Gianni de Biasi e pranon se kualifikimi i Kombëtares shqiptare në Euro 2016 do të jetë shumë i vështirë.
Selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi e cilësoi të vështirë kualifikimin për në evropianin “Francë 2016”, derisa e vlerësoi ndeshjen ndaj Armenisë si shumë të rëndësishme për ecurinë e këtyre eliminatoreve.
“Nuk është e lehtë. E kemi nisur mirë, por në ndeshjen me Serbinë nuk morëm atë që merituam në fushën e lojës. Tani do të presim vendimin e KAS-it. Kemi zhvilluar vetëm tre ndeshjet e para të eliminatoreve dhe asgjë nuk është e sigurt për vazhdimësinë.”, ka deklaruar italiani për Top Channel.
“Kemi për të luajtur edhe 5 ndeshje të rëndësishme. Ndeshja e radhës është jashtëzakonisht e rëndësishme, ajo ndaj Armenisë në “Elbasan Arena” më 29 mars të 2015-ës. Armenia nuk është një skuadër e lehtë, mbi të gjitha ka një lojtar si Mkhitaryan, i cili është mes më të mirëve të Europës”, është shprehur De Biasi.