(2L ONLINE) – “Gjuha e kaltër” po i mbyt delet edhe në komunën e Gjilanit e institucionet komunale, për praninë e kësaj sëmundje edhe në territorin e komunës së Gjilanit, janë njoftuar vetëm para pak ditësh nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, ndërsa tek sot, atyre në derë iu ka trokitur edhe blegtori i parë i cili ka treguar për dëmet konkrete, andaj edhe janë alarmuar për të ndërmarr veprime urgjente.
Ramiz Ramadani, drejtor i Drejtorisë Komunale për Bujqësi, ka konfirmuar për Portalin 2L ONLINE. se para pak ditësh ishin kontaktuar nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, se edhe Gjilani është vatër e prekur nga kjo sëmundje, ndërsa vetëm sot iu është paraqitur blegtori i parë që ka alarmuar se kopenë e tij e ka prekur “gjuha e kaltër’.
Ramadani tha se menjëherë janë mobilizuar si drejtori dhe se ka anuluar takimet e parapara për sot dhe të merret me këtë çështje, sepse tani, pas veprimeve të ndërmarra i kanë informacionet se në dy fshatra të komunës kemi të bëjmë me të prekurit nga “Gjuha e kaltër”. Delet e fermerëve Skender Baftiu në Zhegoc dhe delet e fermerit Ibush Agushi nga Godeni janë prekur nga “gjuha e kaltër’.
Ai bëri me dije se me Ibush Agushin është takuar dhe ka mësuar se atij deri më tani i kanë ngordhur 20 dele, dhe i cili, për shkak të kundrimit të rëndë dhe frikës nga infektimi i të tjerave, i ka groposur vet, ndërsa në Zhegoc, sipas Ramadanit, ka kontaktuar me blegtorin e dëmtuar, dhe janë duke u bërë gati për të siguruar mekanizëm dhe shkuar qysh sot atje për të bërë groposjen e deleve të ngordhura të blegtorit Skender Baftiu, të cilat janë ende mbi dhe.
Ai tha se ka angazhuar edhe stafin e tij, për të dal në terren dhe për t’u marr të gjitha veprimet e që parashihen lidhur me këtë çështje.
Ndonëse, nga komuna u përmenden vetëm dy fshatra ku janë lajmëruar raste të tilla, megjithatë gjendja të terren është më alarmuese dhe kjo sëmundje mund të ketë prekur afër 70 për qind të fermerëve gjilanas.
Kjo mësohet nga përgjegjësit e Kompanisë “Fauna” e kontraktuar nga Agjensoni i Ushqimit dhe Veterinarisë për të përcjellë gjendjen epidemiologjike në terren.
Edhe gjatë kontaktit të Portalit 2L ONLINE me Driton Zeqirin, shef i Stacionit Veterinar në “Fauna”, ai me ekipin e tij ishte në terren duke bërë kontrollimin e deleve.
Ai ka bërë me dije se i përgjigjen kërkesës së çdo fermeri për të dal në terren dhe se sipas tij deri më tani i kanë marrë 72 kampione (mostra) të gjakut të cilat janë dërguar në Prishtinë në Agjensionin e Ushqimit dhe Veterinarisë për konfirmim apo jo të kësaj sëmundje. Megjithatë, Zeqiri thotë se në bazë të shenjave klinike kemi dyshimin e bazuar se kemi të bëjmë pikërisht me sëmundjen në fjalë dhe se sipas tij nga kjo mund të jenë të prekur deri 70 për qind e fermerëve të komunës.
Sipas tij, deri më tani kanë qenë në shumë vende ku janë ftuar nga fermerë si në Zhegër, Goden, Kinshapole, Gumnishtë e Epërme, Cërnicë, Përlepnicë, Vërbicë e Zhegocit dhe Zhegoc.
Zeqiri ka kërkuar nga blegtorët që të ndërmarrin masa nëse kanë mundësi për të bërë dezinfektimin e stallave dhe vendit rreth saj, t’i lëshojnë delet herët në mëngjes apo natën, ndërsa delet e ngordhura të groposen por nga veshët t’u merren numri i matrikulimit. Përndryshe, ai ka konfirmuar se tek disa fermerë kanë hasur edhe në dele të ngordhura, të cilat sipas tij, deri më tani mund të jenë mbi 50 sosh.
Përndryshe, fermerët thonë se ka javë që nëpër disa fshatra të komunës së Gjilanit, por edhe të komunave fqinje, kjo sëmundje virale ua ka prekur kopetë dhe po ua shfaros delet. Shumica e blegtorëve të cilët ballafaqohen me këtë problematikë ndër burimet kryesore të jetesës e kanë blegtorinë kështu që ndërmarrja e masave për trajtim të kafshëve të sëmura dhe parandalimi i përhapjes së infeksionit tek të tjerat është jetik për ta.
Fermerët thonë se po ndërmarrin gjithçka që ata kanë në dorë për t’u parandaluar përhapja e infeksionit edhe tek delet tjera, por se kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për t’u përballur me këtë sëmundje që po ua mbyt delet.
E, njëri ndër ata blegtorë që “gjuha e kaltër” ua ka prekur delet është edhe Skender Baftiu nga fshati Zhegoc i komunës së Gjilanit. Baftiu i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se kërkon adresa të sakta ku duhet të adresohet në mënyrë që të ndihmohet edhe ai, por edhe të ruhen të tjerët sepse nuk do të që sëmundja të përhapet tutje.
Baftiu ka gati mbi 160 dele dhe ka javë që sëmundja i ka ra në kope, dhe ja ka mbyt gjerë më sot gati 20 dele, por ka edhe të tjera që janë të sëmura dhe mund të cofin në çdo moment. Ai thotë të ketë njoftuar veterinarët e Kompanisë “Fauna”, të cilët kanë qenë në vendngjarje ndërsa për sot kanë paralajmëruar daljen në terren edhe përfaqësues të sektorit të bujqësisë nga Drejtoria Komunale e Bujqësisë.
“Problem po e kam me delet që sëmundja po i mbyt. Më duhet ndihma për t’i groposur ato. Nuk dua që sëmundja të përhapet tutje andaj më duhet ndihma e shtetit sa më parë. Delet që cofin nga kjo sëmundje kanë edhe aromën më ndryshe , më të rëndë dhe më të padurueshme. Pres ndihmën e institucioneve që të zgjidh problemin e groposjes së tyre, por edhe ndihmë me trajtimin e të sëmurave dhe ruajtjen e të shëndoshave”, ka thënë Baftiu.
Ndërkohë që tek sot, është parë që komuna e Gjilanit të merret më seriozisht për luftimin dhe çrrënjosjen e sëmundjes, që në disa vende të rajonit, sikur shembull në Maqedoni apo në disa komuna të Luginës, ka javë të tëra qysh se është shpallë gjendje emergjente madje është ndaluar edhe shitblerja e tyre dhe shteti po merret me të.
Përndryshe, burimet e 2L ONLINE thonë se nga kjo sëmundje janë prekur edhe kopetë e fermerëve të komunave fqinje Kamenicë, Novobërdë e Viti.
Nga ana e tij, Alban Spahiu inspektor i Veterinarisë pran drejtorisë Komunale të Bujqësisë në Gjilan ka bërë me dije se kjo sëmundje shkaktohet nga mushkonjat. Ka prekur vendet tjera dhe tani edhe në Kosovë është prezente.
Sipas tij, kjo sëmundje nuk është e rrezikshme për shëndetin e njeriut ndërsa mund të jetë fatale për dele. Sipas tij edhe lopët preken nga kjo sëmundje virusale por ato për shkak të imunitetit e kalojnë më lehtë.
Si masa të sigurisë janë ndalimi i lëvizjes së kafshëve, dezinfektimi i fermave, vaksinimi dhe trajtimi i deleve të sëmura si dhe groposja e deleve të ngordhura.
Kur, jemi te groposja, Alban Spahiu ka thënë se kjo duhet gjithsesi të bëhet në mënyrë që mushkonjat mos të vijnë në kontakt me delet e ngordhura se pastaj mund të infektojnë delet e shëndosha. Përndryshe, ai tha se kjo sëmundje nuk bartet nga delja në dele, por vetëm nga mushkonjat infektuese. /2L ONLINE/