Afërdita Morina-Biffar
/2L ONLINE/ – Dilemat dhe pikëpyetjet se pse te deleguarit nga terreni në Kuvendin e LDK-së ia dhanë votën, e me votë besimin liderit aktual të LDK-së, kryeministrit të Kosovës, kanë përgjigje logjike dhe të shëndoshë. Sepse… po ta ndërronim liderin e partisë në këtë periudhë dhe po të nxirnim partinë tonë nga koalicioni, i bie se do ta rrëzonim Kryeministrin që vjen nga radhët tona. Nuk mbaj mend të kam lexuar apo dëgjuar të ketë ndodhur një gjë e tillë as në vendet me demokraci më të zhvilluar në botë.
Po të ndodhte kështu, ne LDK-ja dhe Kosova, do të ishim rasti i parë që partia e rrëzon Kryeministrin e vendit, i cili është edhe lideri i partisë. Meq Kosova për shumë gjëra ka treguar që është Sui Generis, atëherë edhe po të kishte ndodhur një gjë tillë, nuk e besoj se do ta kishim befasuar dikë sepse edhe ashtu tashmë njihemi si vend i cudirave !!!
Një tjetër pikë vështrimi do të ishte që nuk mund të ketë vazhdimësi e as stabilitet partiak dhe shtetëror nëse lojaliteti ndaj liderit do të zhvendosej shpesh, aq shpesh, sa herë një i dytë apo i tretë në parti dëshiron të bëhet i pari.
Demokracia, as në parti, e as ne vend, nuk guxon të kuptohet si anarki, ani që si shoqëri kemi dhënë shembuj se jemi të prirur shumë nga kjo e dyta. Perfundimisht do të duhej ta kuptojmë që lojaliteti duhet të jetë më shumë për qëllimin se sa për mjetin – e partia është mjet, qëllimi është zhvillimi i vendit tone, Kosovës tonë, që ka ngecur e po numëron në vend tash e sa vite pa bërë një hap përpara.
Shkuarja në zgjedhje të reja në këtë moment, kur përpara vendit janë vendime të rëndësisë jetike për të ardhmen e Kosovës, jo vetëm që nuk do të shkonte në favor të subjektit tonë politik, por çka është esenciale nuk do të ishte as në të mirë të Kosovës, e cila pos zgjedhjeve të njëpasnjëshme, gjë tjetër nuk ka bërë viteve të fundit. Për më tepër rezultati zgjedhor nuk është se do të prodhonte një konfigurim ndryshe të spektrit politik nga ai i vitit të kaluar. Pyetja 1 milion dollareshe është : Cka pas zgjedhjeve ? Një “bllok” të dytë ? Një paralizim të jetës institucionale sërish ? Apo një koalicion me të njëjtën parti, por pa ndryshime esenciale përveç atyre kozmetike, të emrave e individëve nëpër postet qeveritare?
E pra, të dashur bashkëpartiak, ja pse Liria dhe lojaliteti duhet të shkojnë krah për krahu, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm, interesi i vendit tonë dhe e ardhmja e tij. A nuk do te duhej qe ky interes të mbizotëronte përtej zhgenjimeve tona se me kënd detyrohemi të bëjmë koalicion apo përtej dëshirave për të ndërruar liderin e partise ?!!!
Interesi i Kosovës shkon përtej aventurave dhe akrobacioneve tona politike!
Situata jo të lehta ka kaluar LDK-ja ndër vite, por ne gjithmonë kemi gjetur forcë ti tejkalojmë ato dhe të ngritemi mbi zhgënjimet dhe pakënaqësit e rastit. Jam e sigurt që do të qëndrojmë sërish bashkë, do ta shohim njëri tjetrin në sy dhe do t’i shtrëngojmë duart fort me premtimin se jemi bashkë dhe gati për sfidat e reja që na presin ne dhe Kosovën. /2L ONLINE/