Emin AZEMI
DEKODIMI I POROSIVE POETIKE TË RAMADAN MUSLIUT
Ky libër që kemi sot në dorë, ka një kuptim përtej simbolikës që lidhet me njëvjetorin e shkuarjes në amshim të poetit Ramadan Musliu. Ky libër pra është vetë tipologjia e një verbi poetik, i cili vjen i sintetizuar në formë të asaj tërësie unike e cila arrin të pajtojë harmoninë estetike të shprehjes poetike dhe anën përmbajtësore të ideogrameve që vijnë në formë të zërave të brendshëm në vetë qenësinë e mikrokosmosit.
Ata që nuk kanë pasur rastin ta ndjekin vazhdimësinë krijuese të Ramadan Musliut, tani do të mund të rigjejnë një autor pak a shumë të rifreskuar në kujtesën tonë, i cili del në pah me gjithë gamën e plotnisë së tij poetike,e shpërndarë në gjashtë vëllimet me poezi të shkruara para se të ndërronte jetë.
Cila është merita e përzgjedhësit të poezive që ndodhen në këtë libër? Do t’i hynim në hak ndoshta autorit të këtyre poezive nëse themi se Anton Nikë Berisha me këtë përzgjedhje na ka ofruar një portret krejt të ri poetik të Ramadan Musliut, po ama është e pashmangshme bindja që na imponohet se përgjegjësinë për këtë metodologji përzgjedhëse, Anton Berisha sikur e ka nda me vet autorin e kësaj materie letrare, teksa në hyrje të librit ka veçuar një mendim thelbësor të Ramadan Musliut, e që shpreh edhe pikëpamjet mbi artin poetik përgjithjslsisht:“[…] poezi është një prej atyre arteve që aktin e ripërtëritjes e ka më shumë si një gjenerim të brendshëm, gjenerim permanent, të vazhdueshëm dhe pikërisht kjo na bën me dije se poezia e mire është ajo e vetë ripërtëritura, ajo që vjen si shprehje sintetike, por që në thelbin e saj është një perceptim i ri, pushtim i një hapësire të re të emocionit dhe një pasqyrim i aftësisë gjeneruese të vetë gjuhës…”
Anton Nikë Berisha, për ta përforcuar këtë mendim të Ramadan Musliu, është shumë i vetëdijshëm se me këtë system poetic që po na sjell në formë të këtij libri, në fakt ka dashur të na e konfirmojë se poezia e këtij poeti hyn në rrethin më të ngusht të veprave që bëjnë kulmin e poezisë bashkëkohore shqipe. Sigurisht që ky konstatim nuk ka mundur të bëhet pa një rilexim të kujdesshëm që ia bën Anton Berisha gjithë opusit krijues të Ramadan Musliut, sepse po të ishte ndryshe tani këtë libër nuk do ta përjetonim si një riformatim të një structure komplekse poetike, edhe për faktin se, siç e thotë ai, vepra e mirëfillt letrare nuk lexohet lehtë.
Para se të merrte ndonjë vendim definitive përsa i përket structures përmbajtësore e estetike të këtij libri, Anton Nikë Berisha, me siguri është ndeshur me dilemat jo të pakta se cilat poezi duhet të futen në sitën e tij të përzgjedhjes. Ai madje këto dilemma nuk i fsheh edhe në parathënien e librit, teksa shprehet se kishte mëdyshje se cilën poezi ta marr e cilën ta linte. Kjo, me fjalë të tjera, i bie që, edhe ato poezi që nuk ndodhen në këtë vëllim antologjik, lirisht mund të përfshihen në ndonjë liber tjetër të një karakteri të ngjashëm, ose të përafërt. Megjithatë, sensi për të përzgjedhur të duhurën, dhe metodologjia e përcaktimit të kritereve për cilësinë, e kanë udhëhequr autorin e kësaj përzgjedhjeje përgjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit të poezisë së Ramadan Musliut. Ai me këtë metodologji sikur synon të kompensojë mbase edhe të rikthejë vëmendjen e humbur të kritikës letrare ndaj vokacionit krijues të Ramadan Musliut edhe për faktin se, siç thotë Anton Nikë Berisha në parathënie, poezia e Ramadan Musliut është shumë më e vlefshme dhe poetikisht më e pasur dhe e lartësuar sesa del në shqyrtimet dhe interpretimet e deritanishme. Prandaj, një antologji e mirë, na shtyn t’i kthehemi edhe njëherë autorit, kurse ata që do të kenë gatishmërinë dhe përgatitjen e duhur për ta studuar poezinë e Ramadan Musliut, mund ta marrin si pikënisje pikërisht këtë përzgjedhje, sepse ajo del të jetë edhe si një rinjohje me autorin e gjashtë vëllimeve poetike: “Parodia e trupit” (1981), 1985 “Shqisa e gjashtë” (1985), Prishtinë; “Pasqyra e të rrëfyerit” (1987), “Kënga e sibilave” (1996), “Në zemrën e gjërave” (2004), dhe “Gjendje neutrale” ( 2019 ).
Trupi, harrimi, flijimi, janë disa nga kontaktet asociative-figurative që e përçojnë semantikën e dikursit poetik të Ramadan Musliut, ku figurativiteti pashmangshëm është i lidhur me aftësinë për perceptimin dhe dekodimin e kuptimësisë, kurse vargu, siç do të thoshte Malarme, mundëson rikompozimin e trajtave të papërkyera të gjuhës, sikundër mund t’i hasim në vargjet: bien ata ngadalë me parukën e territ mbi kodër (tek poezia Natë kalabreze), arsyeja e flijimit është si shiu për ugar (tek poezia Tallja përpara kryqit), drurin e fantazisë e kishin mbjellë në kopsht (tek poezia HERBARIUMI), vetëm pikëllimi na gjuan me gurë (tek poezia MASHTRIMI I HËNËSINËS), ç’muzikë akulli solli kjo kohë (tek HËNËSINA QË PO SHUHET), Me pëlhurë mushkërish i mbulova ëndrrat (tek MËRGIMII TRUPIT), Si një petk i vjetruar plot arna, rri e varur vjeshta, në gozhdën e ndryshkur të stinës( tek poezia VJESHTË E VONË), Zërat e çjerra të pulëbardhave, kur bukuroshet e fatamorganeve shfaqen, vinin të dridhshme si malli atdhetar (tek poezia PËR EMRIN E LASHTË TË TRUPIT TONË).
Ata që do ta kërkojnë tejdukshmërinë e verbit poetic të Ramadan Musliut, nuk do të mund të gjejnë për arsye se kjo nuk është një poezi që shuan kurreshtjen me një të lexuar. Procesi i rileximit të kësaj poezie ndërlidhet me natyrën komplekse komunikuese të diskursit letrar që përmban në vetvete, për arsye se, siç e thotë Anton Nikë Berisha në parathënien e këtij libri, përcaktimi i Ramadan Musliut të hartojë poezi të mirëfillta moderne, të ndërtojë atë lloj të tekstit që e përligj poetin madhor dhe si të tilla (poezitë) mund të komunikojnë dhe të ndikojnë estetikisht në lexuesin, jo vetëm të kohës kur u hartuan, përligjet para së gjithash nga poezia e tij, po dhe nga pikëpamjet e tij teorike e estetike që i shprehu për dukuritë e ndryshme të poezisë.
Një poet si Ramadan Musliu, që e kishte të zhvilluar edhe sensin e të kuptuarit të poezisë në pikëpmaje teorike e estetike, paraqet jo vetëm arsyen për ta perceptuar poezinë e tij nga një këndvështrim pak a shumë specifik, por edhe tërësinë e vlerave stilisitike që ofron kjo poezi. Ky liber, me metodologjinë përzgjedhëse të Anton Nikë Berishës, dëshmon edhe njëherë se poezia nëse vendoset në hierarkinë e duhur të vlerësimit, ajo si e tillë mund të funksionojë shumë natyrshëm si product krijues i një sistemi të konsoliduar poetik. /2LONLINE.com/
______________
( Kjo kumtesë u paraqit në veprimtarinë e dytë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit, mbajtur më 23 tetor 2021, në Bibliotekën e Qytetit në GJilan, pikërisht në njëvjetorin e kalimit në amshim të shkrimtarit Ramadan Musliu, ku u paraqit poezia e tij e zgjedhur nga ana e prof. dr. Anton Nikë Berishës, SHTJELLË SHPIRTËRORE )