Në Kuvendin e Kosovës sot është mbajtur dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, në të cilin dëgjim morri pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministrja Haxhiu para deputetëve, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të pranishëm konfirmoi edhe një herë rëndësinë e një mekanizmi të ri për luftimin e korrupsionit dhe kthimin e pasurive të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga personat zyrtar ndër vite.
Po ashtu ministrja Haxhiu i ofroj mbështetjen e plotë Kuvendit të Kosovës që përmes kapaciteteve të Ministrisë së Drejtësisë të ndihmojë në hartimin e amendamenteve të projektligjit sipas Opinionit të Komisionit të Venecias, përkatësisht rekomandimeve që dalin nga ky opinion.
Ndër të tjera Ministrja tha se “Opinioni i Komisionit të Venecias në çështjen e Byrosë ka dhënë opsione për zgjidhje se si mund të ndryshohet ligji në të mirë të praktikës ndërkombëtare por edhe depolitizimit të Byrosë dhe fuqizimit të saj me kompetenca”.
Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë angazhimin e plotë në përfundimin e kësaj iniciative ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë. /2LONLINE/