë territorin e shpallur të pavarur dhe me sovranitet të plotë të kontrolluar nga qeveria e instaluar në Prishtinë, bënë që shteti të mos jetë funksional, e që në arenën ndërkombëtare përkundër shumë fakteve pro, kanë ngjallur dyshimet e mundësisë që ky shtet të funksionojë normalisht dhe të ecë vetë me subjektivitetin e shpallur njëanshëm.
Pra kjo u pa edhe në votimin e UNESCO-s ku pranimin e Kosovës nuk e votuan as shtetet që para pak vitesh e kishin njohur shtetësinë e saj e lëre më që të merr votë nga shtetet që ende nuk e kishin bërë një akt të tillë. Suma sumarum, diplomacia e brishtë, stafi joprofesional, mosangazhimi I shteteve mike të Kosovës për shkak të krizave nëpër vendet apo agjendat e tyre jashtë vendit në njërën anë dhe lobimi serb e sidomos duke e përdorur kartën fetare gjegjësisht viktimizimin e një populli të krishterë ndaj atij me shumicë muslimane, ka bërë që jo vetëm njohësit por edhe investitorët më të mëdhenj në Kosovë siç ishte Japonia, të votojë kundër pranimit, de facto kundër subjektivitetit të pavarur të Kosovës në UNESCO.
Prandaj pas këtij akti, qeveria e Serbisë bashkë me UNESCO-n është e pranishme me investime në kalanë e Novobërdës pa interferimin e qeverisë së një shteti të pavarur dhe Sovran të shpallur pak më pak se një dekadë.
Faktorizimi i shtetit para integrimit perëndimor të tij
Pasi që brishtësia e sovranitetit dhe menaxhimi I tij del të jetë I rrezikuar nga faktori I brendshëm dhe aferat e ndryshme, në të njëjtën kohë kemi elemente të cilat tregojnë se Kosova po fillon t’i përmirësojë gabimet e bëra deri më tani, duke e fuqizuar rolin e brendshëm përmes kontrollimit të disa resorëve dhe këtë më së miri e shpjegojnë veprimet si:
1. Heqja përfundimtare e barrierave mbi lumin Ibër që u vunë me pajtimin e faktorit ndërkombëtar duke planifikuar investime milionëshe nga BE-ja për rivitalizimin e asaj pjese të vendit duke e integruar si një tërësi,
2. Plasimi I disa telefonatave të cilat bëjnë që të pasqyrohet funksionimi I shtetit dhe aftësimi I vendeve të punët me militant, familjarë dhe jo njerëz të aftë e profesional,
3. Shpallja e disa padive nga prokuroria e shtetit për krim të organizuar dhe korrupsion nga radhët e qeveritarëve.
4. Ngjallja e një debati të inicuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-të për çështjen e kufirit Kosovë-Mali I Zi.
Krejt kjo na jep një pasqyrë që shtetësia e Kosovës po shkon drejtë konsolidimit më të fortë të saj nga brenda e që është edhe një sihariq I mirë për një të ardhme shumë më të sigurt .
Aftësia për marrëveshje ndërkombëtare
Kosova si subjekt I pavarur dhe Sovran karshi Malit të Zi I cili qëndron I barabartë në një fqinjësi të mirë dhe I cili është ndër dhjetë shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, tani po negocion apo thënë më mirë pritet ndoshta edhe të rinegociojë çështjen e kufirit me Kosovën pasiqë qytetarët e saj mendojnë se nga përfaqësuesit politik të saj është shkelur betimi I dhënë duke e falur një pjesë të tokës.
Me këtë shkak tregohet se aftësia për të bërë marrëveshje ndërkombëtare, e që është edhe njëri ndër kushtet kryesore në të drejtën ndërkombëtare për një shtet të pavarur dhe Sovran, por që Kosova në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, bazuar në përshtypjen qytetare nuk e ka treguar një aftësi të tillë andaj kjo është edhe një shkak që shtet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të vazhdojnë të mos e njohin atë për shkak të paaftësisë së saj për të bërë marrëveshje me shtetet tjera, e që precedani me Malit të Zi është argumenti më I mirë.
Fuqizimi i shoqërisë civile
Nga debati I dalë me kërkesë të BE-së kinse “si kusht për liberalizim të vizave” e I mbështetur nga SHBA-të, prej ballafaqimit të dy komisioneve, atij profesional dhe qeveritar, ka dhënë edhe argumentin kryesorë se “jo të gjithë janë pjesë e politikës por ka të tillë që e ruajnë veten në rrafshin profesional në anën e shoqërisë civile”
Ky argument është edhe sebep I mburrjes dhe krenarisë së një populli I cili para dy viteve nga zhgënjimi kolektiv mori rrugën e mërgimit përmes Hungarisë por që tanimë gradualisht po I kthen shpresat duke e ngritur zërin e arsyes me argumente dhe arsye për të cilat mund të kërkojë të ballafaqohet me ndonjë çështje që mund të konsiderohet e padrejtë, siç po e konsiderojnë një pjesë e saj sot.
Suma sumarum
Akti I tillë së pari e ka bërë të pavlefshëm edhe kushtetutën e Serbisë në të cilën kufiri I shtetit puqet me atë të Malit të Zi duke e cituar se Kosova dhe Metohia janë pjesë përbërëse e saj. Ky akt dhe demarkacioni si çështje mund të mos ratifikohet, mund ndoshta edhe të ratifikohet por ka gjasë që të procedohet edhe për Arbitrazhin ndërkombëtar, veç se me këtë rast po konfirmohen dy çështje shumë me rëndësi se:
1. Republika e Kosovës është duke negociuar me Malin e Zi si dy shtete të pavarura të njohura reciprokisht ndërmjet veti,
2. Kushtetuta e Serbisë bjenë poshtë pasi që sovraniteti I saj nuk ka shtrirje deri në kufirin me Malin e Zi por ajo përfundon në kufirin ndërmjet Kosovës (si krahinë e dikurshme e Jugosllavisë që tanimë është e shpallur shtet I pavarur dhe sovran) dhe republikës së Serbisë.
3. Kosova është e aftë të negocijojë si subjekt I pavarur në arenën ndërkombëtare veçmas kur në mes të Evropës e sidomos kur ka të bëjë me çështjet e njëjta të cilat disa shtete si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Polonia, Franca, Spanja, Greqia e Maqedonia ende nuk I kanë të përmbyllurë tërësisht me fqinjët e saj.
4. Është rasti më I mirë që sovraniteti I ushtruar në këtë rast dhe zgjidhja e kontestit, jep kurajo sidomos për pesë shtetet anëtare të BE-së që të paktën të mos janë kundër integrimit të plotë të Kosovës në strukturat e BE-së si dhe të shtohet besimi në institucionet vendore në arenën ndërkombëtare.
Derisa në protestë pres maturi, civilizim dhe pjekuri qytetare, gjithashtu marr guximin të konkludojë oj se përkundër brishtësisë dhe axhamillëkut institucional, megjithatë Kosova është e gatshme dhe ka kapacitete të marr përsipër të gjitha aktet e firmësuara dhe të ratifikuara nga përfaqësuesit e tyre dhe të ju dal zot atyre. /2L ONLINE/