(2LONLINE) – Nesër me fillim nga ora 13:00 në Universitetin Publik të Gjilanit, përkatësisht në sallën A01, do të mbahet debat me temën Pajtimi Regjional dhe Bashkëpunimi Ndëretnik.
Në debatin e organizuar nga Unioni i Studentëve Pro Europian (USPE) dhe Qendra e Aktivizimit të Rinisë (YAC), panelistë do të jenë Vedat Xhymshiti gazetar investigues, Sadulla Ahmeti përfaqësues nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Mejdi Sadiku ambasador i pajtimit, sekretar i përgjithshëm i Unionit të Studentëve Pro Europian dhe zv. drejtor i Qendrës së Aktivizimit të Rinisë, si dhe Liza Gashi ambasadore e pajtimit, përfaqësuese nga United World Colleges.
Temat të cilat do të preken në këtë debat janë pajtimi regjional, bashkëpunimin mes të rinjve të ballkanit dhe Ballkani në Integrimin Europian.
Mehmet Zylfiu, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit Publik të Gjilanit tha se ky debat ka një temë mjaft senzitive.
“Debati i nesërm ka një temë shumë senzitive, për shkak që kanë kaluar vetëm 15 vite nga lufta e përgjakshme dhe vazhdojmë të kemi probleme, andaj është me rëndësi të diskutohet nga njerëz që kanë përvojë në këtë lëmi”, tha Zylfiu./2lonline/