(2L ONLINE) – Nën organizimin e qendrës rajonale të OSBE-së në Gjilan dhe Këshillit Lokal të Veprimit Rinor në rajonin e Gjilanit është mbajtur një debat me temën “Fuqizimi i përfshirjes së rinisë dhe pjesëmarrjes së publikut në venim marrje”.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori Arsimit, Nazmi Musa, u.d. i drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit Bujar Haziri si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Në këtë takim është diskutuar kryesisht për problemet, sfidat, angazhimet dhe për pjesëmarrjen aktive në vendim marrje të rinisë gjilanase.
Me këtë rast Afrim Nesreti, koordinator i projekteve në kuadër të qendrës rajonale të OSBE-së në Gjilan, tha Komuna e Gjilanit është shembull sa i përket aktiviteteve të KVRL-së.
Nesreti ka përmendur disa aktivitete që OSBE ka organizuar për diskutimin e kësaj çështjeje, ndërsa përmendi edhe vizitën që do t’i bëhet Këshillit Rinor në Greqi, ku pjesëmarrës do të jenë edhe përfaqësues të KVRL-së, për të parë përvojën e tyre në këtë sektor. Për këtë çështje, ai tha se do të mbahet edhe një konferencë rajonale në Prishtinë, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga disa shtete të rajonit.
Drejtori i Arsimit Nazmi Musa, e ka përshëndetur këtë aktivitet, ndërsa theksoi se rinia është e ardhmja e shoqërisë sonë dhe duhet t’u sigurojmë kushte për shkollim të mirëfilltë.
“Në secilën shkollë të rinjtë janë pjesë e vendim marrjes, janë aktiv për afirmimin e kërkesave të tyre. Si Drejtori e Arsimit, do t’i përkrahim të drejtat e rinisë dhe do t’ju krijojmë mundësi më të mira”, tha Musa.
U.d. i drejtorit të DRKS-së, Bujar Haziri, i cili njihet si njeriu që është kujdesur shumë për avancimin e të drejtave të të rinjve si dhe përkrahjen e tyre për pjesëmarrjen në vendim marrje, tha me këtë rast se tashmë është krijuar një bazë e mirë ligjore për të rinjtë.
Ai shtoi se shumë shpejt do të bëhet ndarja e sektorit të rinisë, nga sektori i kulturës dhe sportit dhe do ta ketë planifikimin e vet buxhetor, përderisa do të jetë shumë i lehtë funksionimi i këtij sektori të rëndësishëm.
Arlinda Abdullahu, zëdhënëse e KVRL-së, është shprehur se kjo organizatë përfaqëson interesat e të rinjve në Komunën e Gjilanit me qëllim të vetëdijesimit të rinisë afirmimin, aktivizimin dhe pjesëmarrjen në shoqëri.
KVRL, sipas saj, ka bërë disa aktivitete të rëndësishme gjatë këtij viti, ndërsa ka falënderuar Komunën e Gjilanit për përkrahjen e vazhdueshme.
Drejtori i Arsimit Nazmi Musa ka folur edhe për rritjen e sigurisë në shkolla, duke thënë se së bashku me KVRL-në, do të mund të luftojmë dukuritë negative, përmes organizimeve, debateve dhe kampanjave të ndryshme.
Nga ky takim, kanë dalë rekomandimet për sigurimin e një zyreje nga ana e Komunës së Gjilanit për Këshillin Lokal të Veprimit Rinor, pastaj për nevojën e bashkëngjitjes së aktiviteteve në sektorin e ambientit dhe urbanizimit, për nënkodin buxhetor për vitin 2015, për inicimin e planit të veprimit dhe strategjisë komunale, ndërsa kur të themelohen Këshillat e fshatrave, u tha se është e domosdoshme që të jetë i pranishëm edhe një përfaqësues i KVRL-së./2lonline/