Gjilan – (2LONLINE) – Në kuadër të shënimit të Javës së Rinisë në Komunën e Gjilanit, OJQ Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QKBN)/ ka planifikuar të realizojë dy aktivitete. Bëhet fjalë për një debat rreth publikimit të analizës në kuadër të projektit për Rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen lokale me temën: Rinia dhe Transparenca: Të përjashtuar apo të injoruar? Ky projekt realizohet nga OJQ Ec ma ndryshe nga Prizreni dhe OJQ KCIC/QKBN nga Gjilani.
Po ashtu aktivitet tjetër parashihet simulimi i zgjedhjeve për votuesit e rinj në kuadër të projektit Edukimi i qytetarëve për zgjedhje të lira dhe demokratike që realizohet nga OJQ KCIC/QKBN që është pjesë e Koalicionit të Organizatave Jo Qeveritare Demokracia në Veprim.
Këto aktivitete do të realizohen të enjten, me datën 26 shtator 2013, në dy lokacione tek salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të mbahet debati – Rinia dhe transparenca: Të përjashtuar apo të injoruar ku do të prezantohet publikimi i Analizës pastaj do të ketë diskutime edhe nga panelist të tjerë si: Bujar Haziri, sektori i rinisë së DKRS Gjilan, Eranda Isufi, kryetare e KVLR, Selim Daku, kryetar i Unionit te studentëve Pro Evropian, Nuhi Nuhiu, Drejtorë i Drejtorisë për buxhet dhe Financa, e të tjerë.
Ndërsa tek Zyrat e OJQ KCIC do të bëhet simulimi i zgjedhjeve për votuesit e rinj në kuadër të projektit Demokracia në Veprim.
Projekti “Rritja e pjesëmarrjes përmes mediave sociale” i mbështetur financiarisht nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) është duke u zbatuar nga EC Ma Ndryshe në Prizren dhe në partneritet me KCIC-në në Gjilan. Qëllimi i projektit është që të inkurajoj të rinjtë e Prizrenit dhe të Gjilanit për pjesëmarrje në vendimmarrje lokale dhe që përmes qasjes inovative dhe edukative t’ju lehtësojë atyre kuptimin e të drejtave dhe përgjegjësive qytetare.
Për më tepër, projekti synon të ngushtojë hendekun mes pushtetit lokal dhe të rinjve duke i mbështetur ata përmes aktiviteteve të ndryshme në terren dhe në komunitet, duke përdorur mjetet sociale që janë në dispozicion gjithnjë e më shumë. /2lonline/