Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me skandalet e njëpasnjëshme që po ndodhin në këtë institucion.
Nënkryetari i komisionit, Fadil Demaku ka deklaruar se rastet e skandaleve që kanë ndodhur në AKI, janë jo të pakta, e sidomos rasti i fundit, i cili ka ndikuar shumë në zbehjen e imazhit, reputacionit dhe besueshmërinë e këtij institucioni.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, duke vlerësuar shqetësues faktin e skandaleve në AKI, tha se Policia e Kosovës dhe AKI-ja, i kanë shpallë luftë njëra-tjetrës.
“Është vërejtur se ka filluar një luftë e hapur në mes AKI-së dhe Policisë e që lidhet me verifikimin, pasi disa policë nuk e kanë kaluar këtë proces”, tha ai.
Kurse, të premten Komisioni do ta ftojë për raportim drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj, ndërsa javën e ardhshme inspektorin e përgjithshëm të AKI-së.
Në këtë mbledhje u kërkua edhe raportimi i kryeministrit, mirëpo nënkryetari Fadil Demaku tha se ligji nuk ua lejon që kryeministri të jetë fizikisht në Komision por mund të kërkojnë që t’i shikojnë raportet që AKI-ja ia dërgon kryeministrit.