Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz:
Së bashku me Presidenten e Republikës dhe me Kryetarin e Kuvendit dhe me kolegë të tjerë, bashkëpunëtorë nga Qeveria dhe Parlamenti, me aktivistë e me qytetarë të Republikës erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione të Republikës, si krerë të këtyre institucioneve, si përfaqësues politikë, si qytetarë të Republikës jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar, sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme, e dimë se si të ecim mbarë dhe drejt përpara.
Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, Bacës Shaban, Hamzës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë! /2LONLINE/