Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se Qeveria nuk ka mundur ta ndalojë vizitën e kryeministrit serb, Ivica Daçiq, në Kosovë, pasi, sipas tij, kjo Qeveri është e lidhur me këmbë e duar nga Evropa.
Ai ka deklaruar se edhe këtë herë Evropa është duke u treguar e padrejtë ndaj Kosovës. Pavarësisht se është thënë se vizita e Daçiqit do të ketë karakter fetar, Demaçi e mendon të kundërtën. “O lëreni atë punë, se Daçiqi për politikë po vjen në Kosovë. Ai popë nuk është. Kurrfarë feste fetare nuk ka në Kosovë të shtunën”, është shprehur Demaçi në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se Serbia është duke tentuar të krijojë një “Republika Serpska” në Kosovë e këtë, sipas tij, mund ta ndalojë vetëm kancelarja gjermane Angela Merkel.