Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi sot ka zbardhur listën e lojtarëve të ftuar për dy miqësoret radhës.
Kuqezinjtë më 14 nëntor do të sfidojnë Francën, kurse tetë ditë më vonë do të ndeshen me Italinë.
Tekniku italian pasi publikoi listën 27 lojtarëve të ftuar, ka folur edhe për e kuqezinjve për këto dy sfida.
Tekniku italian mendon se dy ndeshjet e radhës vijnë në moment të veçantë pas incidentit të ndodhur në Beograd. Ai ka falënderuar tifozët shqiptare për përkrahjen që i kanë bërë Kombëtares në këtë periudhe.
“Këto dy sfida vijnë në një moment të veçantë, pas incidenteve në Beograd dhe tashmë duhet t’i rikthehemi normalitetit. Tifozët na kanë mbështetur së tepërmi në gjithë këtë periudhë, duke organizuar dhe protesta në mbarë Evropën. I falënderoj që na kanë qëndruar pranë dhe që kanë shprehur dashurinë e tyre për ngjyrat tona, ngjyrat kuqezi”, ka thënë De Biasi.
Sa i përket listës, në 27 emrat e përzgjedhur nga De Biasi spikasin mbi të gjitha dy emra, ai i Arlind Ajetit i grumbulluar për herë të parë në përfaqësuese por dhe ai i mesfushorit të Tiranës, Erando Karabeci.
“Arlind Ajeti është lojtar i ri, me perspektivë, e kemi grumbulluar dhe të shikojmë nëse do të na ndihmojë por baza mbetet formacioni me Portugalinë”, tha De Biasi.
Por cilat janë synimet e Shqipërisë në këto dy përballje, objektivat në eliminatore pas tre ndeshjeve të para dhe pse Shkëlzen Gashi nuk është aktivizuar ende titulluar nga trajneri, ishin disa prej pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, të cilat de Biasi i sqaroi me qetësi dhe duke shpalosur argumentat e tij
“Të jemi realist, nuk jemi në lartësinë e kombëtareve të tjera të grupit dhe nuk jemi as favoritë për t’u kualifikuar por po bëjmë një punë mjaft të mirë dhe kemi një grup të rinj lojtarësh. Këtë do të përpiqemi ta tregojmë dhe në dy miqësoret e radhës. Me Italinë është një ndeshje e rëndësishme, do të synojmë të mos pësojmë shumë gola por nuk do të jetë e lehtë. Gjithashtu mendoj se do të jetë e vështirë të bëjmë surprizën me Francën, pasi është një nga ekipet më të forta në Evropë, kanë lojtarë të jashtëzakonshëm. Gjithsesi ju garantoj se ne do të japim më të mirën tonë. Pse nuk po gjen hapësira Gashi? Me skemën aktuale luajmë me 1 sulmues, por kjo nuk do të thotë se nuk do të aktivizohet. Në të ardhmen jam i sigurtë se do të gjejë më shumë hapësira”, theksoi tekniku italian.
Lista e të grumbulluarve të Gianni De Biasi-t:
Portierë: Etrit Berisha, Orges Shehi dhe Stivi Frashëri. Mbrojtës: Debatik Curri, Mërgim Mavraj, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Ansi Agolli, Andi Lila, Ermir Lenjani dhe Arlind Ajeti. Mesfushorë: Taulant Xhaka, Ergys Kaçe, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Emiljano Vila, Herolind Shala, Odise Roshi, Armando Vajushi, Ledjan Memushaj, Valdet Rama, Ervin Bulku dhe Erando Karabeci. Sulmues: Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Hamdi Salihi dhe Edmond Kapllani.